2013-01-25 17:14:54

“Tobin tax” në 11 vende evropiane. Nga Forumi i Davosit: ekonomia do ta ngrejë kryet në gjysmën e dytë të vitit


“2012-a do të kujtohet në histori si viti i rizgjimit të euros, ndërsa 2013-a do të jetë viti i përmirësimit ekonomik, por vetëm në semestrin e dytë”: ky mesazh optimizmi të moderuar u dha nga presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, në Forumin ekonomik të Davosit, që u zhvillua kësaj jave. Por fjala është për tregjet financiare, pasi këto prirje pozitive akoma nuk i janë transmetuar ekonomisë reale.
Ndërkaq, 11 vende evropiane do të vendosin të ashtuquajturën “Tobin tax”, taksën, që bankat do të paguajnë për çdo transaksion financiar. Ajo e merr emrin nga Çmimi Nobel për ekonominë, Xhejms Tobin, i cili e pati propozuar në vitin 1972. Por si gjithnjë, kundërshton Britania e Madhe e pikërisht në Forumin e Davosit, kryeministri Kamerun lajmëroi se pas vitit 2015, do të organizojë një referendum, me të cilin anglezët të zgjedhin nëse duan të bëjnë pjesë akoma në Bashkimin Evropian. Por cilat do të ishin pasojat e daljes së Londrës nga 27-shja? Të dëgjojmë opinionin e ekonomistit italian, Xhovani Marseguerra:
Pasojat e daljes së Londrës nga Bashkimi Evropian nuk mund të vlerësohen me saktësi. Ekzistojnë precedente të ndryshme historike. Sigurisht, pas vendimit të Kamerunit, qëndron loja e ndërlikuar e rishikimit të Traktateve. Nëse Londra mendon ta kushtëzojë pranimin e rishikimit të Traktateve - që janë të nevojshme për të shpëtuar Bashkimin Evropian - nga dhënia e një pushteti më të madh për Britaninë e Madhe, mendoj se mund të krijojë krisje në ndërtesën evropiane. Pra, rrezikon të mos shkojë drejt një Evrope më të fuqishme, siç dëshiron kryeministri Kamerun.







All the contents on this site are copyrighted ©.