2013-01-15 16:16:55

Imzot Myler: Benedikti XVI është teolog i hollë, që kuptohet nga të gjithë


Kam njohur pak vetë në jetë me kaq horizont e përgatitje intelektuale: prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kryeipeshkvi Gerard Ludvig Myler flet kështu për Papën Benedikti XVI dhe magjisterin e tij, si para, ashtu edhe pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Prefekti, i impenjuar prej kohësh në përpilimin e “opera omnia” të Atit të Shenjtë, paraqiti ditët e kaluara librin “Të zgjerosh horizontin e arsyes”. Në të, ai ofron interpretimin e tij për shkrimet e Papës teolog. Në mikrofonin tonë, imzot Myler përvijon portretin e Jozef Racinger:
Ka bërë rrugë të gjatë me jetën e me reflektimet e tij. Ka filluar 15 vjeç, sot është 85: pra, janë 70 vjet reflektimi të thellë e meditimi. Ka pasur shumë përvoja në jetë: i ri, jetoi nacionalsocializmin dhe fashizmin, luftën, ngjarjet e ndryshme… Prandaj, nuk ka qenë kurrë intelektual i mbyllur në kullën e vet të fildishtë, por edhe sot, është i pranishëm në jetën e të gjithë njerëzve, thellësisht i zhytur në historinë e shekullit XX, por edhe të këtij shekulli. Është një ndër të paktët me horizont kaq të gjerë: njeh zhvillimin e filozofisë në Evropë, duke filluar nga grekët e romakët për të përfunduar me filozofët modernë. Njeh pastaj, historinë e Kishës, pyetjet dhe sfidat, që propozojnë shkencat e natyrës sot. Njoh pak njerëz me këtë thellësi mendimi, kaq i nevojshëm në ditët tona.

Si Papë, Benedikti XVI dëshmon se edhe një teolog i madh di të flasë në gjuhën e njerëzve të thjeshtë, duke gjetur shprehje të reja për të vërtetat e lashta të fesë. A ka ndonjë gjë, që ju bën përshtypje, në këtë aspekt?

Le ta themi kështu: Jezu Krishti është Fjala e Zotit, por kur erdhi në këtë botë, u foli shumë thjesht zemrave të gjithë njerëzve. U foli farisejve, intelektualëve të mëdhenj të botës së vet, të kohës së vet, por dëshmoi gjithnjë respektin e madh të Zotit për të gjithë njerëzit. Prandaj, është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme që të gjithë teologët të jenë barinj, t’u drejtohen të gjithë njerëzve, sepse Zoti nuk do vetëm intelektualët, njerëzit gjenialë, por të gjithë.

Në një paragraf të librit, ju flisni për gjuhën e mediave të reja. Në këtë drejtim, a ka ndonjë gjë të veçantë në magjisterin e Benediktit XVI?

Feja dhe Zbulesa janë mënyrat, që përdor Zoti për të komunikuar me ne. Përmes këtyre mjeteve ne mund të komunikojmë, jo në mënyrë ideologjike – pra, duke i influencuar njerëzit kundër arsyes – por me dialog, me mendje të hapur për të vërtetën, sepse vetëm e vërteta mund t’i shpëtojë njerëzit e jo propaganda.







All the contents on this site are copyrighted ©.