2013-01-21 14:46:28

Sabri Hamiti: MEMENTO PËR RUGOVËN


I. BIOGRAFIA Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik - Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-’77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Ka botuar këto vepra:
- Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,
- Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,
- Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),
- Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
- Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980
- Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prish¬tinë, 1982,
- Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
- Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,
- Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,
- Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,
- Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005
Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK-ja, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK-ja fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:
- Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Dani¬markë.
- Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
- Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
- Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për Paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall Qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
- Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori Çmimin për Paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Bar¬celonë, Spanjë.
- Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
- U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
- Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor
- Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.
II. KRITIKA
1. Qarku i Prishtinës
Ibrahim Rugova i përket brezit të ‘68-tës dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës.
Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës. Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit.
Në këto vite Prishtina, si dhe gjithë Kosova, kishte një gazetë të përditshme, një revistë letrare, një radio, një shtëpi botuese në shqip. Lëvizja kulturore e intelektuale e përqendruar në brezin universitar e bëri gazetën e vet kulturore, revistën e vet kulturore dhe formoi shtëpinë e vet botuese. Kjo, në mënyrë të pashpallur, artikulonte alternativën e njëshit pushtetor në kulturë.
Protagonist në të gjitha këto lëvizje kulturore e letrare, që përqendroheshin në Fakultetin Filozofik, ishte Ibrahim Rugova me krijuesit e brezit të tij studentë, kryesisht të gjuhës e të letërsisë shqipe. Tanimë disa nga nismëtarët e këtij qerthulli kulturor e letrar janë ngritur në shkallën më të lartë në fushat e tyre krijuese në shqip. Njëri nga më përfaqësuesit është Ibrahim Rugova, me përcaktim kritik letrar e studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare.
Qerthulli kulturor i Prishtinës, që më vonë do të zhvillohet edhe në një kulturë letrare, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit njëzet kishte përqafuar një program letrar e kulturor, qoftë pa e afishuar: të hyhet sa më thellë në njohjen e trashëgimisë shpirtërore nacionale e në të njëjtën kohë të ketë një hapje ndaj kulturave të tjera perëndimore, sidomos të moder-nitetit të tyre.
Ibrahim Rugova si krijues e kritik nuk u është larguar asnjëherë këtyre dy kërkesave të qerthullit kulturor të Prishtinës, për dy decenie të plota të krijimtarisë letrare kritike.
Këtë e dëshmoi më 1996, kur, duke marrë titullin Doktor Nderi i Sorbonës, ligjëratën për kulturën shqiptare ia kushtoi Rolan Bartit.
2. Profili i kritikut
Pak nga miqtë e tij e dinë që Ibrahim Rugova në moshën e re shkollore ka shkruar lirikë dhe ka përkthyer poezi. Mirëpo emri i tij letrar publik është bërë i njohur me shkrimet letrare në rubrikën “Zenite letrare” të përhershme në revistën Fjala. Tekstet, që rimerrnin në një lexim krejt subjektiv e të lirë, vepra të shkrimtarëve botërorë e shqiptarë, lexoheshin me mallin e leximit të letërsisë së vërtetë. Këto shkrime Ibrahim Rugova, pas një rileximi redaktues, i botoi në librin Prekje lirike. Vetë titulli përcakton natyrën e shkrimeve estetike-poetike, që nuk i iknin lirizmit në interpretim. Mendoj që ky ishte një revolt kundër shkri-meve kuaziobjektive që shkruheshin për letërsinë duke zbritur më shpesh në një sociologjizëm vulgarizues.
Në librin e dytë Kah teoria, të botuar shtatë vite më vonë, e gjejmë Rugovën në skajin tjetër të diskursit kritik. Tashmë ai, gjithë dijen e madhe letrare, gjithë mjeshtërinë e shkrimit kritik të argumentuar, e çon kah qëllimi suprem: të artikulohet në nivelin më të lartë teorik letërsia si krijimtari individuale e veçantë, e ndryshme nga të tjerat, që duke pasur praktikë origjinale të krijimit, kërkon edhe kritere të vetat të interpretimit. Tashmë, revolta lirike e librit të parë kthehet në sistem vetanak të mendimit e të argumentimit.
Dy polet kritike, të shfaqura në dy librat e parë, e kanë përcaktuar fuqishëm gjithë krijimtarinë kritike të Ibrahim Rugovës në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë të shekullit njëzet. Ky ndikim në një anën ka prodhuar një diskurs kritik të çlirshëm, shpesh me gjuhë konotative, madje në nivel të metaforës, për t’u kurorëzuar me trajtën e eseut e të kritikës interpretuese; kurse në anën tjetër ka prodhuar diskursin kritik të argumentuar duke e ngritur në nivel të abstragimit teorik, madje krejt në teori të letërsisë e të kritikës; por gjithmonë me kërkesën për kultivimin e temave abstrakte në shqip, nëpërmjet rindërtimeve terminologjike.
Dy libra të ngjashëm, përmbledhje esesh e kritikash, kapin tekstet kritike të Ibrahim Rugovës të viteve shtatëdhjetë në Strategjia e kuptimit dhe të viteve tetëdhjetë në Refuzimi estetik. Sharmi themelor i shkrimeve kritike, që korrespondojnë në radhë të parë me librat e botuar gjatë këtyre viteve dhe me autorët kryesisht të brezit të tij, është se janë shkruar rëndom si kritika të para (punë tepër e vështirë në interpretimin e vlerësimin e letërsisë) duke prodhuar edhe mendimin e parë publik për veprat, e njëkohësisht duke krijuar aureolën e kritikës së respektueshme.
