Imzot Mambertì për vendimet e Gjykatës evropiane të të drejtave të njeriut: kërcënohen
liria fetare e edhe ajo e ndërgjegjes.
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut shpalli, të martën e kaluar, vendimet për
katër çështje, që kanë të bëjnë me lirinë e ndërgjegjes dhe atë të fesë, lidhur me
nëpunësit e Mbretërisë së Bashkuar. Dy raste, me mundësinë e mbajtjes së një kryqi
të vogël në qafë, në vendin e punës; e dy të tjera, me kundërshtimin për arsye të
ndërgjegjes, të kremtimit të një bashkimi civil ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks
dhe këshillimit martesor për çiftet homosksuale. Imzot Dominik Mambertì, sekretar
i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, i dha një intervistë Radio Vatikanit. Ta
dëgjojmë Prelatin, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Këto raste
dëshmojnë se çështjet, lidhur me lirinë e ndërgjegjes e të fesë, janë të ndërlikuara,
posaçërisht në shoqërinë evropiane, ku vijojnë të thellohen larmitë fetare e të ashpërsohet
laicizmi. Është i prekshëm rreziku që relativizmi moral, i cili imponohet si normë
shoqërore, t’i minojë themelet e lirisë individuale të ndërgjegjes e të fesë. Kisha
dëshiron t’i mbrojë liritë vetjake të ndërgjegjes e të fesë në çdo rrethanë, edhe
përballë ‘diktaturës së relativizmit’. Prandaj është e nevojshme ta shpjegojmë racionalitetin
e ndërgjegjes njerëzore në përgjithësi e të mënyrës si veprojnë të krishterët, në
veçanti. Kur është fjala për probleme morale, që krijojnë diskutime, si aborti ose
homoseksualiteti, duhet respektuar liria e ndërgjegjes. Respekti për lirinë e ndërgjegjes
e të fesë, është kusht, e jo pengesë, për ndërtimin e një shoqërie tolerante, në pluralizmin
e saj. Duke iu drejtuar javën e kaluar Trupit Diplomatik të akredituar pranë
Selisë së Shenjtë, Benedikti XVI nënvizoi se për ta mbrojtur faktikisht ushtrimin
e lirsë së fesë, është themelore të respktohet liria e kundërshtimit për arsye të
ndërgjegjes. Ky front i lirisë, cek parime me rëndësi të madhe, me karakter etik
e fetar, të rrënjosura në vetë dinjitetin e njeriut. Janë si ‘mure’, që e mbajnë në
këmbë ndërtesën e çdo shoqërie, e cila dëshiron jo vetëm të quhet, por edhe të jetë
vërtet e lirë e demokratike. Si pasojë, ta ndalosh kundërshtimin për arsye të ndërgjegjes
individuale e institucionale, në emër të lirisë e të pluralizmit, do të thotë, paradoksalisht,
t’i hapësh portat intolerancës dhe rrafshimit të detyruar të vlerave. Cënimi i lirisë
së ndërgjegjes shpreh një farë pesimizmi përsa u përket aftësive të ndërgjegjes njerëzore
për të dalluar të mirën nga e keqja, në dobi të një ligji të vetëm pozitiv, që kërkon
ta monopolizojë përcaktimin e moralitetit. Prej këndej Kisha e ka për detyrë të kujtojë
se çdo njeri, pavarësisht nga besojma, është i pajisur me ndërgjegje, me aftësi për
të dalluar të mirën nga keqja e, si pasojë, edhe për të vepruar. Ky është burimi
i vërtetë i lirisë.
Pyetje: - Kohët e fundit, misioni i Selisë së
Shenjtë pranë Këshillit të Evropës botoi një notë kushtuar lirisë dhe pavarësisë institucionale
të Kishës. Mund të na e shpjegoni shkurtimisht përmbajtjen e saj?
Përgjigje:
- Aktualisht, çështja e lirisë së Kishës në marrëdhëniet e saj me autoritetet
civile po shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut në dy raste, që
kanë të bëjnë me Kishën ortodokse të Rumanisë e me Kishën katolike. Është fjala për
çështjen e Sidicatul “Pastorul cel Bun” kundër Rumanisë dhe atë të Fernandez Martinez
kundër Spanjës. Në këto raste, përfaqësia e përhershme e Selisë së Shenjtë pranë Këshillit
të Evropës, hartoi një notë të shkurtër, në të cilën përmbledh mësimet e Papës mbi
lirinë dhe pavarësinë institucionale të Kishës katolike.
