2013-01-23 14:01:17

Paraqitet në Kosovë Mesazhi i Papës për Paqen 2013


Në selinë e ipeshkvi katolik të Kosovës në Prishtinë, ditë më parë u paraqit Mesazhi i këtij viti i Papës Benedikti XVI për Paqen. Të pranishëm, autoritete kishtare, intelektualë e përfaqësues të mediave kosovare. Mesazhi papnor “është një doracak i Doktrinës Shoqërore të Kishës për paqen”, u tha me stjerash në takim.
Në selinë e ipeshkvit katolik të Kosovës në Prishtinë, u prezantua mesazhi i Paqes i Papës Benediktit të XVI për vitin 2013. Në këtë ngjarje, përpos klerit katolik, morën pjesë edhe intelektualë të fushave të ndryshme e media të shkruara dhe elektronike të Kosovës. Të pranishmit i përshëndeti ipeshkvi i Kosovës, shkëlqesia e tij imzot Dodë Gjergji, i cili ka shpreh urimet dhe dëshirën që mesazhi i Papës të depërtoj tek të gjithë njerëzit, posaçërisht tek familjet, sepse siç tha imzot Gjergji, Kisha përmes Atit të Shenjtë Papës dëshiron të lutet, të punojë dhe të promovojë kudo vlerën e paqes. Dom Fatmir Koliqi, bëri një kronologji të themelimit të Ditës Botërore të Paqes, e tha se Mesazhi i Papës për këtë vit, që bënë thirrje për paqen në botë, nga shumë studiues, konsiderohet të jetë një përmbledhje e shkurtër e Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike mbi paqen. Ngjet me një doracak të vogël, që u vjen si udhërrëfyes të krishterëve dhe jo të krishterëve, që impenjohen në fushën shoqërore e politike. Në Mesazhin e Paqes, Benedikti XVI, fillimisht përshkruan gjendjen aktuale në botë e shkaqet që shkaktojnë, luftëra të përgjakshme, kërcënime të reja, vatra e tensione, kundërvënien mes kombeve e njerëzve, që kanë zanafillën nga pabarazia mes të pasurve e të varfërve si dhe nga sundimi i një mendësie egoiste dhe individualiste, që gjen kushte të favorshme në një kapitalizëm të çrregullt financiar. Përveç terrorizmit e kriminalitetit ndërkombëtar, mesazhi Papnor thekson se paqja rrezikohet edhe nga fundamentalizmat e fanatizmat që shtrembërojnë natyrën e vërtetë të fesë e të lirisë fetare. Përballë kësaj situate, Papa propozon Programin e Lumnive Ungjillore, për t’i bërë ballë të keqes, që vijon ta trondit botën dhe fton të jetohen Lumnitë Ungjillore, për të ndërtuar një shoqëri mbi katër shtyllat e njohura bazike: mbi të vërtetën, drejtësinë, dashurinë dhe lirinë, tha dom Fatmiri, duke i shkoqitur në vazhdim nëntitujt: Paqja dhe relativizmi, Respektimi i jetës parakusht për sendërtimin e paqes dhe Kultura e paqes si pedagogji për jetësimin e saj.
Ndërsa Kriste Shtufi, profesor i Universitetit të Prishtinës, bëri një analizë nga këndvështrimi filozofik, ekonomik e moral, e theksoi se, Papa Benedikti XVI në Mesazhin e Paqes „Lum pajtuesit“ për këtë vit, vijon më traditën e kahmotshme filozofiko-teologjike në përpjekje për të krijuar paqen te njeriu ose mes njerëzve në botë, e cila arrihet atëherë përmirësohen të gjitha fushat e jetës shoqërore të njerëzve në favor të jetës, të punës për të gjithë, të parimeve të reja ekonomike dhe të një pedagogjie të faljes e pajtimit. Papa, vazhdoi prof. Shtufi, kërkon një ekonomi bashkëndarjeje, të orientuar jo si ekonomia e deritanishme kah profiti e konsumi, por kah puna jo vetëm për vete, por dhe për të tjerët. Po ashtu, Papa, kërkon një pedagogji dhe edukim të faljes aktive, që shpërndahet në të gjitha fushat, në politikë, religjion, universitet, shkollë etj. Sipas tij, Paqja falet nga Zoti, por ajo është edhe vepër e njeriut, i cili duhet të angazhohet aktivisht për paqe, si produkt i dashurisë, drejtësisë, lirisë dhe të vërtetës së njeriut dhe për njeriun, theksoi profesor Shtufi, duke analizuar Mesazhin e Papa Benediktit të XVI –të për këtë vit, 2013. Më hollësisht të dëgjojmë Rabije Ibrajn nga Prishtina…........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.