Në shkrime të tjera, në këta libra, Rugova lëshohet ngadalë në kohë për të studiuar formacione artistike e doktrina letrare shqiptare, po ashtu autorë të njohur të traditës; ashtu edhe fenomene letrare, kryesisht kritike të modernitetit evropian.
Dy libra të tjerë, tani monografikë, që provojnë deri në skaj fuqinë krijuese e intelektuale të Ibrahim Rugovës janë Vepra e Bogdanit dhe Kahe e premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983. Në të parin bëhet interpretimi i fuqishëm i tekstit bogdanian në librin e parë origjinal shqip Çeta e profetëve, duke analizuar të gjitha aspektet e strukturat e tekstit bashkë me domethënien e tij. Rugova këtu ribën gjenetikën dhe bën analitikën e veprës së autorit të madh të vjetër shqiptar, duke e parë atë të njënjëshëm, nëpërmjet temave, strukturave letrare, domethënieve nacionale; duke analizuar sistemin e plasat e tij. Studiuesi, i formuar me dijet moderne letrare, dëshmon që teksti bogdanian nuk është dëshmi por është një qenie e gjallë kulturore, madje bashkëkohëse, një vlerë që jeton. Vepra shpejt u bë paradigmë e studimeve shqiptare, jo vetëm bogdaniane.
Mirëpo, projekti më i ndërliqshëm e më i rëndësishëm studimor i Ibrahim Rugovës mbetet mono¬grafia për kritikën shqiptare. Ky libër është dhe kurora kritike e tij. Aty gjejmë një sistematizim të mendimit kritik shqiptar që lidhet me letërsinë dhe kritikën letrare, dhe më thellë një vetëdije kulturore të shqiptarëve. Idetë themelore, duke u fiksuar nga Barleti deri te autorët bashkëkohorë, janë trajtuar jo si rend kronologjik i shfaqjeve, por si vlera në një sistem të sprovuar të mendimit letrar. Rugova lucid këtu informon, analizon, interpreton. Vepra merr vlerën e një projekt-enciklopedie për kritikën letrare shqiptare duke u bërë, që nga shfaqja, një pikë reference e pakalueshme në këtë fushë.
Përfundimisht, Ibrahim Rugova është një kritik modern që teorinë e ndërton si majë që del nga interpretim i tekstit letrar, kurse vlerësimin e bën si një përqasje me universalitetin e krijimit letrar. Kjo të shpie nga qerthulli i letërsisë kombëtare në universumin e literaturave të tjera.
Një të tillë sprovë e kishte nisur Rugova në shkrimin për rrënjët e degët letrare, pra për trashëgiminë origjinare dhe shpërndërrimet e mëvonshme duke sjellë në relacion krijues Shqipen, Aristotelin e Xhojsin. Kjo aventurë krijuese ishte ndërprerë përnjëherë. Dhe kjo duhet të quhet humbje për kërkimet në letërsinë shqipe.
Konteksti sociokulturor, thoshim më parë, por rre¬thanat nacionale, do të themi tani, e bënë apo më saktë e detyruan Ibrahim Rugovën, që nga njeriu meditant të kalojë te njeriu militant.
E mbyllim këtë pjesë me një metaforë: Prekje e Gurit. Brezat e idealistëve (nëse mbeten gjallë) do të tregojnë a u formësua guri nga prekja dhe për sa kohë ndodhi kjo.
II. POLITIKA
1. Presidenti / Kryetari
Ibrahim Rugova hyn tepër vrullshëm në politikën e Kosovës duke dalë në ballë të lëvizje për pavarësinë e Kosovës dhe duke e bërë legal vullnetin politik të popullit të saj.
Ai e legalizoi dhe legjitimoi në mënyrë institucionale këtë vullnet nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare e presidenciale dhe nëpërmjet Referendumit popullor për pavarësinë.
Po këtë legjitimim ai e mori me votë demokratike si kryetar i LDK-së (1989) dhe si President i Republikës së Kosovës (1992).
Veprimet politike institucionale të Rugovës krijuan sistemin e brendshëm të mbështetur në solidaritet e në mirëkuptim për të siguruar mbijetesën së brendshmi dhe respektin së jashtmi për organizimin shoqëror e politik dhe prijësin e saj.
Ibrahim Rugova u pranua si përfaqësues autentik i Kosovës në të gjitha zyrat e mëdha në Evropë e në Amerikë, pa marrë parasysh që në mënyrë zyrtare nuk u pranuan zgjedhjet e tij.
Vetë Rugova e dinte që rruga e pranimit ndërkombëtar është e ngadaltë, sidomos derisa të sigurohet pushteti real në Kosovë. Ai kishte përsëritur shpesh gjatë viteve ‘90-të të shekullit të kaluar: “Ne kemi pushtetin moral”. Puna ishte që të ushtrohej pushteti faktik. Insistimi i Rugovës për disiplinë shtetërore para popullsisë, duke kërkuar jetë institucionale, është keqkuptuar, madje nënvlerësuar jo një herë nga kundërshtarët e tij të ngutshëm në LDK-ja apo në Kosovë, që preferojnë përmbysjet rrënjësore para evolucionit. Këto mendime kanë pasur edhe jehonat e veta para faktorëve ndërkombëtarë.
