Çelësi i fjalëve të Kishës, Besojma e Papës Pali VI, pjesa e dytë
Të dashur dëgjues, javën e kaluar filluam të transmetojmë “Besojmën” e Papës Pali
VI. Ju kujtojmë se është fjala për një tekst, të shqiptuar nga Ati i Shenjtë më
30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin
e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan,
Pali VI, me tekstin e titulluar pikërisht “Ne besojmë”, u përçonte besimtarëve të
vërtetat e fesë së krishterë. Sot, do të ndiqni pjesën e dytë të fjalimit: “NE
BESOJMË në Zotin tonë Jezu Krisht, Bir i Hyjit. Ai është Fjala e amshuar, lindur
prej Atit para të gjithë shekujve dhe i njëgjëjtë me Atin, “homoousios to Patri”
(Dz.-Sch. 150); nëpërmjet të cilit u bë gjithçka. Ai u mishërua për virtyt të Shpirtit
Shenjt në kraharorin e Virgjërës Mari, e u bë njeri: prandaj, i barabartë me Atin
në hyjni e inferior, në krahasim me Atin, si njeri (shih Dz.-Sch. 76), e Ai vetë një,
jo për hir të ndonjë konfuzioni të pamundur të natyrave të Tij, por për hir të unitetit
të personit (shih Ibid.). Ai banoi ndër ne, i mbushur me hir e me të vërtetën.
Ai shpalli dhe vendosi Mbretërinë e Zotit e, përmes Vetvetes, na bëri ta njohim Atin
Qiellor. Ai na dha Urdhërimin e ri, ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na ka dashur.
Na mësoi udhën e Lumnive të Ungjillit: varfërinë në shpirt, butësinë, durimin për
t’i rezistuar dhimbjes, etjen për drejtësi, mëshirën, dlirësinë e shpirtit, vullnetin
për paqe, vuajtjen e persekutimit për hir të drejtësisë. Ai pësoi nën Poncin Pilat,
Qingji i Hyjit që merr mbi vete mëkatet e botës, e vdiq për ne në Kryq, duke na shpërblyer
me Gjakun e tij Shëlbues. Ai u varros e, në sajë të pushtetit të vet, u ngjall të
tretën ditë, duke na lartuar me Ringjalljen e Tij derisa të marrim pjesë në jetën
hyjnore, që është jetë hiri. Ai u ngjit në Qiell e do të vijë sërish në lavdi, për
të gjykuar të gjallët e të vdekurit, secilin sipas meritave; prandaj do të shkojnë
në jetë të amshuar ata, që i janë përgjigjur Dashurisë dhe Mëshirës së Zotit dhe,
do të shkojnë në zjarrin e pashuar ata, që deri në fund, i kanë kundërshtuar e refuzuar. E
Mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim. NE BESOJMË në Shpirtin Shenjt,
që është Zot dhe jetëbërës; që adhurohet e lavdërohet së bashku me Atin e me Birin.
Ai na foli me anë të profetëve, na u dërgua nga Krishti pas Ringjalljes e pas Ngjitjes
së Tij tek Ati Qiellor; Ai shndrit, gjallëron, mbron e udhëheq Kishën, purifikon anëtarët
e saj, nëse nuk largohen prej hirit të Tij. Veprimi i Tij, që depërton në thellësinë
e shpirtit, e bën njeriun të aftë t’i përgjigjet ftesës së Jezusit: “Jini të përkyer,
siç është i përkryer edhe Atit juaj, që është në qiell” (Matth. 5,48)”.