2013-01-25 17:15:31

Atë Lombardi: Të lutemi për bashkimin e të gjithë të krishterëve


Java që kaloi u karakterizua nga lutja për bashkimin e të krishterëve, një impenjim i përvitshëm për Kishën Katolike, por edhe për të gjitha simotrat e saj, që besojnë në Jezu Krishtin. Të premten, Papa Benedikti XVI kremtoi Mbrëmësoret në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, pikërisht në përfundim të Javës së lutjes, në praninë e autoriteteve të Kishave të tjera të krishtera, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit Apostull. Duke vënë në dukje se shoqëria e sotme e mbyll fenë në sferën private të jetës, Ati i Shenjtë theksoi se “pa fenë – që është kryesisht dhuratë e Zotit, por edhe përgjigje e njeriut – krejt lëvizja ekumenike do të reduktohej në një formë ‘kontrate’, pranuar për hir të interesit të përbashkët… Çështjet doktrinore që na ndajnë – iu drejtua Papa sivëllezërve të krishterë – nuk duhen minimizuar. Ato duhen përballuar me guxim, me frymë vëllazërimi dhe respekti të ndërsjelltë”. Komenti javor i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, i kushtohet pikërisht kësaj jave dhe thirrjes së Papës për ta dëshmuar me jetë se dialogu ndërmjet të krishterëve bazohet në fenë në Krishtin:
“Takimi vjetor i Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve është çast i fuqishëm ekumenizmi ‘shpirtëror’, që u jep kuptim dhe i ushqen të gjitha nismat e tjera ekumenike, me rëndësi e karakter të ndryshëm, si për dialogun teologjik e kulturor, ashtu edhe për impenjimin bamirës e shoqëror, apo të tjera. Të gjitha, të nevojshme e të çmueshme, por vetëm nëse frymëzohen nga një përshpirtëri më e thellë, që i lidh drejtpërdrejt me lutjen e madhe të Jezusit për bashkimin e atyre, që besojnë në Të.
Imazhi i fundit, që e shpreh më mirë ushtrimin e këtij ekumenizmi shpirtëror, na duket pa dyshim, Mbrëmja e lutjes së 29 dhjetorit të kaluar, kur dhjetra mijëra të rinj, ardhur në Romë për Takimin e 35-të evropian të Bashkësisë së Taizé-së, u mblodhën rreth Papës në Sheshin e Shën Pjetrit. Dëgjim i Fjalës së Zotit, këngë meditative, heshtje e zgjatur: heshtje e mrekullueshme, e thellë! “I përflakur nga zjarri i një ekumenizmi me bazë shenjtërinë, frere Roger i inkurajon të gjithë ata, që kalojnë në Taizé, ta kërkojnë bashkimin… Duhet ta ndjejmë nga brenda ekumenizmin e tij, përjetuar shpirtërisht, e duhet ta lemë të na udhëheqë… drejt një ekumenizmi vërtet të brendshëm e të përshpirtshëm”. Kështu e kujtoi Papa, zanafillën e dhuratës së Hirit Hyjnor, që atë mbrëmje, dukej kaq bindëse e impresionuese, duke e mbushur sheshin e madh me dritë e me praninë e prekshme të Shpirtit Shenjt. Kush pyeste, atë mbrëmje, cila ishte përkatësia fetare e atyre të rinjve? U përkisnin të gjithë Shpirtit të dhuruar nga Krishti e ishin në udhë, së bashku, drejt Jezusit, siç thoshte frere Roger, në “një shtegtim besimi mbi tokë”. Të vazhdojmë të lutemi e të shpresojmë në bashkimin e të krishterëve!”







All the contents on this site are copyrighted ©.