2013-01-22 15:48:31

Franca e Gjermania: 50 vjet nga Traktati i Elizesë, që shënoi pajtimin e dy Vendeve


Franca dhe Gjermania përkujtojnë sot 50-vjetorin e Traktatit të Elizesë, firmosur në Paris nga De Gaulle e Adenauer, që vulosi pajtimin mes dy Vendeve pas një shekulli e gjysmë antagonizmi dhe tre luftërash. Traktati i Elizesë qe në të njëjtën kohë takim i nivelit të lartë pajtimi mes dy kombeve armike dhe pikënisje e një thellimi të marrëdhënieve miqësore përmes kontakteve politike e shoqërore në të gjitha nivelet.
Edhe në Tiranë ky përvjetor u shënua sot më 22 janar, ku për këtë rast organizohen dy aktivitete nga ambasadat e Francës dhe Gjermanisë, në kuadrin e 50-vjetorit të nënshkrimit të këtij traktati. Në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë zhvillohet një tryezë e rrumbullakët që vijon nga një diskutim publik mbi historinë e marrëdhënieve franko-gjermane dhe rolin e tyre si motor i integrimit evropian. Ndërsa pasditen çelet në Galeria « FAP » ekspozitë "Francë-Gjermani: një gjysmë shekulli miqësi dhe bashkëpunim", në prani të Ambasadores së Francës në Shqipëri, Christine Moro, dhe të Ambasadores së Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper. Ekspozita do të qendrojë e hapur deri më 24 janar.
Në një njoftim të përbashkët për shtyp, Ambasadoret e Gjermanisë dhe Francës në Tiranë Carola Müller-Holtkemper dhe Christine Moro janë shprehur se një nga mësimet themelore që doli nga miqësia që lidhën dy popujt është fakti se kuptuan të bëjmë mirë dallimin mes patriotizmit dhe nacionalizmit.
« Askush nuk u kërkon të heqin dorë nga identiteti i tyre, as në kuadrin e marrëdhënieve franko-gjermane as në kuadrin evropian. Por të gjithë gjermanët dhe të gjithë francezët e njohin rrezikun që paraqet nacionalizmi », thuhet në njoftimin për mediat.
Ambasadoret gjithashtu shprehin bindjen se kjo eksperiencë e jetuar nga dy vendet tona mund të bëhet burim refleksioni dhe nxitjeje në një moment kur vendet e Ballkanit po ndjekin njëkohësisht synimin e pajtimit mes tyre dhe synimin e përbashkët që është integrimi evropian.
Traktati i Elizës jo vetëm vulosi pajtimin mes dy vendeve pas një shekulli e gjysmë antagonizmi, por krijoi mekanizma bashkëpunimi, të cilat sipas Holtkemper dhe Maro, deri më sot nuk kanë të krahasuar me asnjë tjetër si nga shtrirja ashtu dhe nga prodhimtaria.
Edhe në Prishtinë, me rastin e përvjetorit të pesëdhjetë të nënshkrimit të Traktatit të Elizesë, znj. Maryse Daviet, Ambasadore e Francës në Kosovë, dhe z. dr. Peter Blomeyer, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, organizojnë sot në mbrëmje në Prishtinë një ceremoni solemne.
"Me këtë rast përkujtohet e veçanta unike e miqësisë gjermano-franceze. Ngjarja poashtu ka për qëllim të shërbejë si nxitje për mirëkuptim dhe pajtim", theksohet në komunikatë për media.







All the contents on this site are copyrighted ©.