Po vota e popullit, vota qytetare, katër herë me radhë, madje në rrethana krejt të ndryshme politike, ka legjitimuar Rugovën edhe kryetar të LDK-së edhe President të Kosovës. Ky fenomen ka prodhuar përgjithmonë dy konsekuenca a mësime historike për Kosovën:
1. Udhëheqësi autentik mund të dalë vetëm nga vota e lirë e qytetarëve, dhe kjo është fuqia e këtij udhëheqësi.
2. Përgjithnjë Kosova ka pranuar dhe krijuar traditën që ky vend nuk do të pranojë asfarë autoriteti të udhëheqësit të pazgjedhur. Kjo, më në fund, është fitore e demokracisë në Kosovë.
Tashmë është fakt e histori që Ibrahim Rugova mbetet Presidenti historik i Kosovës dhe promovuesi i madh i lirisë, i pavarësisë e i demokracisë së Kosovës.
2. Shqiptari
Rugova është një nacionalist i kultivuar. Pra, është shqiptar, në kuptimin rilindës të fjalës. Kjo del natyrshëm nga e kaluara e tij familjare e personale dhe nga formimi kulturor, letrar e historik. Premisat e këtij kualifikimi mund të lexohen në veprat e tij kulturore e krtike, ashtu dhe në veprimet e tij politike.
Promovimi i politikës së tij nacionale, që në fillime, është bërë në bashkëbisedim, marrëveshje, e dialog me politikën institucionale të Shqipërisë. Se ai është një nismëtar i pluralizmit politik, por para së gjithash institucionalist, prandaj nocionin e partive e përdorte përherë në shumës. Por, është e dukshme që preferenca e tij është partia (partitë) demokratike dhe për shumë vite në politikën shqiptare Rugova e Berisha kanë përbërë një binom. Kjo dhe për pajtimin e përbashkët që komunizmi ka dëmtuar tragjikisht kombin shqiptar dhe botën shqiptare.
Prandaj, politika moderne shqiptare do të rimerrej duke u ringjallur në të gjithë parametrat nacionalë, tani në rrethanat aktuale politike ndërkombëtare, nëpërmjet integrimeve kombëtare e evropiane.
Komunikimi pa paragjykime ndërmjet shqiptarëve që kanë jetuar të ndarë përdhunshëm, për Rugovën është alfa dhe omega e rinjohjes së thellë deri në identifikim, deri në unifikim. Këto komunikime marrin të gjitha trajtat sociale, ekonomike, kulturore, politike.
Kur komunikimi me Shqipërinë ishte gati i ndaluar, Rugova fliste si duhet të shkohet në Tiranë, qoftë për të pirë një kafe një paradite. Po më thellë kërkonte, me përsëritje të palodhura, çeljen e udhës Prishtinë-Durrës, si arterie të bashkimit fizik e shpirtëror të shqiptarëve. Vizionet nacionale të Rugovës për komunikimet e integrimet shqiptare janë në proces dhe të pakthyeshme.
Vetëm se në këtë udhë ka etapa, të cilat duhet të kalohen me mend e durueshëm. Vetëm njohjet i mundin paragjykimet, vetëm arsyeja i vë në disiplinë emocionet e zjarrta. Këto duhet të kenë qenë grindjet e mbrendshme vullkanike, që më në fund e dogjën dhe poqën Rugovën, nacionalist të kultivuar.
3. Politika
Rugova pacifist në Kosovën që i del tymi, në mesin e Ballkanit që nis për të satën herë kasaphanën. Ky është një absurd, kanë bërtitur me zë të lartë disa nga kundërshtarët e tij politikë. Kurse është admiruar për qëndrimin e tij në të katër anët e botës.
Rugova si individ ka qenë trim, nuk i është frikësuar gjakut e as vdekjes. Çështja është që ai nuk ka preferuar kryengritjen a betejën, por ka kërkuar e synuar fitoren. Filozofinë e heroikës shqiptare, qoftë ajo skenderbejane, ai është munduar ta përkthejë në një qëndresë moderne për të ruajtur substancën, pra në një rezistencë politike me premisa të humanizmit e të lirisë njerëzore universale. Në këtë mënyrë do të fitoheshin miqtë e kauzës së lirisë së Kosovës.
Sloganet e tij për pajtim të brendshëm, për durim, për solidaritet, për mirëkuptim, për dialog e për mirësi, që duken si moralizim në fatkeqësi, në të vërtetë janë përftime racionale duke njohur gjendjen e brendshme dhe rrethinën e Kosovës. Duke njohur gjendjen e popullit të robëruar në kapërcime të mbijetesës.
Rugova ka njohur egërsinë serbe ndaj Kosovës, e cila është përsëritur ciklikisht në historinë e përgjakshme të vendit. Ai e ka artikuluar me zë të thekshëm para opinionit ndërkombëtar, që më 1989, se “serbët po vijnë të hakmerren”. Po duhej kohë, qëndresë, organizim e substancë, po ashtu dhe një rezonancë ndërkombëtare për një luftë e rezistencë me armë, një luftë të akceptueshme nga miqtë e kauzës së lirisë së Kosovës.
Prandaj, Rugova është pararendës i UÇK-së dhe pasues i saj. Ky është rezonim i popullit të Kosovës, që mbas çlirimit, e zgjodhi për dy mandate me votë President të vendit.
