2013-01-21 17:16:13

Historia e themelimit të institucioneve kishtare në Kalabri


Pa hyrë në hollësirat historike të formimit të ngulimeve arbëreshe në Itali, po ndalemi posaçërisht tek historia e themelimit të institucioneve kishtare në Kalabri. Këto institucione nisën që në kohën e Kuvendit te Arbërit (1703). Mënjëherë pas tij, arbëreshët e Kalabrisë dhe të Sicilisë themeluan dy seminare, të cilat patën ndikim vendimtar mbi jetën kulturore, shpirtërore dhe kishtare të arbëreshëve. U emëruan gjithashtu dy ipeshkvij, një për Kalabrinë dhe një për Sicilinë, gjë që ndikoi fuqimisht në gjallërimin e ndërgjegjes etnike dhe fetare, duke siguruar kështu një mbështetje të fortë për ruajtjen e identitetit të Kishës shqiptare në Itali.
Seminari i Kalabrisë u themelua në Shën Benedeto Ulano nga Papa Klementi i XII me bulën “Inter Multiplices” (11 tetor 1732). Bula i përmend shkoqur shqiptarët, të cilët i quan “italo-shqiptarë”, të ardhur nga “Epiri” dhe thekson se kanë nevojë për kolegje “kombëtare”, nga që shqiptarët “për shkak të ndryshimit të ritit e të gjuhës”, nuk përfitonin shumë në seminaret latine që ndiqnin. Klementi i XII kujton Klementin XI, Papën me origjinë shqiptare nga familja Albani e Urbinos i cili, më 1793, mblodhi Koncilin I të Shqiptarëve (Kuvendin e Arbënit). Në Bulë thuhej: “Ne, duke dashur të marrim masat paraprake për edukimin e mirë dhe të saktë të të rinjve të lartëpërmendur (italo-shqiptarë), siç bënë paraardhësit tanë, posaçërisht i ndjeri Klementi XI, mendojmë që asnjë masë paraprake nuk është më e nevojshme se ngritja e një Kolegji të ritit grek në Ullano, për edukimin e djelmoshave të Epirit…”. Që në vitin 1750, historiani Angelo Zavarroni, pati shkruar një histori të dokumentuar mirë. Vepra ka dy pjesë. Në të parën, që nis me disa paragrafe mbi ardhjen e Shqiptarëve në Itali, përshkruhet historia e themelimit të Kolegjit Korsini.
Rëndësi të dorës së parë pati edhe caktimi i ipeshkvit. Bashkësitë e shqiptarëve – ndonëse me traditë bizantine – mbeteshin gjithnjë nën jurisdiksionin e ipeshkvijve italianë-latinë të dioqezeve të ndryshme, në të cilat ishin të shpërndarë. Prelatët në fjalë nuk njihnin as traditën fetare, as gjuhën dhe as zakonet e shqiptarëve. U studiua mundësia për të krijuar dioqeze ose të paktën për të emëruar ipeshkëvij sufraganë. U zgjodh rruga më pak impenjative: ajo emërimit të ipeshkëvijve të shuguruar, që do të kishin detyrën të shuguronin kandidatët e ritit grek, të krezmonin besimtarët e këtij riti dhe të drejtonin Kolegjin.
Ipeshkvi ordinar për Kalabrinë u krijua nga Klementi XII me Bulën “Superma disposizione” më 10 qershor 1735, ndërsa për Sicilinë, me Bulën “Commissa Nobis”, më 6 shkurt të vitit 1784.
Me këto institucione kishtare dhe kanonike njihej zyrtarisht Kisha shqiptare në Itali, me identitetin, të drejtat dhe detyrat e saj: si bashkësi me shkollat e veta teologjike (Kolegji Corsini mund të jepte diploma në filozofi e teologji), me ipeshkvijtë e vet, me të drejtën e vet kanonike në Kushtetutën “Etis Pastoralis”, shpallur nga Benedikti XIV më 1742. Gjithë kjo ndodhte në shekullin XVIII, ndërsa nga pikëpamja civile, vetëm në vitin 1999 Parlamenti Italian nxori një ligj që njeh pakicat gjuhësore dhe historike shqiptare.
