2013-01-24 16:22:32

Këshilli Evropës më afër Konventës kundër trafikimit të organeve


Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar rekomandimet për hartimin e Konventës mbi luftën kundër trafikimit të organeve, indeve dhe qelizave me origjinë njerëzore. Kjo Konventë, pas miratimit, do të jetë instrumenti i parë ligjor i detyrueshëm, që ka të bëjë me trafikimin e organeve.
Rekomandimet e miratuara në projekt-konventë, kanë të bëjnë me masat parandaluese të trafikimit të organeve, me mbrojtjen e viktimave e bashkëpunimin nacional e ndërkombëtar kundër tregtisë së tillë.
Raporti thekson se është me rëndësi të madhe, të shqyrtohet ndjeshmëria e dhuruesve të organeve dhe të pranuesve, që të arrihet pajtim e miratim për mbrojtjen e veçantë të kategorive të caktuara të njerëzve, dhe të merret parasysh hapësira e mundshme gjeografike, zbatimi i rreptë e efektiv i konventës, pasi që tregtia me organe ndodh edhe jashtë territoreve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.
Raportuesi Bernard Marquet në një sesion të Asamblesë Parlamentare, tha se pas dyshimeve për trafikim organesh në Kosovë dhe Rezolutës së Dick Martyt është konstatuar nevoja për një instrument ligjor ndërkombëtar për ta luftuar këtë fenomen.
“Mendoj se ky është një raport i rëndësishëm, por, është vetëm hapi i parë, dhe konsideroj se duke iu falënderuar guximit tuaj, do të kemi sukses në këtë detyrë”, u shpreh ai.
Zhvillimi i Konventës për parandalimin e trafikimit të organeve, indeve dhe qelizave, ka nisur përmes një studimi të përbashkët të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës në vitin 2009.
Në të njëjtën kohë, Këshilli i Evropës, i paralajmëruar nga tregimet e nxjerra nga libri i kujtimeve i Karla del Pontes (ish kryeprokurores së Gjykatës së Hagës), ka nisur hetimet mbi dyshimet për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë, të cilat çuan në miratimin e Rezolutës se Dick Martyt.
Asambleja Parlamentare ra dakord më pas, se për këtë duhet një instrument ligjor ndërkombëtar. Konventa do të jetë e detyrueshme dhe do të bëjë pjesë e ligjeve penale.







All the contents on this site are copyrighted ©.