2013-01-18 18:56:10

Çështja e Dalitëve, në qendër të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve


Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që filloi më 18 janar, sivjet na fton të reflektojmë për temën e shkëputur nga Libri i Mikesë profet: “Çka kërkon Zoti nga ne”. Përgatitja e teksteve iu besua një grupi studentësh të rinj indianë, që kujtojnë posaçërisht padrejtësitë kundër Dalitëve, të ashtuquajturve ‘jashtë kaste’.
Në Indi pothuajse 80% e të krishterëve, kujtohet në tekstin e hartuar nga studentët indianë, janë me origjinë Dalitë. E në të gjithë vendin Dalitët lihen plotësisht mbas dore, duke nisur nga përfaqësimi i tyre politik, fare i pandjeshëm, për të vijuar me shfrytëzimin ekonomik e nëpërkëmbje të tjera, të të gjitha llojeve.
Koment i atë Jozef Jadhav, jezuit me origjinë Dalit, pedagog i sociologjisë dhe i doktrinës shoqërore të Kishës në Universitetin Papnor Gregorian:
“Është një politikë e mirëpërcaktuar, pas këtij diskriminimi. Kur diskriminohen politikisht, nuk merret parasysh numri i të krishterëve, sepse ky numër është shumë i ulët. Në aspektin shoqëror, janë gjithnjë tejet të diskriminuar, sepse njerëz të paintegruar në shoqëri. Ekonomikisht, kur bëhen të krishterë, i humbasin edhe ato pak privilegje, që kanë Dalitët e tjerë. Për t’u dhënë fund të gjitha diskriminimeve, mund të bëhet vetëm një gjë: të investohet në fushën e arsimit. T’u jepet ndihma për shkollimin e nevojshëm, gjë që pastaj u hap rrugën për t’u integruar plotësisht në radhët e shoqërisë”.
Padrejtësitë, që u bëhen Dalitëve, vërehen jo vetëm në shoqërinë indiane, por edhe në gjirin e bashkësive të krishtera. Përsëri atë Jadhav:
Është shumë e çuditshme, sepse sipas Ungjillit, jemi të gjithë vëllezër, e megjithatë, vijojmë ta konsiderojmë veten përfaqësues të kastave e të gëzojmë edhe privilegjet përkatëse. Ka të krishterë të kastave të larta, që nuk duan t’ia dinë fare për të krishterë e kastave të ulëta. E i pranojnë të gjitha privilegjet, që të krishterët Dalitë nuk mund t’i kenë. Ky është realiteti i bashkësisë së krishterë në Indi. Kastat ndjehen fort edhe në Kishë. Duhet përballuar një situatë e tillë, për të cilën nuk flitet haptas. Por, flitet a nuk flitet, duket qartë në mënyrën si sillen këta njerëz, që e mbajnë veten të krishterë”.Sistemi i kastave, ashtu si aparteidi, racizmi e nacionalizmi, është fenomen, që krijon pengesa të mëdha për unitetin e Kishës në Indi e, prej këndej, edhe për dëshminë e saj, si korp i vetëm i Krishtit. E me qenë se krijon përçarje edhe brenda Kishës, sistemi i kastave nuk mund të mos jetë edhe problem doktrinor. Duke e parë problemin e unitetit të të krishterëve me këtë sy, sivjet, gjatë Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, besimtarët ftohen të rilexojnë me vëmendje tekstet biblike, duke u ndaluar posaçërisht tek Mikea Profet (6,6-8) e duke e përqendruar vëmendjen tek pyetja: “Çka kërkon Zoti nga ne?”. Prej këndej, përvoja e dalitëve bëhet burim edhe për reflektimet teologjike të kësaj teme biblike.







All the contents on this site are copyrighted ©.