Historiografia e kohës dha një ndihmesë të madhe për përforcimin e vetëdijës të identitetit kulturor dhe kishtar të italo-shqiptarëve. Kontribut të posaçëm solli “Historia e Ritit Grek në Itali”, me tri vëllime (1758, 1760, 1763), vepër e Pietro Pompilio Rodotà. Vëllimi i tretë merret me historinë e ardhjes dhe të vendosjes së shqiptarëve në Itali. Për këtë vetëdije kemi dëshmi të shkruara para dhe pas historisë së Rodotà-së, siç e dëshmon shënimi i imzot Zef Schiroit (1742) dhe Përgjigjja e Filaletit (1795) drejtuar argjipeshkvit Kardamone të Rozanos.
Figurat që u dalluan në këtë kohë, si Rodotà e Jul Variboba ( 1725- 1788) në Kalabri; Pal Maria Parrino (1710-1765), Nikollë Keta (1742-1803). Gjergj Guzeta (1682-1756) në Sicilí e të tjerë, vunë në dukje ekzistencialisht Kishën shqiptare në Itali. Bëhet fjalë për personalitete kulturore e fetare, që e bënë të qëndrueshme traditën kishtare shqiptare në Itali. Ndërmjet tyre u dallua Atë Gjergj Guzeta, meshtar që jo vetëm e predikoi, por kryesisht e jetoi Ungjillin, çështja e lumnimit të të cilit është në vijim.
Shekulli XX është një epokë e rëndësishme realizimesh: nisën të vihen në jetë frymëzime të ndryshme historike të Italo-Shqiptarëve. Tri janë shprehjet më simbolike: krijimi i tri rretheve kishtare bizantine: heparkia e Lungros (1919), ajo e Piana dei Greci (1937), e cila më 1940 mori emrin Hora e Arbëreshëve; si dhe ngritja e Ekzarkatit të manastirit të Grottaferratës (1937); krijimi Seminarit greko-shqiptar "Benedikti XV", i përbashkët për shqiptarët e Kalabrisë e të Sicilisë (1919) dhe kremtimi i Sinodit të parë ndërherparkiak (1940), i cili u kremtua në Abacinë e Grottaferratës nga data 13 deri më 16 tetor 1940, me pjesëmarrjen, si vëzhgues, të disa anëtarëve kishtarë e shekullarë të Kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë, përtëritja arkitektonike dhe ikonografike; përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në liturgji (1968) dhe përgatitja e Sinodit II Ndërheparkial (2004).
E gjithë kjo na bën të kuptojmë qartë njohjen kanonike të identitetit shqiptar e bizantin të bashkësisë arbëreshe. Në këtë shekull Kisha ndër shqiptarët e Italisë pa të krijohen strukturat e saj themelore (dioqezet e sinodin), që fuqizojnë bashkimin e saj shpirtëror e veprues.
Gjuha shqipe në kult (1967)
Kisha italo-shqiptare vijoi ta kremtonte liturgjinë në gjuhën greke, ashtu siç bënte para se të mërgohej në Itali. Kishin hyrë, megjithatë, kremtimet paraliturgjike në shqip, (si kalimerat e Jul Varibobës) dhe liturgjia, në raste të veçanta, kremtohej në gjuhën shqipe ( më shpesh në Sicili se në Kalabri ). Idetë e Koncilit II të Vatikanit (1962-1965) ndihmuan që të merrej vendimi nga ana e Ipeshkvijve italo-shqiptarë e nga Kongregata Lindore, për përkthimin e tekstit të Liturgjisë Hyjnore, shtypur nga Tipografia e Vatikanit në vitin 1967 në dy botime: greko-shqiptar e greko- italian73. Në vijim heparkia e Lungros publikoi, në një botim trigjuhësh (greke-shipe-italiane) akolouthie-n e sakramenteve.
Më 23 prill të vitit 1968, me rastin e kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skanderbegut, u kremtua Liturgjia Hyjnore e Shën Gjon Krizostomit në bazilikën e Shën Pjetrit udhëhequr nga tre ipeshkvijtë. Më 6 gusht të të njëjtit vit, ipeshkvi i Lungros publikoi një dekret për përdorimin e gjuhës së folur në liturgji, orientim i ripohuar nga Asambleja eparkiale e Lungros (1995-1996) për Shqiptarët e Kalabrisë.

Marrë me shkurtime nga studimi i monsinjor Eleuterio Fortinos “KISHA NDËR SHQIPTARËT E ITALISË; NGA KUVENDI I ARBËRIT (1703) TEK KUVENDI I ARBËRESHËVE (2004) (Hipoteza të punës për një histori të Kishës shqiptare në Itali).







All the contents on this site are copyrighted ©.