Me 25 janar Kisha kremton festën e Kthimit të Shën Palit Apostull
Festa liturgjike e “Kthimit të Shën Palit” nis të përkujtohet që nga shekulli VI,
ndërsa festa e martirizimit të Apostullit të popujve përkujtohet më 29 qershor. Me
këtë festë, që hyn në kalendarin Romak nga fundi i shekullit X, përfundon simbolikisht
Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke na kujtuar se nuk mund të ketë
ekumenizëm të vërtetë, pa kthesë të vërtetë te Jezu Krishti.
Festa e sotme
na krijon mundësinë ta njohim nga afër figurën shumëdimensionale të Palit Apostull,
i cili për veten shkroi: “Kam punuar më shumë se të gjithë apostujt tjerë” si dhe
“Unë jam më i vogli ndërmjet apostujve, një dështak, i padenjë për t’u thirrur apostull”.
E
pikërisht këto fjalë që shkruan për vetveten, Palit i japin plotësisht të drejtën
të drejtën të quhet Apostull: ai ka parë Zotin, Krishtin e Ngjallur e për këtë arsye,
është dëshmitar i ngjalljes; ai është dërguar drejtpërdrejtë nga Krishti, ashtu si
të Dymbëdhjetat. Ai i ka tri cilësitë: vegimin, thirrjen dhe misionin, nga të cilat
buron mrekullia e atij hiri Hyjnor që pati në rrugën e Damaskut, ku Krishti e bëri
të kapitullojë pa kushte dhe i dha hirin të bëhet Apostull i Tij. Në vegim, Pali e
pyet Krishtit: “Kush je to, o Zot?” dhe merr përgjigjen “Unë jam Jezu Krishti, që
ti e persekuton”. E vërtetë, Pali bën ndryshim, kthesë në jetën e tij duke hequr dorë
nga jeta e mëparshme e duke filluar një jetë të re në dhe me Krishtin.
Kthimi
i Shën Palit, që në rrugën e Damaskut shitohet prej dritës së Krishtit të Kryqëzuar,
të cilin ai, Sauli farize i bindur, e persekutonte në korpin mistik, vë në dukje në
mënyrë të bindshme fuqinë e hirit të Zotit që e rrëzon përdhé Saulin dhe në të e ngjall
personin e ri të rilindur nga feja, Palin, i cili nga armiku i përbetuar i Shëlbuesit,
shndërrohet e bëhet misionari i zellshëm i Ungjillit, në apostullin e popujve, në
dëshmimin e fesë në Krishtit me fjalë e me vepra, me jetë e deri me vdekje.
Udha
e Damaskut, ku ndodhi kthimi i Shën Palit, është me rëndësi të dorës së parë për të
kuptuar lidhjen mistike që e bashkon Krishtin me Kishën. Sauli, Apostulli i ardhshëm
nuk u kthye, ashtu si të tjerët, në takim me bashkësinë e krishterë, të cilën ai madje
e persekutoi. U kthye me nismën e vetë Krishtit, që iu duk si i persekutuar. Shën
Pali u kthye njëkohësisht tek Krishti e tek Kisha.
Kështu arriti tek përkufizimi
origjinal i Kishës si Korpi i Krishtit, të cilin nuk e gjejmë tek autorët e tjerë
të krishterë të shekullit të parë. Rrënjën më të thellë të këtij përkufizimi mahnitës
të Kishës e gjejmë tek Sakramenti i Korpit të Krishtit. Thotë Shën Pali: “Duke qenë
një bukë e vetme, ne, megjithëse shumë, jemi një trup i vetëm”.
Prandaj Apostulli
i Popujve nuk i deshi bashkësitë Kishtare që themeloi, të ftohta e burokratike, por
plot ndjenjë feje e pasion, sepse i konsideronte si shtrirje të pranisë personale
të Krishtit në botë. Themelonte, kështu, një Kishë të Krishtit të përbërë nga gjymtyrë
të bashkuara e njëkohësisht të dalluara, të cilave u printe fryma e Shpirtit Shenjt.
