Kardinali Koch: ekumenizmi i jetës na prin drejt bashkimit
Ekumenizmi i jetës po na prin kah bashkimi: kjo është bindja e kardinalit Koch, kryetar
i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Hirësia e Tij shprehet
kështu, në mikrofonin tonë, me rastin e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve,
që nisi sot e do të vijojë deri më 25 janar. Tema e javës së sivjetme: “Ç’kërkon
Zoti nga ne”, është shkëputur nga Libri i Mikesë Profet. Por, ta dëgjojmë kardinalin
Koch:
Përgjigje: - Besoj se gjatë 50 vjetëve të fundit
kanë ndodhur shumë gjëra. Kemi dialoguar shumë, e kemi gjetur shumë pika takimi. Mendoj
kryesisht për ngjarjen jashtëzakonisht të madhe, që ndodhi pak para përfundimit të
Koncilit, kur çkishërimi i Kishës ortodokse nga Kisha katolike e anasjelltas mori
fund, duke kaluar në ngjarjet tashmë të harruara të historisë. Mendoj edhe për Deklaratën,
po aq të rëndësishme, që bënë bashkërisht Federata Luterane Botërore dhe Këshilli
për nxitjen e bashkimit të të krishterëve mbi Doktrinën e Çfajësimit, duke u nisur
pikërisht nga pika, që i pati ndarë në Kohën e Reformës. Përveç kësaj, tashmë është
krijuar një rrjet botëror miqësish ekumenike e kjo është edhe më e rëndësishme, sepse
nuk janë letrat ekumenike, që na çojnë drejt ardhmërisë, por bashkimi në jetë. E megjithatë,
pavarësisht nga ç’kemi bërë, duhet thënë se caku i ekumenizmit nuk është arritur akoma:
nuk jemi bashkuar ende e duhet punuar shumë për ta realizuar këtë dëshirë.
Pyetje:
- Përsa i përket dialogut me ortodoksët, një nga vështirësitë më të mëdha vjen
edhe nga ndarja e brendshme e vetë Kishës ortodokse….
Përgjigje: -
Ekziston një Komision ndërkombëtar i përbashkët i Kishës katolike romake dhe Kishave
ortodokse, në të cilin përfaqësohen pothuajse të gjitha kishat, me përjashtim të asaj
të Bullgarisë. Në të vërtetë, ndërmjet ortodoksëve nuk mungojnë tensionet, prej këndej,
mendoj se do të ishte një ngjarje tejet e rëndësishme zhvillimi i një sinodi të mundshëm
pan-ortodoks. E ndjek këtë evolucion me simpati të madhe e, sidomos, me bindjen se
realizimi i këtij Sinodi do të ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme për dialogun ekumenik
me ne.
Pyetje: - Cili është roli, që luan Viti i Fesë në këtë Javë
lutjeje për bashkimin e të krishterëve?
Përgjigje: - Besoj
se luan një rol qëndror për gjithë vitin, sepse elementi themelor për ekumenizmin
është pikërisht feja. Ekumenizmi nuk është veprimtari e thjeshtë diplomatike a politike:
është çështje feje. E ajo, që na bashkon më shumë, është Pagëzimi, i njohur nga të
gjithë, e edhe Besojma apostolike. Në këtë kuptim, Viti i Fesë është sfidë e madhe
për rigjetjen e rrënjëve të ekumenizmit, që janë pikërisht në fe.