2013-01-18 18:28:48

Liria fetare: ipeshkvijtë anglezë mbi vendimin e Gjykatës Evropiane


Për Konferencën ipeshkvnore të Anglisë e të Uellsit, ka aspekte pozitive, por edhe negative, vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila javën e kaluar dha mendimin e vet për çështjen e katër punonjësve, në konflikt me punëdhënësit, sepse shfaqën hapur fenë e tyre. Ipeshkvijtë komentojnë pozitivisht rastin e Nadia Eueida, punonjëse e “British Airways”, së cilës, Gjykata e Strasburgut i njohu të drejtën të mbajë kryqin në vendin e punës. Nga ana tjetër, shprehen të zhgënjyer për tri rastet e tjera, atë të Lilian Ladel, një funksionare publike, që nuk deshi të kremtonte martesa ndërmjet homoseksualëve; atë të Geri MekFarlejn, këshilltar, që nuk deshi të ndihmojë me terapi seksuale një çift gay dhe; atë të Shirli Çaplin, së cilës, punëdhënësi i ndaloi të varë kryqin në qafë.
Sipas ipeshkvijve, me vendimet e saj, Gjykata nuk ka dashur të njohë se “feja përbën një pjesë themelore të identitetit të njeriut”. Kisha inkurajon zgjidhjen e këtyre problemeve, pa iu drejtuar gjyqit, por me marrëveshje e dialog ndërmjet palëve në konflikt. Por, në rastin kur kjo nuk është e mundur, shkruajnë ipeshkvijtë në një notë, viktimat e diskriminimeve fetare duhet të jenë të sigurtë se Gjykatat kombëtare dhe evropiane e shohin të drejtën për ta shfaqur lirisht fenë të barabartë me të gjitha të drejtat e tjera të njeriut, të mbrojtura me ligj.







All the contents on this site are copyrighted ©.