2013-01-14 14:24:43

Tunizi: varfëri dhe hegjemoni islamiste, dy vjet pas revolucionit të jaseminëve


Tunizia përkujtoi dy vjetorin e ikjes së presidentit Ben Ali, i cili në kulmin e protestave popullore, më 14 janar 2011, u largua për në Xheda të Arabisë Saudite. U dënua me 90 vjet burg në mungesë. Fatkeqësisht, ky përvjetor i të ashtuquajturit “revolucion i jaseminëve”, që i hapi rrugën “pranverës arabe” në të gjithë rajonin e Afrikës Veriore, u kremtua me atentate kundër vendeve të kultit të myslimanëve sufi. Flitet pak për gjendjen aktuale në Tunizi, por duket se ndryshimi i regjimit nuk e ka përmisuar. Të dëgjojmë eksopertin italian për Afrikën Veriore, Luçano Ardezi:
Jemi kthyer, në një farë mënyre, në shkaqet, që shkaktuan revoltat e dy vjetëve më parë, sidomos në jug të vendit. Gjendja shoqërore është e keqe, papunësia vazhdon, njerëzit nuk janë të kënaqur e qeveria, gjatë muajve të fundit, nuk ka qenë në gjendje ta bindë popullsinë me masat e saj.
Pranvera arabe filloi në Tunizi e po në këtë vend, u afirmua partia e parë islamiste. A ka lidhje ndërmjet këtyre dy fakteve?
Revolta u shkaktua nga pakënaqësia popullore për problemet ekonomike e shoqërore, si edhe nga mungesa e lirisë. Fondamentalistët nuk kanë pasur asnjë rol në fillimin e protestave. Por, treguan se janë e vetmja forcë politike e organizuar. Regjimi i Ben Aliut e kishte shkatërruar krejtësisht sistemin politik dhe e kishte penguar formimin e shoqërisë civile. Tunizia ndodhej në një boshllëk, që vetëm lëvizjet fondamentaliste ditën ta mbushin e janë pikërisht ato, të cilat, duke qenë të organizuara më mirë, ditën të imponojnë hegjemoninë e tyre, jo vetëm në planin politik, por edhe në atë kulturor.
Mund të flasim për një vend të përçarë ndërmjet islamistëve dhe rrymave laike, apo jo?
Mendoj se konfrontimi vazhdon e akoma nuk është përfundimtar. Vendi është ndarë më dysh. Vërtet, ka rryma të ndryshme, por, siç e thashë më parë, në këtë çast, partia fondamentaliste ushtron edhe hegjemoninë kulturore. Natyrisht, lëvizjet laike rezistojnë, sidomos gratë, por duhet thënë se, edhe gjatë regjimit të Ben Aliut, Tunizia nuk ishte më aq laike, sa ajo që njihnim pas shpalljes së pavarësisë. Gjatë viteve të fundit, para se të fillonte revolta popullore, pozicioni i grave ishte dobësuar. Nga pikpamja kulturore, ardhja në pushtet e partisë “Ennahda” nuk lë shpresë për përmirësimin e gjendjes.
As gjendja ekonomike nuk po përmirësohet. Tunizia e gjithë Magrebi nuk arrijnë të gjejnë një model të tyre të zhvillimit, siç ka ndodhur për ekonomi të tjera të Botës së Tretë…
Tunizia vuan nga kufizime strukturore. Nuk ka shumë pasuri natyrore, megjithëse ka naftë, por edhe kjo është duke mbaruar. Ekonomia e vendit mbështetet kryesisht mbi investimet e Perëndimit, sidomos të Evropës, si edhe mbi kontributin e fuqishëm të turizmit, i cili i sjell valutë të huaj. Revolta dhe paqëndrueshmëria që pasoi, natyrisht që nuk i favorizuan këto dy fusha. Këtyre shkaqeve u duhet shtuar edhe gjendja e përgjithshme. Tunizia dhe Magrebi mbeten një ishull në Mesdhe. Nuk ka shkëmbime ndërmjet vendeve, prandaj nuk krijohen udhë tregtare dhe investimi, kështuqë mbeten të vetme përballë ekonomisë botërore, e cila është shumë më e fuqishme se ekonomitë e veçanta të Tunizisë e të Magrebit. Ky është problemi i vërtetë për Tunizinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.