2013-01-21 15:46:37

Al Kaeda merr përsipër vrasjen e pengjeve në Algjeri e kërcënon Perëndimin


Al Kaeda merr përsipër masakrën e In Amenas në Algjeri, e cila përfundoi pas ndërhyrjes së forcave ushtarake algjeriane, me një blic, që ka shkaktuar debate në Perëndim. Bilanci i viktimave është i pasigurtë. Sipas qeverisë algjeriane, janë vrarë 23 pengje e 32 islamistë, ndër të cilët, dy terroristë ishin me pasaportë kanadeze. Sipas televizionit privat Ennahar, numri i viktimave të pafajshme ka arritur në 48, ndërsa për gazetën El-Vatan, në gjuhën frënge, ato janë 53.
Sulmi kundër impiantit të përpunimit të gazit në In Amenas dhe vrasja e pengjeve u mor përsipër dje nga Al Kaeda, përmes një videoje në internet. Foli shehu Mokhtar Belmokhtar, i brigadave Mulathameen, të cilat kërcënojnë se do të godasin edhe vendet perëndimore, nëse forcat franceze nuk tërhiqen nga Mali.
Pikërisht në këtë front, trupat franceze dhe ato lokale hynë në Xhabali, qytet në qendër të vendit, në dorë të salafitëve që prej një jave. Gjithashtu, po bombardojnë Gaon dhe Timbuktunë. Në planin politik, pritet konferenca ndërkombëtare mbi krizën maliane, e cila do të mbahet më 5 shkurt, me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian, Bashkimit Afrikan, Ecowas(Bashkimi Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore) dhe OKB-së. Për një analizë të gjendjes, të dëgjojmë ekspertin italian për Afrikën e Veriut, Luçano Ardezi:
Që nga fillimi i viteve 2000, ekzistonte një bërthamë e vendosur terrorizmi islamik, që pati kaluar nga Algjeria në jug të saj, si në Saharën algjeriane, ashtu edhe në Saharën e Malit e të Nigerit, e cila kontrollohet me shumë vështirësi. Këtu, ky grup u rrit, edhe falë përkrahjes së rrjeteve të kontrabanës, të trafikut të drogës, të njerëzve e të armëve. Risia qëndron këtu: me dështimin e shtetit të Malit, në veri të vendit nuk pati më asnjë formë kontrolli, pavarësisht se është një zonë strategjike, ndërmjet Algjerisë, Mauritanisë dhe Nigerit e natyrisht, ndikon edhe mbi Saharën e Sahelin. Gjatë muajve të grushtit të shtetit në Mali, grupet terroriste u fuqizuan me forca të reja, që vinin nga Libia, ku Gedafi pati stërvitur trupa për destabilizimin e vendeve fqinjë. Rezultatin e këtij bashkimi e kemi para syve.







All the contents on this site are copyrighted ©.