Programi i tij politik e nacional për Kosovën e pavarur e demokratike, në të vërtetë u bë program i qytetarëve të vendit, për të marrë formën e testamentit politik, të cilin e tha deri në ditët e fundit të jetës: “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkimin Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”. Po është ky një vullnet i popullit, një përkatësi kulturore-historike dhe një miqësi-përkatësi politike.
Qysh tani po duket që trashëgimia politike e Rugovës, në të vërtetë testamenti i tij politik, është vizioni i këtij vendi për të ardhmen.
4. Besimi
“Jam një mysliman simbolik” i deklaron Rugova një gazetari të huaj.
“Lidhja jonë (LDK) është e fortë e nuk shprishet, sepse bazohet në besim”, ka përsëritur ai shumë herë.
Këto dy formula të Rugovës, që krijojnë një fundament të filozofisë së jetës e të shoqërisë, kanë qenë keqkuptuar madje edhe nga dijetarët e dinjitarët shqiptarë, keqkuptime që kanë shkuar deri në format ekstreme të përfundimit: Rugova është konvertuar fshehurazi!
Rugova besonte në Zot, këtë e ka shprehur me shkrim në dy formula poetike të falënderimit për lirinë dhe për jetën. Rugova kishte besim në njeriun dhe gjithë vepra e tij në fakt është një adhurim për njeriun. Mirëpo, Rugova dallonte në thelb religjionin nga besimi.
Çështjen mund ta shohim më të kapshme po të shoqërohemi me filozofin e sociologun Zhak Derrida (një hebre algjerian me shtetësi frënge), veprën e të cilit Rugova e ka njohur mirë.
Religjionet e Librit, religjionet abrahamike (ibrahimike): hebraike, krishtere, islame, kanë një bazë apo një trung të përbashkët (besimin në një Zot të vetëm). Dallimet janë të fushës së kulturës e të historisë fetare. Mirëpo asfarë raporti social nuk është i mundur pa besim. Nuk mund t’i drejtohesh tjetrit, çfarëdo religjioni të ketë, çfarëdo gjuhe a kulture, pa kërkuar që të ketë një besim. Ky besim është kredia për dialog dhe komunikim social. Sa më i fortë të jetë ky besim, lidhja, marrëveshja e mirëkuptimi janë më të forta.
Këtë fenomen fetar shpirtëror Rugova e shihte si cilësi e virtyt human (njerëzor) dhe si vlerë e domosdo kombëtare. Prandaj, Rugova i pranonte si festa shpirtërore njësoj Krishtlindjen e Bajramin, si kulturë e histori të besimit njerëzor e kombëtar. Pra jo (vetëm) religjioni, po (më fort) besimi merr vlerën unifikuese universale.
5. Elipsat
Është e habitshme se si një njeri që bëhet prijës i një lëvizjeje politike, madje i një populli, të përdorë një retorikë kaq të ngushtuar, ashtu si Rugova. Edhe më tepër, ai nuk e ngrit asnjëherë zërin dhe flet me të njëjtin tonalitet si në një bashkëbisedim, ashtu para turmave të dhjetëra-mijëra njerëzve.
Mesazhi i tij, qoftë politik, kombëtar a social, është më tepër sugjerues e sugjestionues sesa i zhvilluar apo i sqaruar nga argumente të racionalitetit. Shprehjet e tij marrin formën e elipsës, qoftë kur artikulon një empiri e përvojë jetësore të sojit tradicional kanunor: “Të gjallët me të gjallët”, “Shtëpia nuk mbahet pa miq”; qoftë kur jep fakte jetësore konkrete: “Pas lufte të gjithë jemi më pak”, “Falë Zotit e NATO-s Kosova është plot”; qoftë kur përmend qëllime e parime politike: “Në Ballkan të gjithë popujt janë të vegjël njësoj”, “Kosova e pavarur do ta qetësojë këtë pjesë të Evropës e të Botës”, “Pavarësia e Kosovës është kompromisi shqiptar”.
Kjo do të thotë që elipsa e tij nacionale, politike apo humane, përherë mbulon aq sa zbulon. Kjo është një formë e preferuar e komunikimit tradicional në Kosovë, prandaj gjuha e tij, që merr trajtën e formulës dhe duke u përsëritur merr karakterin e lutjes, bëhet lehtë e kapshme për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare të Kosovës.
Kjo mënyrë komunikimi e Rugovës, me ithtarët e vet e me qytetarët, është bërë efikase dhe e dashur, gjuhë identifikuese. Në një anë jep mesazhin themelor të pastër e të saktë pa zhurma retorike dhe në anën tjetër i jep mundësinë bashkëbiseduesit për të imagjinuar mesazhin e vet plotësues.
Duke pasur për bazë këtë mënyrë të komunikimit Rugova është cilësuar në mënyrë të saktë nga shumica: Ai thotë fjalë të buta, po ka qëndrime të forta. Kjo mënyrë komunikimi, si dhe një mall për jetën autentike e komunikimin autentik, i ka shtyrë të tjerët ta quajnë “Kolosi i brishtë” apo “Gandi i Kosovës”.
6. Shenjat
Duke i prirë lëvizjes politike e kombëtare për Kosovën e pavarur e demokratike, pra Kosovën si entitet politik - shtet, Rugova kishte menduar domosdoshmërinë e shenjave identifikuese të këtij shteti së bre¬ndshmi e së jashtmi.
