2013-01-19 13:03:38

Patriku siro-katolik Junan: të krishterët e Lindjes së Mesme, pa të drejta njerëzore e në vështirësi të rënda


“Mos ikni nga Lindja e Mesme!”. Është thirrja, që patriku siro-katolik Josif Junan, këto ditë në Romë, u bëri të krishterëve të këtij rajoni, zonë kjo, që vitet e fundit u përfshi nga pranvera arabe, me pasoja të rënda mbi jetën e shumë njerëzve. Lidhur me këtë, patriku siro-katolik Josif shprehu shqetësimin e tij për shkeljen e të drejtave të njeriut si dhe për kushet, në të cilat jetojnë pakicat fetare. E intervistuam:

Përgjigje: - Ne, të krishterët e Lindjes së Mesme, po kalojmë fazën më kritike të historisë së Kishës sonë e të të gjitha Kishave sepse, pavarësisht nga ç’thuhet për pranverën arabe, në të janë harruar pikërisht të drejtat njerëzore.

Pyetje: - Ç’mund të bëjnë bashkësitë e krishtera të perëndimit, përveçse të luten? A ndjehet afërsia e Papës?

Përgjigje: - Po. Ati i Shenjtë na bekoi shtatorin e kaluar, kur vizitoi Libanin. Na bëri thirrje ta jetojmë këtë lidhje solidariteti në liri e vërtetësi, që të gjithë popujt e Lindjes së Mesme të mund të jetojnë së bashku, me të drejta të plota qytetarie. Prej këndej, ne, të krishterët e Lindjes së Mesme mbështetemi shumë në lutjet dhe në solidaritetin shpirtëror të vëllezërve e motrave tona të Kishave perëndimore, duke u kujtuar se duhet të jenë guximtarë e t’i mbeten besnikë parimeve e vlerave të krishtera.

Pyetje: - A ka shpresa për të krishterët e Lindjes së Mesme, apo aktualiteti, për shembull, konflikti sirian, po e kushtëzon situatën?

Përgjigje: - Situata në Siri është katastrofike. Vuan populli, jo regjimi, jo ata që financojnë lëvizjet e opozitës. Shumë njerëz të pafajshëm vriten, plagosen, ikin nga vatrat. E ne mund të japim dëshmi për këtë, jemi në lidhje të ngushtë me ipeshkvijtë tanë, me besimtarët. U bëjmë përsëri thirrje njerëzve të pushtetshëm të Perëndimit të ndërmjetësojnë për paqen e pajtimin. Të gjithë, siç thotë Ati i Shenjtë, duhet të heqim dorë nga dhuna, për të gjetur pikat e pajtimit, të dialogut, e për ta shpëtuar vendin.

Pyetje: - Një muaj më parë, në Bagdad, u përurua katedralja siro-katolike, kushtuar “Zonjës së ndihmës së përhershme”, teatër, më 31 tetor 2010, i masakrës së kryer nga një komandë e Al Kaedës, gjatë së cilës humbën jetën rreth 50 besimtarë. Më duket se ky përurim simbolizon ringjalljen e Kishës irakiane…

Përgjigje: - Përpiqemi ta ringjallim frymën e shpresës në gjirin e besimtarëve tanë, që të rrinë në vendin e tyre e në qytetet e tyre. Kërkuam nga qeveria irakiane të bëjë më shumë, që të krishterët ta ndjejnë veten në vend të tyre, si qytetarë të vërtetë, me të drejta të plota, sepse të gjithë kanë të drejtë të respektohen, duke nisur nga feja, etnia e përkatësia.

Pyetje: - Një koment për Egjiptin, ku Vëllezërit myslimanë vunë dorë mbi kushtetutën, duke bërë një kthesë që u pasua nga shumë kritika….
Përgjigje: - Demokracia e vërtetë nuk është vetëm numerike. Vëllezërit myslimanë përpiqen të tregojnë se janë demokratë, se i respektojnë të tjerët, por për fat të keq, kjo nuk është e vërtetë. Derisa të mos kemi një qeveri që i jep Cezarit atë që i përket Cezarit e Zotit, çka është e Zotit, do të krijohen gjithnjë probleme, sepse Islami nuk ka vetëm një konfesion, e as një interpretim të vetëm të sharisë, ka disa. Si barinjt të Kishës, nuk duam të hyjmë në çështje politike, por detyra jonë është të mbrojmë të drejtat e të gjithëve. Të krishterëve të Lindjes së Mesme u them: “Rrini aty ku jeni, përpiquni ta ndryshoni sistemin me rrugë demokratike e kini guxim në përpjekjen për njohjen e të drejtave tuaja, me shpresën se e vërteta fiton gjithnjë e mbi gjithçka tjetër”.







All the contents on this site are copyrighted ©.