2013-01-25 15:26:16

Benedikti XVI: në Lindjen e Mesme, për një paqe të sigurtë nesër, shërben dialogu i sotëm


Në se duam një ardhmëri me paqe e drejtësi në Tokën e Shenjtë, duhet të dialogojmë e të bashkëpunojmë. E pohoi sot paradite Benedikti XVI në audiencën me anëtarët e Komisionit të Përzier Ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike e Kishave Ortodokse. Edhe për këtë aspekt, Papa uroi të nxitet progresi, që bota ta njohë gjithnjë më mirë Ungjillin.
Lindja e Mesme dhe Afrika për të krishterët janë troje të fesë së lashtë, fesë së zanafillës së krishterimit, e njëkohësisht, troje të ngarkuara me paqartësi e ankthe, të vjetra e të reja. Benedikti XV, që nuk i harron kurrë këto shqetësime, i theksoi edhe një herë sot, duke pritur në audiencë, në Vatikan, anëtarët e Komisionit të Përzier Ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike e Kishave Ortodokse, shumica ardhur nga ato zona në të cilat, kujtoi Papa, të krishterët, si individë e si bashkësi, duhet të përballojnë prova të dhimbshme e vështirësi, që bëhen vazhdimisht burim shqetësimi për të gjithë:
“I would like to assure all the faithful…
Dëshiroj t’i siguroj të gjithë besimtarët e Lindjes së Mesme për afërsinë time shpirtërore e edhe për lutjen time, që kjo tokë, kaq e rëndësishme në planin e shëlbimit të Hyjit, të drejtohet, përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit, kah një ardhmëri me drejtësi e paqe të qëndrueshme. Gjithë të krishterët kanë nevojë të punojnë së bashku me mirëkuptim, besim reciprok e besnikëri të patundur ndaj vullnetit të Zotit, në shërbim të kauzës së paqes e të drejtësisë”.
Pjesën e parë të fjalimit të sotëm, Papa ia kushtoi reflektimit mbi punën e Komisionit të Përzier, i cili që prej dhjetë vjetësh merret me ballafaqimin e ndërlikuar teologjik, nisur në vitin 2003, ndërmjet autoriteteve kishtare të Kishave Ortodokse Lindore e Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Dhjetë vjet, kujtoi Papa, të cilat kaluan duke shqyrtuar mënyrat e rrugët, që ndoqën Kishat e shekujve të parë për ta shprehur bashkimin e tyre.
Gjatë takimeve, mbajtur këtë javë, në përkim me periudhën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që përfundoi sot, u shoshit posaçërisht çështja e bashkimit dhe e komunikimit ndërmjet Kishave të pesë shekujve të parë të historisë së krishterë:
“In acknowledging the progress which has been made…
Duke pranuar progresin e arritur, uroj që marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse lindore, të vijojnë me frymën e bashkëpunimit vëllazëror, porsaçërisht përmes zhvillimit të një dialogu teologjik, që është në gjendje t’i ndihmojë të gjithë dishepujt e Zotit për ta bërë përherë e më të dukshëm bashkimin e për ta dëshmuar para botës të vërtetën shëlbuese të Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.