2013-01-23 14:00:28

Irak. Kryeipeshkvi Sako: “Ç’ardhmëri mund të presin të krishterët e Lindjes së Mesme?”.


Lindja e Mesme përsëri në qendër të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare. Në Izrael dje u organizuan zgjedhje të papritura. Partia e kryeministrit Netanijahu, ndonëse fitoi, nuk e arriti suksesin e parashikuar nga sondazhet. Përparuan shumë forcat e qendrës. Rezultati do të zyrtarizohet përfundimisht pasi të shqyrtohen edhe votat e izraelitëve jashtë vendi. Sipas analistëve, barazimi ndërmjet frontit të qendrës së djathtë e qendrës së majtë do të ketë si pasojë vështirësi të ndjeshme në qeverisjen e vendit. E djathta mund ta sigurojë mazhorancën vetëm duke u mbështetur mbi partitë konfesionale, aleate të përhershme të saj. Por Netanijahu, që beson se do të ngarkohet për formimin e qeverisë së re, uron që koalicioni të zgjerohet më shumë, për të përballuar, mbi të gjitha, kërcënimet e Iranit kundër shtetit hebraik. Por kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. Fitorja e papritur e partisë së re të qendrës “Yesh Atid”, themeluar një vit më parë nga gazetari Yair Lapid, bir i një politikani të njohur, që fitoi 19 vende, duke u bërë forca e dytë politike e Izraelit, është shenjë, që flet për ndryshime. Vetë emri i partisë “Yesh Aid” do të thotë “E ardhmja ekziston”, e prej këndej, shumë izraelitë, sidomos të rinjtë, i besuan këtij titulli, që flet për një ardhmëri të re. Pa folur për sukseset e disa partive të tjera të së majtës, mund të themi se vendi pret një drejtim të ri, që mund t’i hapë shtigjet edhe paqes.
E kjo do ta zbuste sadopak situatën në Lindjen e Mesme, që mbetet shqetësuese, ashtu si janë edhe disa fjalime mbi pranverën arabe, mbajtur nga ca drejtues. Me këto fjalë nis edhe thirrja e kryeipeshkvit kalde të Kirkukut, imzot Luiz Sako. Në mesazhin e tij, botuar nga agjencia Fides, urohet që Selia e Shenjtë dhe Kisha universale të ndërmarrin një nismë të re për të mobilizuar bashkësinë ndërkombëtare në mbrojtje të të krishterëve të Lindjes së Mesme.Sipas imzot Sako, larmia e etnieve, e feve dhe e gjuhëve në zonën e Lindjes së Mesme, bëhet burim tensionesh e konfliktesh, sepse në këtë pjesë të botës, nuk është afirmuar kurrë një kriter qytetarie, i aftë për t’i integruar të gjithë, pavarësisht nga feja dhe etnia. Proceset shpërbërëse, sot në vijim në Irak, që në të ardhmen mund të godasin edhe Sirinë, sipas kryeipeshkvit, e keqësojnë më tej gjendjen, sepse kur mungon pushteti institucional, mungon edhe siguria, gjë që i hap rrugën grupeve kriminale e ekstremiste. Në këto rrethana, për të krishterët e Lindjes së Mesme pasiguria shndërrohet lehtë në shqetësim e frikë. “Pyesim në se është ende e mundur të mendohet për bashkëjetesë të harmonishme, të denjë për këtë emër, shkruan kryeipeshkvi kalde, duke kujtuar edhe diskriminimet që pëson kush nuk ndjek atë, që quhet “feja e Shtetit”. E kjo situatë rëndohet më tej, sipas imzot Sakos, prej strategjive, që vihen në jetë në Lindjen e Mesme, nga subjekte të ndryshme gjeopolitike. Bashkësia ndërkombëtare, vëren kryeipeshkvi, që nënkupton fare qartë konfliktin sirian, beson se gjendja mund të përmirësohet, duke mbështetur një program fare të paqartë për të fituar demokracinë me vringëllimën e armëve! Rezultati është ndeshja ndërmjet opozitës së armatosur e regjimit, që s’lë gjë pa shkatërruar. Imzot Sako shpreson vetëm në ndihmën, që mund t’u japë Kisha të krishterëve të Lindjes së Mesme, duke uruar që kjo ndihmë të shprehet me forma gjithnjë më konkrete. Thuhet se këtu lulëzoi së pari krishterimi e se prania jonë është e rëndësishme, vëren kryeipeshkvi, por nuk thuhet si mund të shpresojmë akoma. Sipas prelatit irakian, këto Kisha me zanafillë apostolike meritojnë të mbështeten konkretisht nga Kisha universale në misionin e tyre të bashkimit e të dëshmisë. Mbështetja ndërkombëtare, e favorizuar nga Kisha universale, do të ishte një ndihmë e madhe për të provuar mundësinë e ndërtimit të një jete të denjë për të gjithë. Për kryeipeshvin e ritit lindor, Selia e Shenjtë ka një rol të dorës së parë në përpjekjen për t’u garantuar të krishterëve mundësinë të jetojnë në vendin e tyre e të mbeten në vatrat e tyre. Por një rol të rëndësishëm mund e duhet të luajnë edhe vetë të krishterët vendas, ashtu si dhe myslimanët. Sipas imzot Sakos, të krishterët e Lindjes së Mesme duhet t’u rrinë larg kurtheve të nacionalizmit e t’u propozojnë të gjithëve format e dashurisë, të jetuara e të predikuara nga Besëlidhja e Re. Ndërsa myslimanët duhet të përditësojnë zbatimin e mësimeve të Kuranit. Formula ideale e propozuar nga imzot Sako, është ajo e laicitetit pozitiv, që respekton njeriun dhe fenë e tij. Ashtu si lexohet në Deklaratën për lirinë fetare, shpallur nga Koncili II i Vatikanit, sipas së cilës “të drejtat e njeriut nuk mbeten të varura në ajër, të veçuara nga njerëzit konkretë, që do të duhej t’i ushtronin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.