Gjykata e Lartë e Pakistanit e shpall të pafajshme Rimsha Masih, akuzuar për blasfemi
Gjykata e Lartë e Pakistanit hodhi poshtë javën e kaluar akuzën kundër vajzës 14-vjeçare
të krishterë, Rimsha Masih, e cila, megjithëse me të meta mendore, u hodh në gjyq
për blasfemi, pasi pati djegur disa faqe me pjesë nga Kurani. Me këtë vendim, Gjykata
konfirmon pafajësinë e Rimshës, për shpëtimin e së cilës u mobilizua gjithë bota,
e jo vetëm të krishterët. Në mikrofonin tonë, këshilltari i Ministrit për Harmoninë
kombëtare në Pakistan, Paul Bhatti, rrëfen se ndjehet i çliruar. Ta dëgjojmë: Ndjehem
i çliruar, sepse nuk e mendoja se njerëzit, të cilët akuzuan vajzën, do t’i drejtoheshin
Gjykatës së Lartë. Kur u bë e njohur aktakuza, u shqetësova, sepse gjërat në Pakistan
nuk po shkojnë dhe aq mirë. Rimsha u akuzua mbi bazën e ligjit për blasfeminë… Kur
e mora vesh lajmin, u shqetësova jashtëzakonisht pasi e pamë menjëherë se vajza ishte
e pafajshme: ndër të tjera, edhe shumë e shumë e varfër. Prandaj, vendosa ta mbroj,
përmes të gjitha kanaleve të mundshme. Jam shumë i kënaqur që, në këtë rast, më përkrahën
edhe krerët fetarë myslimanë. Rimsha akuzohej se dogji disa faqe me fraza
nga Kurani… Po. Më pas, e analizuam hirin dhe verifikuam se ishte hi druri.
Jam i sigurtë, sepse e kam dërguar personalisht në laborator qesen e mbyllur, me mbikqyrje
të veçantë. Thanë se ishte hi druri të djegur. Gjithashtu, vunë re se kishte edhe
hi bari të njomë, që do të thotë, se dikush e kishte sjellë nga jashtë dhe e kishte
vendosur në qese. Ia vumë në dukje edhe këtë fakt gjykatësit, sepse nuk mund të ekzistonte:
nëse ajo i kishte djegur faqet në shtëpi, si ka mundësi që në hi të gjendej bar i
njomë? Prandaj, provuam se akuza ishte e rreme. Ligji për blasfeminë është
në bazën e proceseve për qindra vetë në Pakistan, apo jo? Ky ligj është zbatuar
më së shumti, pas vitit 1985. Para 1985-ës e pas shpalljes së pavarësisë, ka pasur
vetëm një rast blasfemie. Që nga 1985-a e deri më sot janë akuzuar gati 4 mijë vetë.
Aktualisht, janë hedhur në gjyq mëse 400 vetë, shumica e të cilëve janë myslimanë
e po presin vendimin e gjykatësve në shkallë të ndryshme të procesit.