2013-01-24 14:41:41

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e Palit VI, pjesa III


Në emsionin e sotëm, do të vazhdojmë t’ju njohim me “Besojmën” e Papës Pali VI. Ati i Shenjtë e pati shqiptuar nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, më 30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Natyrisht, teksti ndjek Besojmën e Nikesë, që e njohin të gjithë të krishterët, por pasurohet me komentin e Papës Pali VI. Do të ishte tepër gjatë për një program radiofonik, transmetimi i tekstit të plotë, prandaj e kemi ndarë në pjesë. Sot, pjesa e tretë, në të cilën Papa flet për Nënën e Krishtit:
“NE BESOJMË se Maria është Nënë, gjithnjë virgjër, e Fjalës së Mishëruar, Zotit dhe Shëlbuesit tonë Jezu Krisht (shih Dz.-Sch. 251-252) dhe se, për shkak të kësaj përzgjedhjeje të veçantë, Ajo, në sajë të meritave të Birit të vet, është shëlbuar në një mënyrë më të shquar (shih Lumen Gentium, 53), është ruajtur nga çdo njollë e mëkatit të rrjedhshëm (shih Dz.-Sch. 2803) dhe është mbushur plot me dhuratën e hirit, më shumë se krijesat e tjera (shih Lumen Gentium, 53).
E lidhur ngushtë e pazgjidhshmërisht me Misteret e Mishërimit e të Shëlbimit (shih Lumen Gentium, 53, 58, 61), Virgjëra e Shenjtë, Zoja e Papërlyer, në fund të jetës së saj tokësore, u ngjit në lavdinë e qiellit me korp e shpirt (shih Dz.-Sch. 3903), njësoj si Biri i saj i ringjallur, duke i paraprirë fatit të ardhshëm të të gjithë të drejtëve; e NE BESOJMË se e Shenjtnueshmja Nënë e Zotit, Eva e Re, Nëna e Kishës (shih Lumen Gentium 53, 56, 61, 63; shih Pali VI, Fjala në përfundim të Sesionit III të Koncilit II të Vatikanit: A.A.S. 56, 1964, f. 1016; Nxitja Apostolike ‘Signum Magnum’, Hyrja), e vazhdon në Qiell impenjimin e saj amnor për besimtarët në Krishtin, duke bashkëpunuar në lindjen dhe në zhvillimin e jetës hyjnore në shpirtrat e të shëlbuarve (shih Lumen Gentium, 62; Pali VI, Nxitja Apostolike ‘Signum Magnum’, f.1, n.1).
NE BESOJMË se të gjithë kanë mëkatuar në Adamin: kjo do të thotë se mëkati i rrjedhshëm, kryer prej tij, e ka bërë natyrën njerëzore, të përbashkët për të gjithë njerëzit, të bjerë në një gjendje, që mbart pasojat e atij faji dhe, që nuk është më gjendja fillestare e paraardhësve tanë, të krijuar në shenjtëri e drejtësi, gjendje, në të cilën njeriu nuk njihte as të keqen e as vdekjen. Është natyra njerëzore kaq e prishur, e zhveshur nga hiri me të cilin ishte veshur, e plagosur në forcat e veta të natyrshme dhe e nënshtruar para sundimit të vdekjes, që u transmetohet të gjithë njerëzve; e është në këtë kuptim, që çdo njeri lind me mëkat. Ne besojmë, bashkë me Koncilin e Trentit, që mëkati i rrjedhshëm transmetohet bashkë me natyrën njerëzore, ‘jo me imitim, por me përhapje” e, se ai është ‘karakteristik për secilin’ (Dz.-Sch. 1513).
NE BESOJMË se Zoti ynë Jezu Krisht, përmes flijimit në Kryq, na shpërbleu nga mëkati i rrjedhshëm e nga të gjitha mëkatet personale, kryer prej secilit, në mënyrë që – sipas fjalëve të Apostullit – ‘kur u shumëzua mëkati, shumë më i begatshëm u bë hiri’ (Rom. 5,20)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.