2013-01-22 15:16:30

“L’Osservatore Romano” për praninë e Papës në Twitter, në gjuhën latine: “Si Shën Pali, lundron në agorà-në moderne të rrjeteve shoqërore”


Hyrja e Papës në Twitter shkaktoi debate të fuqishme, me konsensuse, nga njëra anë, por edhe me kritika, madje, të shprehura me tone të ashpra e edhe me ironi, që asnjë nuk mund t’i shmangë, sado i madh të jetë. Natyrisht, duhet të jemi të kujdesshëm, por siç na ka mësuar Shën Pali Apostull, i krishteri duhet të jetë gati të ballafaqohet me moskuptimin e ironinë e agorà-së, sheshit, që tashmë është kthyer në detin e pafund të mediave, ndër të cilat, interneti. Me këto fjalë, gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” i kushton një artikull faqes së Papës në Twitter, veçanërisht asaj në latinisht, ku të mërkurën e kaluar, pas audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI shkroi mesazhin e tij të parë.
Gazeta shpjegon se përkrah debatit të kultururar dhe ironik mbi përdorimin e latinishtes, nuk munguan reagimet jashtëzakonisht negative për praninë e Atit të Shenjtë në rrjetin shoqëror. “Në këtë rast – shkruan “L’Osservatore Romano”, duke përmendur një nga sociologët më të famshëm të shekullit të kaluar – të citosh McLuhan nuk ka kuptim. Opinioni i atyre, që janë marrë me këtë temë, është praktikisht unanim. Mjeti nuk përbën edhe mesazhin, kur është fjala për internetin, pasi prej kohësh, ai nuk është më vetëm mjet komunikimi, por ambient jetese”.
“Edhe thesari i letërsisë së lashtë të krishterë – vazhdon gazeta – ka nevojë të ankorohet ‘hic et nunc’ (këtu e tani), për të mbetur gjallë e për të arritur tek brezat e rinj: vetë faqja në latinisht e Papës mund të bëhet, me kohë, stërmbesa teknologjike e përzgjedhjes së lashtë antologjike, në të cilën, mjeshtrat mesjetarë vendosnin fraza nga tekstet e Etërve – por edhe proverba e maksima të famshme – për t’ua ofruar studentëve, duke thyer për ta bukën e ushqimit të përbashkët”. Edhe sot, përfundon shkrimi, një frazë e shkurtër, por e mençur, e përdorur si sfond në një celular, ose e dërguar si mesazh një miku në Twitter, mund të tejshpojë perden e rëndë të konfuzionit dhe të shpërqendrimit, që bie mbi jetën e përditshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.