Këshilli i Evropës: në Kosovë reformat e përforcimi i ligjit
Raportuesi i Këshillit të Evropës për Kosovën, Bjoern von Sidow, në raportin e tij
të paraqitur sot në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare, ka thënë se në dy vitet
e fundit, në Kosovë kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme, në kuadër të stabilitetit
politik dhe zbatimit të reformave. Ai ka nënvizuar se është e domosdoshme që të
ketë përpjekje për përmirësimin e funksionalizimit të institucioneve demokratike,
veçanërisht të Kuvendit të Kosovës, dhe për një punë më efikase në administratën
publike dhe sistemin e drejtësisë. "Ekziston një mungesë e përgjithshme e sundimit
të ligjit në Kosovë. Korrupsioni është i pranishëm në mbarë vendin, ne nivele të ndryshme.
Kjo ndërlidhet me drejtësinë, prokurorët.Sundimi i ligjit duhet të përmirësohet dhe
duhet të jetë e parashikueshme për të gjithë", ka thënë Sidow, gjatë punimeve të
seancës. "Sfida më e madhe në Kosovë është zbatimi i të drejtave të njeriut dhe
sundimit të ligjit, veçanërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar". Në
aspektin pozitiv, Sidow ka veçuar dialogun ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe
Serbisë. "Ai hap dritaren e mundësive për zgjidhjen e çështjeve thelbësore politike,
bashkërisht me ato teknike. Jam informuar se shumëçka është zbatuar nga zotimet që
janë dhënë, e kjo është jetike, zbatimi i marrëveshjeve", ka thënë Sidow.