Projekti i tij, sado i bërë me mend e mençuri, qoftë duke i shpalosur tepër kujdesshëm si shenja të tij, të prijësit, hasi në reagim joracional të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë po edhe në Shqipëri, ose me rebelim ose me përqeshje. Do thoshin se po nënçmonte flamurin kombëtar, të tjerë se po krijon shenja personale. Vetëm të diturit e të diturit politikisht e panë larg¬pamësinë e Rugovës, që projektonte shenjat e domosdoshme të shtetit të Kosovës e pranë tij e ruante flamurin kombëtar.
Përkrah flamurit, që stamponte vetvetiu edhe stemën, Rugova propozoi himnin e Kosovës, një këngë plot kumbim të kryengritësve të Kosovës.
Mbasi, flamuri e himni duhet të përmbajnë identitetin historik, kulturor e kombëtar të një vendi, zgjidhjet e Rugovës për shenjat e Kosovës janë të studiuara.
Flamuri ka yllin e Davidit e emrin e Dardanisë, gjithnjë duke ruajtur shqiponjën dykrenare në fushën e kuqe: për të shenjuar antikitetin historiko-kulturor të trollit të Kosovës dhe shenjat përdalluese të flamurit historik të Skënderbeut.
Kënga popullore “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” u propozua për himn të Kosovës, duke ndjekur një traditë që këngët kushtrimore apo marshet të bëhen himne, që është një skemë universale. Pokështu, për të theksuar kryengritjen si shenjë karakterizuese të ekzistencës shqiptare, që shkon përtej një kohe, dhe për të promovuar kryengritjen e revoltën për liri si hyrje universale në qytetërim modern.
Janë qytetarët e Kosovës, që do ta aprovojnë këngën kombëtare të vendit (himnin) dhe flamurin, mirëpo për të gjallë të tij e mbas shkuarjes së tij, zgjidhjet e Rugovës për shenjat e shtetit të Kosovës janë të dashura për shumicën e qytetarëve.
7. Pamja
Rugova ka pasur pamje dhe stil. Pamja (imazhi) i tij për dy decenie është bërë lehtë e njohur për shqiptarët dhe të tjerët kudo ku ka shkuar.
I drejtë në ecje, me një hap ritmik pak të zgjatur (trashëgimi e malësorit), me shtatin të drejtuar edhe kur është ulur.
Veshja me ngjyra të errëta, trikoja e kuqe, kravatat kryesisht me nuanca të kuqe, një thjeshtësi që tregon shije e elegancë do të thoshte Faik Konica. I hajthëm, do të thuhej gati dandy. Po ajo që kudo e ka bërë të veçantë ka qenë shalli i tij i mëndafshtë i lidhur në mënyrë të veçantë rreth qafës. Ky shall i tij është mitizuar qoftë duke u interpretuar si derivim i botës së tij poetike të hershme, qoftë i interpretuar si derivim i shallit tradicional rugovas për lindje, për jetë e për vdekje.
Është e veçantë që këtë pamje të Rugovës e kanë akceptuar admirueshëm edhe ata që janë veshur në saten e mëndafsh edhe ata që nuk i janë shkoqur zhgunit.
Ai ishte për të gjallë një ikonë e Kosovës, së brendshmi e së jashtmi.
I donte dhe i jepte me elegancë aristokratike dhuratat. Dhuronte libra, por më shumë gurë, kristalet e Kosovës (më shumë të huajve) për të dëshmuar kujdesin, po edhe pasurinë e vendit.
Një manierë mbretërore po hynte në lojë padiktueshëm në gjestin e tij. Kjo u duk më së forti në pritjen që i rezervoi Leka Zogut I kur po e dekoronte me medaljen e Lidhjes së Prizrenit. Në pamjet e në gjestet e marrjedhënieve e të dy burrave ka qenë pak e vështirë të veçohet cili është pretendenti për mbret, e cili princi i kurorëzuar.
Rugova mbreti i pakurorëzuar.
8. Miku
Ibrahim Rugova duhet me zemër e me mendje.
Po e them në të tashmen, se më vjen vështirë të flas në të kaluarën për mikun e prijësin Ibrahim Rugova.
Rugovën e njoha dhe u bëmë miq gati para katër deceniesh. I kishte flokët e gjatë e kaçurrel, që i binin mbi ballë; ishte poet e kritik letrar. Krijuam miqësi krijuese, saqë edhe shkruam libra bashkë. Këtë ndjenjë pajtimi e kuptojnë vetëm krijuesit, që mund të krijojnë një qerthull, madje një shkollë.
Para rreth dy deceniesh Rugova e la në plan të dytë meditimin krijues për t’u bërë në rend të parë veprues politik. Dhe prapë duhej të ishim bashkë. Rugova si prijës politik i Kosovës, më vonë edhe President i saj, u bë promotori i lirisë dhe i pavarësisë së saj. U bë Presidenti i gjithë neve dhe unë për vete e kisha edhe mik, edhe Kryetar.
Ai mbërriti, më fort se çdokush tjetër, që t’i dësh¬mojë botës se Kosova është Evropë gjeografikisht, historikisht e kulturalisht, dhe do të bëhet Evropë edhe politikisht, duke u integruar.
“Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-të, do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”. Kjo formulë, është një program politik e nacional i Ibrahim Rugovës dhe i Kosovës. Se ai ishte stilist, por fliste pak, për të punuar shumë.
