2013-01-18 16:14:21

Filloi Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Papa: së bashku, jemi fytyra e forca e Krishtit.


“Ç’kërkon Zoti nga ne”: mbi këto fjalë të Mikesë profet bazohet sivjet tema e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, që nisi sot. Qysh në agim të papnisë së tij, Benedikti XVI e vuri dialogun ekumenik ndërmjet detyrave kryesore e, në shumë raste, fjalët e Papës e shprehën me forcë të madhe dëshirën që të gjithë besimtarët në Krishtin ta rigjejnë bashkimin e orës së parë të Kishës. Po kujtojmë disa nga pohimet e Benediktit XVI kushtuar pikërisht këtij bashkimi, kaq të dëshiruar nga të gjithë besimtarët.
Uniteti i Kishës nisi pak para orës, që dukej si e fundmja e saj. Lindi në Çenakull, në atmosferën e ndritur të lutjes së flaktë të Jezusit, që ia besoi Apostujt, Atit – e u duk se po merrte fund po aty, pas pak, kur Autori i lutjes varej në kryq, mbi Golgotë. Ndërmjet Gjetsemanit e Kalvarit Apostuj mohojnë, ikin, pendohen, ndjehen të humbur. E pikërisht në shkapërndarjen e tyre duket sikur shikojmë shenjën e parë të asaj, që në shekujt te mëpasëm do të ishte bashkësia e krishterë, e krijuar nga Gjaku i një Zoti të vdekur e të ngjallur, por e paaftë për të ndenjur e bashkuar, ashtu si e kishte menduar e si e kishte bekuar Mjeshtri i saj. Duke reflektuar për vitet e para të krishterimit, Benedikti XVI kujton, në një rast, ndërhyrjen që u detyrua të bënte Shën Pali, qysh në kohët e besimtarëve të parë korintianë:
“Apostulli e kishte marrë vesh se në bashkësinë e krishterë të Korintit kishin lindur grindje e përçarje; prandaj, me forcë të madhe, u kujton: “Vallë, qenka i ndarë Krishti? Mos u kryqëzua Pali për ju?” (1,13). E duke thënë kështu, pohon se çdo përçarje në Kishë është fyerje për Krishtin: e njëkohësisht, gjithnjë në Të, Krye e Zot i vetëm, mund të ndjehemi të bashkuar, për virtyt të forcës së Tij të pashterrshme e të hirit të Tij”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 23 janar 2011).
Tundimi i përçarjes është vërtet i papranueshëm për njerëz, që u krijuan për të qenë një gjë e vetme. E pasoja është gjithnjë fyerja e Krishtit, gjë që Papa a ka vënë në dukje disa herë, duke shpjeguar se ndarja e të krishterëve i ngjet shpesh një ekrani të zi, i cili nuk e lë të duket fytyrën e Zotit, për ta parë qartë mbarë njerëzimi:
“Bota vuan për shkak të mungesës së Hyjit, për shkak se Hyji nuk i duket i afërt, në sa ka shumë dëshirë ta njohë fytyrën e Tij. Por si mund ta njohë këtë fytyrë të Hyjit në fytyrën e Jezu Krishtit, në se ne, të krishterët, jemi të ndarë, në se njëri mëson kundër tjetrit, në se njëri është kundër tjetrit? Vetëm të bashkuar mund t’ia tregojmë vërtetë kësaj bote, që ka nevojë për fytyrën e Hyjit, për fytyrën e Krishtit, që është fytyra e vetë Hyjit, mund t’ia tregojmë, pra, botës, këtë fytyrë”(Audienca e përgjithshme, 23 janar 2008).
E mënyra më e shpejtë për ta dëshmuar unitetin e të krishterëve të ndarë, është lutja e përbashkët. “Lutuni vazhdimisht’. Papa e kujton shpesh këtë fjalë të Shën Palit. E kjo është njëkohësisht edhe ftesë, e cila vijon të jehojë në bashkësitë tona, që lutja të bëhet dritë, forcë, orientim për hapat tonë e të na nxisë ta dëgjojmë përvujtërisht Zotin tonë të përbashkët.
Papa flet edhe për frytin e lutjes të jetuar së bashku, vlerën e së cilës e vë me forcë në dukje Dekreti konciliar mbi ekumenizmin ‘Unitatis redintegratio’. Në këtë tip lutjeje, mendon Benedikti XVI, feja e pandarë në Krishtin shkëlqen më shumë se ndarjet konfesionale:
Në lutjen e njëzëshme, bashkësitë e krishtera zënë vend së bashku përballë Zotit e, duke u bërë të vetëdijshme për kundërvëniet që lindën nga ndarja, shprehin dëshirën t’i binden vullnetit të Hyjit, duke kërkuar plot besim ndihmën e Tij të gjithëpushtetshme. (...) Lutja e përbashkët nuk është akt që varet nga vullneti i njerëzve, as akt sociologjik, por shprehje e fesë, që i bashkon të gjithë dishepujt e Krishtit”(Audienca e përgjithshme, 23 janar 2008).
Lutje, por jo vetëm, për të mos qenë thjesht cembalë, që tingëllojnë. Duhen edhe veprat, ato të dashurisë. E këtë uron gjithnjë Benedikti XVI për dialogun ekumenik. T’i shikojë krah për krah lutjen e përbashkët dhe gjestet konkrete të solidaritetit të përbashkët:“Kjo e favorizon unitetin, e mund të themi se çdo vuajtje, sado e vogël të jetë, që të krishterët ia lehtësojnë të afërmit së bashku, është ndihmesë për ta bërë më të dukshëm bashkimin e tyre dhe besnikërinë ndaj urdhërimit të Zotit”







All the contents on this site are copyrighted ©.