2013-01-25 15:26:36

Imzot Çeli: Papa në social network është gati të hyjë në dialog me të gjithë botën.


Në konferencën e shtypit, gjatë së cilës u paraqit Mesazhi i Papës për ditën e 47-të Botërore të Komunikimit, imzot Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, ripohoi se është e nevojshme që Benedikti XVI të “banojë”, thënë simbolikisht, në network e posaçërisht në Twitter, pavarësisht nga disa kritika, që i janë drejtuar në internet.
Ftesa është një dhe e fortë: të ripropozohen mesazhet e Atit të Shenjtë gjë që - tha imzot Çeli - tashmë e bën 7% e ndjekësve. E kjo përqindje ka prirjen të rritet çdo ditë. Është Twitter-i mjedisi ‘institucional’, në të cilin Papa duhet të jetë, pavarësisht se në të kaluarën ka pasur edhe fyerje e komente negative në drejtim të Benediktit XVI:
“Nuk jemi zënë në befasi. Kur hyn në këtë mjedis, nuk mund ta mohoj, mund të gjesh gjithçka. Nga njëra anë kemi pasur mesazhe të shkëlqyera, e nga ana tjetër, edhe fyerje, formula, që ironizonin disa gjëra. Provuam pakënaqësi edhe përballë një fenomeni të tillë, por thamë: nëse duam të hyjmë në dialog me njeriun e sotëm e në këtë mjedis, duhet ta pranojmë edhe rrezikun. Pra, sot po e përballojmë pikërisht këtë rrezik. Gjithsesi mendoj se është më mirë të jesh gjithnjë më i pranishëm, sesa të mos jesh, për ta shmangur rrezikun”.
Rrezik, pra, i parashikuar me mendimin se duhet përballuar, ndonëse edhe me përpjekje për t’i vënë fre fenomenit, tha imzot Çeli. Twitter është realitet laik; disa reflektime u mirëpritën, të tjera, jo, por nuk menduam asnjëherë të kthehemi mbrapa:
“Ky është kuptimi i Mishërimit. Zoti im, pikërisht në çastin kur i dhuronte njerëzimit gjithë vetveten, u tall, u poshtërua. Po ai nuk dredhoi rrugë. Përkundrazi, e pranoi flijimin deri në fund të fundit. Mendoj, prandaj, se është kjo përmasa e pranisë së Papës në Twitter e në Facebook. Kur njeriu endet nëpër shkretëtirë, edhe një pikë vese i bën mirë zemrës së zhuritur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.