2013-01-18 18:37:03

Kardinali Sarah në asamblenë e “Cor Unum”: të ndihmohet njeriu me të mira materiale e shpirtërore


Shoshitja e vigjilenca janë të domosdoshme në veprimtarinë bamirëse të Kishës Katolike, gjithnjë e shndritur nga feja. Kështu foli kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Robert Sarah, në Asamblenë e përgjithshme të organizmit, që u zhvillua këto ditë në Romë. Anëtarët e saj u pritën të shtunën nga Papa, në audiencë në Vatikan. Tema: “Bamirësia, antropologjia e krishterë dhe etika e re globale”. E ftuam prelatin në mikrofonin tonë, për të na e shpjeguar më mirë këtë temë:
Nuk duhet të harrojmë se gjithçka vjen nga bamirësia, nga Zoti, që është dashuri. Nëse e harrojmë dashurinë, nuk bëjmë solidaritet të vërtetë, por vetëm filantropi. Ne, si strukturë kishtare, duhet të kujtojmë se gjithçka është dhuratë e Zotit e se gjithçka bëjmë, e bëjmë në emër të Hyjit. Komunikojmë burimin e dashurisë, që vjen prej Zotit. Kjo nuk përmendet shpesh. Njeriu, që duhet ndihmuar, nuk ka nevojë vetëm për ndihmë materiale, por edhe për ngushëllim të brendshëm. Kjo është puna jonë: solidariteti dhe bamirësia duhet të lindin nga Ai, që dëshiron të jetë solidar me njeriun, pra, nga Zoti.
Cilat janë çështjet më urgjente me të cilat po merret “Cor Unum” në këtë periudhë?
Sot, sfida jonë është të kuptojmë se njeriu, që duam të ndihmojmë, është zhytur në një krizë të thellë. “Cor Unum” duhet të kujtojë se njeriu është shembëlltyrë e Hyjit, që nuk duhet ta prishim. Sot, bamirësia e vërtetë është ta ndihmosh njeriun të mos e shkatërrojë veteveten, të mos shkatërrojë familjen, martesën, të ruajë identitetin e vet si pjesë e Zotit. Urgjenca e sotme është ta mbrojmë njeriun, ta shpëtojmë atë, jo vetëm materialisht. Kemi shumë pasuri materiale, por na mungojnë pasuritë shpirtërore e “Cor Unum” duhet t’i çojë edhe ato tek nevojtarët. Mendoj se sfida jonë është e njëjtë me atë të Atit të Shenjtë. Benedikti XVI ka folur gjatë për këtë, në kohën e Krishtlindjes, por edhe në Meshën e Dëftimit të Zotit. Duhet t’u bëjmë ballë devijimeve, që e shkatërrojnë botën. Është e vërtetë se kriza ekonomike ka krijuar vështirësi për shumë persona, të cilët kanë humbur çdo gjë, sidomos punën. Por, kështu shkatërrohet edhe vetë koncepti i njeriut. Nëse njeriu ka vështirësi ekonomike, duhet ta ndihmojmë me një strukturë ekonomike, por, për mua, edhe më e rëndësishme, është të kuptohet sërish Zbulesa e Hyjit. Nuk ia imponojmë askujt fenë katolike, por duam që njeriu të zbulojë sërish se nuk është vetëm, sepse Zoti e ka krijuar e nuk mund ta braktisë, është me të përgjithmonë. Ne duhet të jemi si dora e Hyjit, që e bën të dukshme praninë e Tij, ndihmën dhe mëshirën e Zotit. Kështu e shoh punën time në Këshillin Papnor “Cor Unum”, si edhe punën e të gjitha Karitaseve të botës: të kujtojmë një prani të harruar, praninë e Zotit. Të jemi ne vetë, prania e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.