2013-01-25 18:42:38

Ambasadori shqiptar në Itali Llesh Kola nderohet me medaljen e mirënjohjes në Torino


Kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fasino i ka dorëzuar të mërkurën, 23 janar ambasadorit të Shqipërisë në Itali z. Llesh Kola medaljen "Stendardo della Città", në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për punën e përkushtuar në dobi të krijimit dhe konsolidimit të lidhjeve dhe marrdhënieve të bashkëpunimit mes kryeqendrës së rëndësishme italjane dhe vendit tonë.
Ceremonia e dorëzimit të medaljes është zhvilluar në kuadër të inaugurimit të ekspozitës "Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare", në mjediset e Palazzo Madamës, në Torino.
Në fjalën e tij kryetari Fasino kujtoi rëndësinë e madhe të lidhjeve mes dy vendeve tona dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm me ambasadën shqiptare gjatë mandatit shtatëvjeçar të ambasadorit Kola, në favor të zhvillimit të marrdhënieve mes Shqipërisë dhe Torinos, si edhe të integrimit të bashkësisë së madhe shqiptare që jeton dhe punon tashmë prej vitesh në këtë qytet.
Nga ana e tij ambasadori shqiptar e falenderoi kryetarin Fasino dhe Bashkinë e Torinos për vlerësimin ndaj veprimtarisë së tij dhe shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të tyre në drejtim të ndërtimit të marrdhënieve të bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e kulturës, ekonomisë dhe shkëmbimeve institucionale. Sot këtu jetojnë mbi pesë mijë qytetarë shqiptarë, kujtoi ai dhe ata e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre, kjo edhe falë politikave integruese të institucioneve lokale.
Torino, që bashkë me Romën numëron praninë më të lartë të qytetarëve shqiptarë, ka qënë një nga qytetet më të vizituara nga ambasadori Kola gjatë këtyre viteve në krye të përfaqësisë sonë diplomatike në Itali.
Falë bashkëpunimit mes bashkisë së qytetit dhe ambasadës, në Torino është zhvilluar një numër i madh vizitash zyrtare të përfaqësuesve të lartë të shtetit dhe të institucioneve shqiptare, si edhe nisma të tjera të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e më gjerë. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.