2013-01-15 14:24:24

Kardinali Bertone përuron lokalet e reja të Shtëpisë Botuese të Vatikanit


Sot paradite, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Tarçizio Bertone përuroi lokalet e reja të Shtëpisë Botuese të Vatikanit (LEV). “Të publikosh libra – tha ai para punonjësve, të cilëve u përcolli përshëndetjet e Papës – do të thotë të përhapësh ide e mënyra jetese. Ta bësh këtë, duke i shërbyer misionit të Kishës, do të thotë të hapësh një perspektivë më të gjerë dhe universale, që e çon mesazhin e krishterë, me risinë dhe origjinalitetin e tij, brenda botës kulturore dhe prirjeve të saj”.
Zyrat e reja të Shtëpisë Botuese të Vatikanit ndodhen në pallatin e Tipografisë shumëgjuhëshe në Vatikan. Në ceremoninë e sotme ishte i pranishëm edhe drejtori, don Xhuzepe Kosta. Shtëpia Botuese ka një bilanc gjithnjë e më pozitiv, prandaj është konsideruar e nevojshme të zgjerohet me zyra të reja, por edhe me fusha të reja. Përveç sektorit të Magjisterit të Kishës e atij të Liturgjisë, ajo mbulon tani edhe fushën e gjerë të kulturës katolike ndërkombëtare. Gjithashtu, do të ketë edhe pika të reja shitjeje, do të marrë pjesë në Panaire ndërkombëtare dhe do të ketë mundësi të shesë të drejtat e autorit edhe jashtë Vatikanit, pa harruar prirjet e reja të tregut, si libri elektronik.
“Edhe nga këto fakte – nënvizoi kardinali Bertone – vërejmë se Selia e Shenjtë vazhdon të mbështesë nismat kulturore, sot, në perspektivën e ungjillëzimit të ri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.