Natyrisht
të nënvizosh kërkesën e unitetit nuk do të thotë se duhet rrafshuar ose sheshuar jeta
kishtare sipas një mënyre të vetme veprimi. Gjetiu Pali Apostull mëson të mos shuhet
Shpirti, domethënë të krijohet hapësira për gjallërinë e pabesueshme të shfaqjeve
karizmatike të Shpirtit Shenjt Zot, që është burim energjie e gjallërie përherë të
re. Kemi të bëjmë, pra, me një bashkim si vertikal, ndërmjet Jezusit e besimtarëve,
ashtu edhe horizontal, ndërmjet të gjithë atyre që luten në emër të Zotit tonë Jezu
Krishtit.
Bashkësitë e Mbledhjet tona liturgjike kishtare – porosiste Apostulli
- duhet të jenë të tilla, sa ta shtyjnë njeriun që, pa qenë i krishterë, merr pjesë
ndër to, të thotë në fund me bindje: “Zoti është me ju!”. Kuptohet lehtë prandaj sa
e madhe është dëshira e Kishës katolike për ta realizuar atë që uron Shën Pali.
Shën
Pali Viti i lindjes së shën Palit llogaritet të jetë në mes vitit 5 dhe 10
pas Krishtit në qytetin e Arsit prej prindërve të cilët prodhonin dhe shitnin perde.
Ata gëzonin edhe titullin qytetarë romak. Kishte dy emra: Saul për hebrenj ndërsa
Pal për grekët dhe romakët. Njihte mirë kulturën greke dhe e mëson edhe gjuhën e tyre,
gjithsesi duke i mbetur besnik traditës së etërve të vet. Në Jerusalem njihet me
të krishterët të cilët i konsideron se janë sekt i rrezikshëm brenda judaizmit. Si
i ri asiston në vrasjen me gurë të shën Shtjefnit, ndërsa kur arriti moshën e pjekurisë
ai autorizohet t’i persekutoj të krishterët. Në Jerusalem ishte tmerr për të ata që
i besonin Jezu Krishtit. Kur ishte nisur për në Damask që të arrestoj të krishterë
do të ndodhë mrekullia e madh – kthimi i tij (shih Vap 9, 1-19). Kështu rrugës për
Damask i paraqitet vet Krishti duke e pyetur: Saul, Saul, pse po më salvon? Nga ky
takim me Krishtin për tri ditë do të metet i verbëruar. Pas takimit me Ananinë atij
i kthehet drita e syve dhe menjëherë kërkon të pagëzohet, dhe që atëherë, ai do të
bëhet dëshmitar i flaktë i Lajmit të Gëzueshëm. Ai edhe pse nuk kishte jetuar me Krishtin
si psh. Pjetri, megjithatë do të dëshmoj: “E pashë Zotërinë”! (1 Kor 9,1). Nga Damasku
ai do të kthehet në Jerusalem dhe aty qëndron për 15 ditë me Pjetrin e Jakobin, në
një mënyrë duke i bindur ata por edhe të krishterët në përgjithësi se ai ka ndërruar
dhe nuk është më persekutues i tyre. Tani Pali vihet në predikimin e Krishtit të
Ngjallur dhe këtë do ta bëj deri në vdekje. Duhet theksuar se në përhapjen e Ungjillit
ai do të ndërmerr katër udhëtime apostolike shumë të rëndësishme për popuj të ndryshëm,
të cilët përmes tij do të kenë fatin ta njohin Jezu Krishtin. Ndër ata popuj bëjmë
pjesë edhe ne shqiptarët sepse na mjafton të lexojmë letrën drejtuar Romakëve. Shën
Pali shkruan: “Qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin
e Krishtit” (Rom 15,19). Për ta njohur këtë shenjt të madh, mjafton të lexojmë
dhe të meditojmë 14 Letrat e tij të drejtuara bashkësive të ndryshme të cilat janë
pjesë e Besëlidhjes së Re. Përderisa flasim mbi këta apostuj të mëdhenj le të themi
faktin: “Sanguis martirum, semen cristianorum” (Tertuliani). Ta lusim Zotin që
me ndërmjetësinë e tyre edhe ne të aftësohemi që në kohën tonë të bëhemi bartës të
Lajmit të Gëzueshëm dhe dëshmitar të Krishtit të Ngjallur.