Turqi: dënohet me 15 vjet burgim vrasësi i imzot Padoveze-s
Murat Altun, i riu, që vrau imzot Luigji Padovezen më 3 qershor 2010, u dënua me 15
vjet burgim. Vendimi, sipas agjencisë Azianjuz, u mor të hënën e kaluar, rreth orës
13.00 me orën vendase. Sipas specialistëve të ligjit, duke pasur parasysh se i dënuari
është në burg që prej tre vjetësh, duhet të vuajë heqjen e lirisë edhe për 12 vjet
të tjera, por në rast se sillet mirë, mund të dalë pas 6 vjetësh e 5 muajsh. Murat
Altun, në çastin e krimit 26 vjeç, në fund të procesit pohoi se ishte penduar thellësisht
për vrasjen e imzot Luigjit, “njeriu i fundmë në botë, që mund të më bënte keq, por
në atë çast nuk e kisha veten në dorë”, pohoi në përfundim. Që në fillim të arrestimit,
Altun nxori një mori pretekstesh, të gjitha kontradiktore, që e kishin nxitur ta
therte në fyt imzot Padovezen. Në fillim pohoi se nuk ishte mendërisht në rregull,
pastaj e quajti këtë ‘rit islamik’, e më pas, foli edhe për një lidhje të sëmurë homoseksuale.
Ashtu si ndodhi edhe në rastin e vrasjes së atë Andrea Santoros, në vitin 2006, në
Trabzon, avoketët e Altunit u përpoqën që në krye të mbështesin tezën e kufizimeve
mendore, duke nxjerrë nga mjekë të ndryshëm edhe çertifikata, që vërtetonin paaftësinë
për të menduar e për të vepruar. Gjithsesi, në qershor 2011, një komision mjekësh
nga Stambolli saktësoi se gëzonte shëndet të plotë mendor, duke siguruar, kështu,
edhe fillimin e procesit. Seancat ishin gjithnjë fare të shkurtëra, gjë që i revoltoi
shumë ata pak njerëz, të cilët u lejuan t’i ndjekin. Prelatë të ndryshëm i kërkuan
vazhdimisht qeverisë turke shkaqet e vërteta të kësaj vrasjeje.