Ibrahim Rugova u pohua, u kontestua dhe u ripohua fuqishëm për të gjallë të tij, duke mbijetuar dy decenie dramatike politike të vendit tonë. Rrallë ka personalitet që i mbijeton këto faza për së gjalli.
Nuk kam qenë parashikues, por vrojtues i fenomenit, kur e kam quajtur President historik të Kosovës, me çka tashmë pajtohen të gjithë.
Tani, cila është trashëgimia e Ibrahim Rugovës në Kosovë?
Toleranca, e jo egoizmi i çfarëdo lloji. Durimi e jo sedra jonë e hollë tradicionale. Trimëria e jo azginia, sepse e para e ka përcaktuese urtinë (mendjen), kurse e dyta shpërthimin e pamatur.
Ibrahim Rugova ishte tolerant, i durueshëm, trim i urtë. Ai e kishte mirësinë e Naimit dhe revoltën e furinë e Fishtës, ndoshta të dyjat të gjetura bashkë me herët te Pjetër Bogdani, me të cilin është identifikuar në jetë e në vepër.
Prandaj, është shpifje e madhe t’i mveshet atij e thëna që: të paditurit janë më besnikë, kurse të diturit janë më lojatarë. Ai e çmonte punën dhe konkurrencën që sjell vlerën, e jo llafologjinë e mediokritetin. Është punë tjetër që, duke kërkuar bashkëpunim me të gjithë, kërkonte të zbulonte e të ngjallte më të mirën te secili njeri, sepse në udhën për fitore të përbashkët nuk kishte njeri për të humbur.
Kështu e tha ai, si prijës e si misionar i lirisë së vendit të tij. Në figurën e tij ishte dhe është vullneti i popullit, i cili nuk mundet asnjëherë.
9. Ikona
Ibrahim Rugova për të gjallë ka mbijetuar të gjitha sprovat e individit krijues e veprues në shoqërinë shqiptare. Kështu ai hyri në vallen e krijimit të modelit të krijuesit, që bëhet prijës kulturor e politik, madje prijës shpirtëror. Në këtë vështrim, ai u bë model i prijësit të popullit e të vendit të robëruar dhe i obsesionuari i lirisë.
Pra, për të gjallë, Rugova kishte provuar pohimin, madje adhurimin, mandej kundërshtimin e mohimin, për të arritur në fund ripohimin, madje adhurimin e sërishëm. Kjo është një histori e re në shoqërinë e Kosovës dhe në botën shqiptare të modernitetit. Prej këndej identifikimi me gjestin e tij ishte më tepër se empirik dhe besimi në të (si çdo besim) ishte përtej reales. Njerëzit i janë falur e përfalur atij pa ngurrim.
Këtë marrje e dhënie me njerëzit, më tepër në fushën shpirtërore sesa në fushën praktike, Rugova e mbante me gjeste e shenja të vetat, që shpejt bëheshin edhe shenja të të tjerëve. Në këtë mënyrë, komunikimi që shkon kah identifikimi, nga fusha shpirtërore kaloi në fushën ikonografike.
Rugova, mengadalë, nga prijësi u kthye në figurë të identitetit kulturor, politik e shpirtëror të Kosovës në botën shqiptare dhe përtej saj, në rajon e gjetiu.
Rugova, tanimë, është ikona e pavarësisë së Kosovës. Ata që do të punojnë për këtë qëllim do ta kenë parasysh pamjen e tij apo në zemra dashurinë e tij.
Ai, kolosi i brishtë, është rritur në përmasat e babait, kurse babai pothuaj kurrë nuk i shtrohet vështrimit kritik të trashëgimtarëve.
10. Trashëgimia
Shuarja e Ibrahim Rugovës më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe qindra-mijëra njerëz që, në dekadën e fundit të këtij muaji të acartë, kishin pushtuar Prishtinën për të nderuar prijësin dhe për t’ia dhënë lamtumirën, kanë dëshmuar që ai nuk ishte më vetëm Presidenti (historik) i Kosovës, po mbi të gjitha udhëheqësi shpirtëror i një populli.
Ky fenomen, që atë ditë, ka shtruar çështjen e trashëgimisë së tij politike dhe pyetjen si u krijua kjo trashëgimi.
Përgjigja themelore mund të gjendet nëse mund t’i përgjigjet pyetjes si ndodhi që një intelektual, një akademik me pamje të brishtë e delikate, të dalë në krye të një lëvizjeje të madhe popullore. Kjo mandej do të shtrojë pyetje të tjera për të kërkuar përgjigje të reja, që do t’i japë koha në vijim, ashtu dhe njëmendësia shqiptare e Kosovës.
A erdhën shqiptarët në nivelin që të kurorëzojnë udhëheqës njeriun e dijes e të shpirtit, përpara njeriut të veprimit?
A ndërroi pamja tradicionale karakterizuese e shqiptarëve nga njerëz kryengritës në njerëz që krijojnë paqen?
A ishte kjo strategji e vetme, që duke njohur rrethanat kulturo-historike, një popull të robëruar e kishin mësuar se si të gjendet rruga kah liria, me më pak flijime?
Ndoshta përgjigja ndodhet vetvetiu në natyrën dhe në programin e lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, një vizion që mbështetet në realitet. Formulimi kundërshtues ndoshta më së miri shpërfaq një ide të lirisë e të bashkimit shqiptar, që është idealiteti, të përkthyer në kompromisin shqiptar të pavarësisë së Kosovës si realitet.
