2013-01-21 17:40:30

Shqipëri: Kongresi i Lushnjës, një ekspozitë për 93 vjetorin e tij


Në Shqipëri në kuadër të 93 vjetorit të Kongresit të Lushnjes u çel sot, në Muzeun Historik Kombëtar ekspozita me fotografi dhe dokumente të kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike.

“Kongresi i Lushnjes dhe Shteti Shqiptar” titullohet ekspozita në të cilën prezantohen jo vetëm fotografi të delegatëve, dokumente e procesverbale, por edhe objekte me rëndësi historike si, flamuri shqiptar që është mbajtur gjatë kongresit, vula dhe stilografi, bastuni dhe thika e Aqif Pashë Elbasanit etj.

Pjesë e ekspozitës është gjithashtu projekt programi i Kongresit të Lushnjes, hymni i kongresit, si dhe një koncept memorandum i delegatëve drejtuar Fuqive të Mëdha kundër copëtimit të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Aldo Bumçi tha se ishte e vështirë që të gjendeshin materiale historike për këtë ngjarje, botime që do të ekspozoheshin. “Kjo është shenjë e lënies në harresë të ngjarjen së dytë më të rëndësishme pas shpalljes së Pavarësisë, në një periudhë më të vështirë se ajo e vitit 1912-të”, tha Bumçi.

Ministri shprehu edhe njëherë opinionin se lind nevoja për një rishikim të historisë, nisur nga botimet e regjimit komunist që e deformojnë atë. “Në fund të muajit që vjen do të vendoset në Lushnje edhe Monumenti i Kongresit të Lushnjes, një nga projektet e rëndësishme të 100-vjetorit”, tha Aldo Bumçi.

Drejtoresha e Arkivit Qëndror Shtetëror të Shqipërisë, Nevila Nika tha se kjo ekspozitë është modeste në krahasim me gjithë dokumentet që AQSH disponon për këtë ngjarje historike. “Kongresi i Lushnjes shënon ringritjen e një Shqipërie që shumë kishin menduar që do të zhdukej përfundimisht”, tha Nika.

Kjo ekspozitë në nderim të 93- vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, u organizua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkepunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Muzeun Historik Kombëtar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në hollin e MHK-së deri më datën 27 janar.







All the contents on this site are copyrighted ©.