2013-01-21 14:20:17

Atë Federiko Lombardi: “Kundër armëve” për të rivendosur paqen


Në studion ovale, para tryezës së presidentit Barak Obama, ndodhet një portet i Abraham Linkolnit, presidentit që i shpëtoi shpirtin Amerikës. Ndërsa kinematë mbushen me filmin e regjizorit Stiven Spilberg për atë, që zhduku skllavërinë e zezakëve amerikanë dhe mbajti të bashkuar kombin pas luftës së përgjakshme civile, SHBA diskutuan me zjarr për një argument, që ka të bëjë shumë pikërisht me shpirtin e amerikanëve.
Javës që kaloi, nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Obama nënshkroi 23 dekrete për të ndaluar armët automatike dhe karikatorët e plumbave me mbulim të madh, por edhe për të kontrolluar identitetin e atyre, që i blejnë. Shumë nga shtetet amerikane nuk janë dakord, të vendosur ta mbrojnë deri në fund në Kongres, ligjshmërinë e armëmbajtjes e të përkrahur nga lobet e fuqishme të tregtisë së armëve, që nuk u prekën aspak nga vrasja e 20 fëmijëve në shkollën e Njutaunit, pikërisht me njërën prej këtyre armëve, mbajtur, pa dyshim, me leje. Këtij debati ia kushton komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Nismat e administratës amerikane për kufizimin dhe kontrollin e përhapjes e të përdorimit të armëve janë, natyrisht, një hap në drejtimin e duhur. Vlerësohet se amerikanët zotërojnë sot rreth 300 milion armë zjarri. Askush s’mund ta gënjejë veten, duke menduar se mjafton të kufizohet numri dhe përdorimi, për të penguar masakra të ardhshme të tmerrshme, si ajo e Njutaunit, që tronditi ndërgjegjen amerikane e botërore e, të tjera si ajo, ku mund të përfshihen fëmijë e të rritur. Por edhe më keq do të ishte të kënaqeshim vetëm me fjalë. E pavarësisht se këto masakra bëhen nga njerëz të çekuilibruar e të shpërfytyruar nga urrejtja, s’ka dyshim se bëhen me armë. 47 krerë të feve të ndryshme u bënë thirrje deputetëve amerikanë të kufizojnë armët e zjarrit, që “po e bëjnë shoqërinë të paguajë një çmim të papranueshëm, me masakra e viktima pa kuptim”. Edhe unë jam me ta.
Por, ndërsa shoqëria amerikane impenjohet në këtë debat për zhvillimin e duhur civil e moral, nuk mund të mos e shtrijmë horizontin, për të kujtuar se armët, në të gjithë botën, edhe pse pjesërisht mjete për mbrojtjen e ligjshme, janë sigurisht mjeti kryesor për kërcënime, dhunë e vdekje. Prandaj, duhet t’i përsërisim pa u lodhur kurrë thirrjet për çarmatim, të kundërshtojmë prodhimin, tregtimin, kontrabandën e armëve të çdo lloji, që ushqehen nga interesa të padenja ekonomike e politike. Nëse arrihen rezultate, si nënshkrimi i konventave ndërkombëtare, ndalimi i minave kundër njeriut dhe i formave të tjera të armëve vdekjeprurëse, reduktimi i numrit të jashtëzakonshëm e të shpërpjestuar të armëve bërthamore… mirëse të vijnë! Por armët janë e do të jenë gjithnjë tepër. Siç thoshte Papa, duke udhëtuar drejt Libanit, të gjithë tronditemi nga masakrat në Siri, por armët vazhdojnë të mbërrijnë. Paqja lind nga zemra, por do të jetë më e lehtë të arrihet, nëse do të kemi më pak armë nëpër duar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.