Strategu dituror Rugova, duke i prirë lëvizjes dominante shqiptare, në të njëjtën kohë e maste fuqinë dhe qëndrueshmërinë, substancialitetin për të kapur zgjidh¬jen më të mirë. Në këtë formë ai u jepte fuqi lëvizjes së vet dhe individëve duke vlerësuar sa më realisht mundësinë dhe fuqinë e tyre konkrete e jo virtuale, ideale.
Prandaj, ai, edhe pse prijës, u bë i ngjashëm politikisht, për të mos thënë identik, me anëtarët, individët e lëvizjes së tij dhe qytetarët. Prandaj, lidhja e tij me ta ishte një lidhje e besimit dhe identifikimit; si do të thoshin latinët: të ngjashmit duhen ndërvete.
Rugova shkoi një hap më tutje: këtë vullnet e përktheu në zë institucional, për të krijuar vetëres¬pektin së mbrendshmi dhe respektin së jashtmi, për lëvizjen e programin e tij.
Lëvizja e fortë e Rugovës, një lëvizje nacionale, po e shfaqur me fjalor modern politik të kapshëm për gjuhën diplomatike botërore, aq sa e forcon atë së mbrendshmi, për aq ia rriti atij autoritetin së jashtmi.
Në këtë mënyrë Ibrahim Rugova u bë figura më e njohur e Kosovës në botën ndërkombëtare të të gjitha kohëve. Ai u bë përfaqësuesi më i pranueshëm që artikuloi vullnetin e një populli të shtypur për liri dhe këtë artikulim e bëri me durim, me maturi e finesë.
Tani që ai nuk është më, trashëgimia e tij politike është një program që pret të bëhet vepër, jo vetëm për ta bërë Kosovën shtet, por për të bërë vend demokratik e të shanseve të barabarta. Trashëgimia politike rugoviste ka parasysh që në Ballkan edhe në shtetet e pavarura do të jetë e pranishme, madje e gjallë, lufta ndërmjet satrapëve e demokratëve. Kjo madje është provuar në mënyrë të egër në tri përmbysjet historike shqiptare të shekullit njëzet.
Trashëgimia politike e Rugovës do të kërkojë që përfundimisht pësimet të bëhen mësime, po para së gjithash që mësimet të parandalojnë pësimet. Programi i tolerancës, përballë egërsimit politik apo social, sado pedagogjik e naimian, mbetet modern dhe rugovian edhe për shqiptarët dhe Kosovën në shekullin XXI.
Mbrojtja është sulmi më i mirë.
IV. KUJTESA
1.
Si të flas për mikun kur nuk mund ta pranoj shkuarjen e tij?
Si të flas për krijuesin kur nuk janë shpaluar të gjitha idetë e tij?
Si të flas për prijësin kur vijon vizionin e tij?
Pra duhet të flas për Ibrahimin, për Ibrahim Rugovën e për Rugovën. Për tri Unë që bëjnë Një.
2.
Ibrahimi (se ne miqtë e kemi thirrë gjithnjë Ibrahim) nuk e ka njohur babën që ia kanë pushkatuar kur ishte foshnjë; iu ka përkushtuar dashurisë së nënës dhe është rritur me kodin e fisit, gjakut.
Në shkollë shkon në moshë më të madhe se shokët dhe përgjithnjë mbetet një kokë më i lartë se ata. Prej këtu hija që të luajë mësuesin e tyre, që nga fillorja deri në studime.
Ai mblodhi myshkun e malit për të blerë libra dhe preu drurin e malit për të bërë libra. Se kishte ngritur kultin e dijes e libri mbeti përgjithmonë burim i dijes së tij. Pra ai foli pak e njësoj lehtë si për pjekjen e bukës, si për pimjen e ujit, si për dhimbjen e zemrës. Gjithnjë i dashur, madje i dashuruar; tepër i butë për t’u pushtuar, tepër i çiltër për t’u mundur.
Kishte fjalë të pakta e të rralla me shumë asociacione, por kurrkush nuk ka mundur t’i bëjë rezistencë sidomos heshtjes së tij.
Ndoshta ka qenë i bërë për t’u adhuruar sidomos nga kundërshtarët e tij, që i ka mundur me buzëqeshjen e tij. Ky është paradoksi i parë i madh, por të mos harrojmë që jemi në botën shqiptare.
3.
Ibrahim Rugova ka nisur krijimin letrar me lirika intime meditative, kurse shkrimin kritik me një portret të Ismail Qemalit. Ka përkthyer përvajshëm vjershat e Jeseninit. E ka njohur e dashur prozën e Dostojevskit, mandej poezinë e Bodëlerit e prozën e Prustit, mandej prozën e Kafkës e në fund Xhojsin.
Sa për letërsinë shqipe, ajo është djepi në të cilën është rritur. Një herë duke e lexuar me dashuri, herën tjetër duke e studiuar me përkushtim. Ai nëpërmjet empirisë personale mbërrin te metoda, simbas rendit: prekje lirike, kah teoria deri te refuzimi estetik. Prandaj metoda për të është jo doktrinë, por disiplinë për të provuar hapur kërkimin letrar empirik.
