2013-01-25 17:19:23

Shembulli i Nënë Terezës, në Ditën kushtuar të sëmurëve nga lebra


Shembulli i Nënë Terezës, i shën Damianit dhe i shenjtorëve e njerëzve të tjerë ndihmoftë të sëmurët nga gërbula, apo lebra. Kjo është thirrja e kryetarit të Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, imzot Zigmunt Zimovski, në Mesazhin për Ditën e 60-të ndërkombëtare të luftës kundër gërbulës, që kremtohet nesër.
Gërbula është një nga sëmundjet më të lashta të botës e, nëse nuk mjekohet, mund të çojë drejt vdekjes. Gjithsesi, lebrozët përjashtohen nga shoqëria e shpesh vuajnë në kushte varfërie të plotë. Në vitin 2011, 200 mijë vetë të tjerë u sëmurën nga gërbula, pavarësisht nga impenjimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe i shoqatave e fondacioneve, kishtare e jo. Vendet, ku kjo sëmundje mbjell akoma viktima, janë India, Afrika sub-sahariane dhe Amerika e Jugut. Imzot Zimovski i fton katolikët të kthehen në samaritanë të mirë, duke u frymëzuar nga shembuj, si ai i Nënë Terezës, i shën Damianit, i shenjtes Mariana Kope, i Raul Foleròsë, të cilët ia kushtuan jetën shërbimit për të afërmin, pikërisht për njerëzit më në vështirësi e më të braktisur, siç mund të jetë një i gërbulur.
Lebra kurohet që nga viti 1980, falë një trajtimi polikimioterapik. Megjithatë, në të gjithë botën, llogariten akoma rreth 6 milion të sëmurë. Sëmundja e Hansenit, siç quhet nga emri i zbuluesit, dhe pasojat e saj e nxitën OKB-në të miratojë, në nëntor 2010, “Parimet dhe direktivat për zhdukjen e diskriminimit kundër të sëmurëve nga gërbula dhe kundër familjarëve të tyre”. Ky dokument i impenjon bashkësitë dhe institucionet të mbrojnë të drejtat themelore të hansenianëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.