2013-01-27 18:17:17

Dita Botërore për paqen në Tokën Shenjte. Mesazh i kardinalit Turkson


Dita e pestë Botërore për paqen në Tokën Shenjte. Të dielën, marrin pjesë në të rreth 3 mijë qytete, të cilat bashkohen me të krishterët e vendeve, ku Zoti ynë Jezu Krisht jetoi, pësoi e vdiq në Kryq, për shëlbimin e të gjithëve. Qëllimi i kësaj dite është sensibilizimi i opinionit publik për gjendjen e të krishterëve, të cilët janë vënë në shënjestër nga integralizmi islamik në rritje, pasojë e boshllëkut politik, lënë në shumë vende, nga pranvera arabe.
Pikërisht për paqen e drejtësinë në Tokën Shenjte, foli edhe Papa, të premten e kaluar, duke pritur në audiencë anëtarët e Komisionit të Përzier Ndërkombëtar për Dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse:
“Dua t’i siguroj të gjithë besimtarët e Lindjes së Mesme për afërsinë time shpirtërore dhe për lutjen që kjo tokë, kaq e rëndësishme në planin shëlbues të Zotit, të orientohet, përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit, drejt së ardhmes me drejtësi e paqe të qëndrueshme. Të gjithë të krishterët kanë nevojë të punojnë së bashku, duke e pranuar e duke pasur besim tek njëri-tjetri, për t’i shërbyer çështjes së paqes e të drejtësisë me besnikëri, sipas vullnetit të Zotit”.
Edhe kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson, në mesazhin e tij për këtë ditë, me titull “Vepron për paqen, kush e do dhe i shërben jetës në tërësi”, shkruan se aspirata e paqes përkon me dëshirën për zhvillimin e gjithanshëm të të gjithëve e të secilit. Duke cituar Papën Benedikti XVI, kardinali thekson se paqja dhe e mira e përbashkët realizohen vetëm përmes respektimit dhe promovimit të jetës njerëzore, nga zënia deri në fundin e saj të natyrshëm. Thelbësore, sipas prelatit, është lidhja e edukimit për paqen me ungjillëzimin e ri, pasi vetëm nga takimi me Zotin e nga bashkimi me Të, rrjedh një këndvështrim i ri për marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e institucioneve, formohet një moral, një kulturë, një raport i ri vlerash, nga të cilat mund të shpresohen vendime, sjellje e mënyra jetese, që çojnë në një humanizëm të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.