Kërkimi i tij letrar nis nga bashkëkohësia për të shkuar më thellë në të shkuarën. Nga krijuesit e brezit të vet ai arrin te Anton Pashku e Ismail Kadare, nga këta te Naimi e Fishta e nga këta te Pjetër Bogdani, madje në fund te Gjon Buzuku. Jo vetëm se interpretimi shkon pas letërsisë, po pse letërsia është kulturë e trashëgim dhe duhet të shkohet nga degët te rrënjët. Ky është paradoksi i madh i dytë. Prandaj studimi i tij Vepra e Bogdanit (ndoshta kryevepra e tij) e lexon një tekst të kaluar si një tekst të tashëm.
Kjo lidhje e degës me rrënjën, e modernitetit me lashtësinë, provohet në sprovimet e tij të fundit: e kena (e qenmja) shqiptare e gjetur tek Zgjimi i Fineganit i Xhojsit ndërlidhet nëpërmjet shqipes me koncepte të Aristotelit.
Projekti i tij i pambaruar, mbetur në nivel të skicës, ka të bëjë me antikitetin arkishqiptar.
Po përsëris: Ibrahim Rugova metodën e shihte si strukturim të shumë zërave, të polifonisë.
4.
Rugova këtë metodë e kishte për bazë kur kaloi nga krijuesi te vepruesi, atëherë kur u bë prijës i lëvizjes kulturore e politike për lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës. Dhe këta zëra, kjo trini është një dhe u bë e kapshme e funksionale për një popull të tërë: që nga ai që ndien, deri te ai që mendon dhe analizon. Dhe ky është paradoksi i madh i tretë.
Përndryshe si mund të shpjegohet, që një njeri që nuk ka asfarë instrumenti tjetër, pos besës së fjalës, të ngjallë forcën dhe vetërregullimin e një populli të dërmuar nga egërsia e dhuna e tjetrit.
Interpretimi i këtij fenomeni si pacifizëm klasik është moskuptimi dhe gabimi më i madh, sepse te Rugova kishte vdekur pacifizmi që ditën kur e la krijimin e iu vu veprimit. Çështja kishte të bënte me taktikën e strategjinë për të shpëtuar një popull dhe për ta çuar deri te liria duke ringjallur besimin në vete.
Sepse Rugova tha:
1. “Do ta bëjmë pajtimin e brendshëm”, duke njohur mëritë, sedrën dhe egërsitë shqiptare;
2. “Në Ballkan popujt janë përafërsisht të njëjtë (si numër)”, për të theksuar baraspeshën në rajon;
3. “Kosova e integruar në BE e NATO me miqësi të përhershme me SHBA”, për të theksuar një të kaluar e një vizion si domosdoshmëri.
Në këtë vështrim trinomi; liri, demokraci, pavarësi për Kosovën, me një pamje ndërkombëtare, në të vërtetë ishte një program i ndërmjetëm nacional, dhe i akceptueshëm nga të tjerët. “Pavarësia e Kosovës i qetëson shqiptarët dhe rajonin”, ishte formula e fundit e Rugovës, një nga ato thëniet e tij të përsëritura, që dikur kanë marrë trajtën e lutjeve, apo të fjalëve të urta, që lindin si mbetje esenciale fjalësore mbas një ndodhie a një tregimi.
Trashëgimia e tij politike mbetet të sprovohet rëndë në rrafshin e jetës reale në Kosovë.
5.
Mbasi Ibrahimi është njeriu e miku, Ibrahim Rugova është shkrimtari e Rugova është prijësi politik; cili është personaliteti kulturor e historik që e bën një këtë trini?
Vetë kam shkruar që Ibrahimi është një Njeri, mandej kam shkruar që Ibrahim Rugova është promovues i modernitetit në letërsinë e në kulturën shqiptare, mandej pata shkruar që Rugova është Presidenti historik i Kosovës. Kurrkush hapur deri më sot nuk i ka kundërshtuar këto pohime.
Po të përdornim metodën rugoviane për të, do të thonim që në fillim Rugova ishte Vetvetja. Më thellë bëhet i ngjashëm me Ismail Qemalin që ngriti flamurin. Edhe më thellë i ngjashëm me Naimin që predikonte mirësinë universale në një situatë të egërsimit e i ngjashëm me Fishtën në përmbysjen e së keqes për hir të humanitetit e të idealizmit kombëtar. Dhe së fundmi i ngjashëm me Pjetër Bogdanin (autorin e personalitetin e tij të preferuar), që bashkonte predikimin e mirësinë, rebelimin e përkushtimin për lirinë.
Rugova, si Bogdani, pushon në Prishtinë, në Bregun e Diellit, i mbështjellë me flamurin e vet, të Dardanisë antike.
Një nxënës i tij indirekt, së voni e ka quajtur shekullin tonë shekull të Rugovës. Do të jetë fat për Kosovën e për shqiptarët nëse shekulli XXI është shekull i Rugovës.
Mbasi ai u bë ikona e tolerancës, e lirisë dhe e pavarësisë për Kosovën dhe për Botën që e njohu.
6.
E përmenda në fillim dhe po ritheksoj në fund që nuk pretendoj të them të vërtetat absolute (që nuk mund t’i përthekoj), por mund të them vetëm të vërtetën time dhe dëshminë time.
7.
E vërteta e dëshmia për mikun vjen gjithmonë nga zemra.
2007







All the contents on this site are copyrighted ©.