2013-01-15 14:26:04

Akoma bombardime franceze në Mali. “Mjekët pa kufij” dhe Kisha Katolike kërkojnë mbrojtjen e civilëve


Dita e pestë e bombardimeve franceze kundër grupeve xhihadiste në veri të Malit. Islamistët janë tërhequr nga qytetet kryesore, duke përfshirë Timbuktunë, Gaon dhe Duencën. OKB-ja mbështet ndërhyrjen e Francës, ndërsa presidenti Hollande thekson nga Emiratet e Bashkuara Arabe se trupat në terren do të shtohen. Deri tani janë dërguar 750 njësi. Nga ana e tij, sekretari amerikan për mbrojtjen, Leon Paneta, deklaroi se operacionet ushtarake të Elizeut në vendin afrikan janë shumë të rëndësishme në kuadrin e përpjekjeve botërore për ta penguar organizatën terroriste Al Kaeda të krijojë baza, nga të cilat të sulmojë Evropën dhe SHBA-të. Vërtet, anatemat kundër Parisit nuk vonuan. Rebelët xhihadistë deklaruan se do të godasin në zemër të Francës.
Ndërkaq, organizata si “Mjekët pa kufij” dhe Karitasi i Kishës Katolike po bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar rreth 30 mijë të shpërngulurit për shkak të ndeshjeve me armë. Një ekip mjekësh ndërkombëtarë po punojnë në spitalin e Duencës dhe denoncojnë se të plagosurit nuk mund të arrijnë deri në këtë strukturë. Organizata ka pasur sinjalizime për të plagosur e për të vdekur në disa zona, në të cilat ka dërguar kamione me ilaçe e materiale mjekësore, por bën thirrje të respektohen civilët e të mos preken spitalet. “Mjekët pa kufij” ndihmojnë edhe rreth 200 refugjatët, që janë strehuar në Mauritani.
Në ndihmë të të shpërngulurve brenda vendit impenjohet edhe Kisha Katolike, sidomos në zonën e Moptit. Javës që vjen, do të mblidhet Konferenca Ipeshkvnore e Malit për të koordinuar planin e ndihmave humanitare të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.