Pyetje: -
Për ç’problem bëhet fjalë në këto dy raste?
Përgjigje: - Në
këto dy raste, Gjykata evropiane duhet të vendosë në se pushteti civil e respekton
Konventën evropiane mbi të drejtat e njeriut, duke refuzuar të njohë një sindikatë
profesionale meshtarësh (përsa i përket Rumanisë), e duke refuzuar emërimin e një
mësuesi besimi, që shpallte publiksiht qëndrime të kundërta me Doktrinën e Kishës
(në rastin spanjoll). Në të dy rastet e drejta për lirinë e shoqërizimit dhe e drejta
e lirisë së shprehjes u kujtuan, për t’i detryar bashkësitë fetare të veprojnë në
kundërshtim me statutin e tyre kanonik si dhe me mësimet e Papës. Përveç kësaj, të
dy rastet vënë në diskutim lirinë e Kishës për të vepruar sipas rregullave të veta
e për të mos iu nënshtruar normave të tjera civile, në se këto nuk janë të nevojshme
lidhur me respektimin e së mirës së përbashkët edhe të një rendi të drejtë publik,
Kisha ka qenë gjithnjë e detyruar të mbrohet, për të ruajtur pavarësinë e saj përballë
pushtetit civil dhe ideologjive. Sot në vendet perëndimore është me rëndësi të dihet
si mund ta kuptojë e ta respektojë kultura sunduese, e përshkuar fund e krye nga individualizmi
materialist dhe nga relativizmi, natyrën e veçantë të Kishës, bashkësi e themeluar
mbi fenë e arsyen.
Pyetje: - Si po jeton Kisha këtë situatë?
Përgjigje:
- Kisha është e vetëdijshme se, në një shoqëri pluraliste, është e vështirë
të vendosen marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve civile dhe bashkësive të ndryshme fetare
lidhur me kërkesat e unitetit shoqëror e të së mirës së përbashkët. Në këto rrethana,
Selia e Shenjtë kujton se duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe nevojës për mbrojtjen
e lirisë fetare në përmasën kolektive e shoqërore. Kjo përmasë i përgjigjet natyrës
shoqërore të njeriut, si fenomen fetar e edhe fenomenit fetar në përgjithësi. Kisha
nuk kërkon që bashkësitë fetare të jenë zona që nuk i nënshtrohen ligjit, përkundrazi,
dëshiron të njihen si hapësira të lirisë, falë së drejtës së lirisë fetare, duke respektuar
plotësisht rendin publik. Kjo doktrinë nuk i përket vetëm Kishës katolike; kriteret,
që rrjedhin prej saj bazohen mbi drejtësinë e, prej këndej, mund të zbatohen në përgjithësi.
Përveç kësaj, parimi juridik i pavarësisë institucionale të bashkësive fetare është
i njohur gjerësisht në ato shtete, që respektojnë lirinë fetare si dhe të drejtën
ndërkombëtare. Vetë Gjykata evropiane e të drejatve të njeriut e ka formuluar në disa
raste të rëndësishme. Edhe institucionet e tjera e kanë pohuar këtë parim. Është rasti
i OSBE-së (Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë) ose akoma i Komitetit të
të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara përkatësisisht në Dokumentin përfundimtar
të 19 janarit të Konferencës së Vjenës, si dhe në Vëzhgimin e përgjithshëm n.22 mbi
të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë, të 30 korrikut 1993. Është
e nevojshme ta kujtojmë e ta mbrojmë parimin e pavarësisë së Kishës e të pushtetit
civil.
Pyetje: - Si paraqitet kjo notë?
Përgjigje:
- Liria e Kishës do të respektohet më mirë kur të kuptohet më mirë nga
autoritetet civile, pa paragjykime. Do të jetë, prandaj, e nevojshme ta shpjegojmë
si konceptohet liria e Kishës. Përfaqësia e përhershme e Selisë së Shenjtë pranë Këshillit
të Evropës hartoi një notë shumë të ngjeshur, që shpjegon qëndrimin e Kishës lidhur
me katër parimet kryesore: dallimin e Kishës nga bashkësia politike; lirinë në marrëdhëniet
me shtetin, lirinë në gjirin e Kishës dhe respektimin e rendit të drejtë publik. Pasi
i shpjegon këto parime, në notë citohen edhe fragmente të rëndësishme nga Deklarata
mbi lirinë fetare “Dignitatis Humanæ” si dhe nga Kushtetuta baritore e Koncilit II
të Vatikanit “Gaudium et spes”.