Kardinal Sandri: Kishat e Lindjes na mësojnë solidaritetin e na nxisin ta rizbulojmë
fenë
Lindja, e afërt dhe e largët, “ka një impuls apostolik e misionar për t’u admiruar.
Kjo e ndihmon Perëndimin ta rizbulojë fenë e krishterë dhe vlerat e solidaritetit
e të mikpritjes. Megjithë vështirësitë e luftës e nevojat e mëdha, lindorët ia fillojnë
nga e para, duke u nisur nga vlerat e krishtera. Janë shembull”. Flet kështu prefekti
i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri. Javës që kaloi, ai mori
pjesë në paraqitjen italiane të Shoqatës Katolike Bamirëse për Lindjen e Afërt, me
qendër në Nju Jork, e cila u themelua në vitin 1926 nga Papa Piu XI pikërisht për
të ndihmuar Lindjen e krishterë, nga Lindja e Mesme në Afrikën Verilindore e në Indi.
Duke vënë në dukje karakteristikat e këtyre popujve, kardinali Sandri pohoi se
është “mikrpitja, cilësia kryesore e popujve të krishterë të ritit lindor, cilësi,
që duhet vlerësuar më shumë në Perëndim. Ajo dëshmohet në dashurinë e treguar ndaj
refugjatëve, të cilët ikin nga luftrat, edhe nga ata të krishterë, që janë vetë të
varfër”. Kardinali shprehu admirim për Kishën në Indi, e cila, pavarësisht nga kufizimet
e shumta, karakterizohet nga një impuls apostolik i fuqishëm. Diaspora e krishterë
indiane është shumë aktive në shpalljen e mesazhit të Ungjillit e Selia e Shenjtë
po mendon si t’i ndihmojë nga pikpamja baritore. Natyrisht, këtu përfshihet edhe gjithë
solidariteti i Kishës Katolike për emigrantët e të gjitha llojeve, që, siç thekson
edhe Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën Botërore të Emigrantit, janë pasuri shpirtërore,
që e gjallëron jetën kishtare në vendin mikpritës.