Më 14 e 15 janar 1703 organizohej Kuvendi Kishtar i Arbërit
Si sot më 14 e 15 janar të vitit 1703 në Mërqi afër Lezhës u organizua Kuvendi
i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papës Klementit
XI Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare
e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit. Është
thënë se Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare u mbledh në një
situatë tejet të vështirë: populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të posaçme
katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e
në mënyrë sistematike punonte për kalimin e popullsisë shqiptare në fenë islame.
Të
joshur nga premtimet dhe lehtësirat që turqit krijonin e u jepnin myslimanëve, një
pjesë e mirë e shqiptarëve kaloi në fenë islame, ose mbeten të krishterë të fshehtë,
do të thotë që në shtëpi e mbanin fenë dhe doket e krishtera, derisa në jetën publike
paraqiteshin si myslimanë e kishin edhe nga dy emra. Është fjala për ‘kriptokatolikët’
apo ‘laramanët’, fenomen ky ende sot e kësaj dite i pranishëm në disa zona të Kosovës
siç është ajo e Karadakut afër Gjilanit e Vitisë apo në zonë të Istogut e të Mallishevës
Ky fenomen apostazie u dënua nga Kuvendi i Kishës së Arbërit.
Ndërsa, përsa
i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte
që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e përkufizuar e
më vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave, e si pasojë erdhi deri te rrënimi
i pashmangshëm i sa e sa Kisha e kuvendeve rregulltare - manastireve të krishtera
në trojet shqiptare. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga
turqit ishte edhe luftim kundër orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore
evropiane.
Në kushte të këtilla, pra, mblidhej Kuvendi apo Koncili Kishtar
Kombëtar Shqiptar në Mërqi më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas
Krishtlindjes, në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi,
ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi
dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë.
Njëkohësisht, imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit
të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare
të popullit, e të punojnë për përtëritjen dhe rritjen e klerit si dhe për lirinë fetare
të kultit e të popullit.
Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati shqiptarë,
në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve,
lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen
e popullsisë në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda
që përjetonte çdo ditë.
E vendimet e Kuvendit të Arbërit qenë të rëndësishme
pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për ringjallërimin
e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen
e vlerave dhe të identitetit kombëtar para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman.
Ky Kuvend kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët:
identitetin fetar e identitetin kombëtar shqiptar.
Materialet e punimeve të
Kuvendit të Abërit në gjuhën latine, u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan
në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer
nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit
nga i njëjti shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës,
në mënyrë që dekretet e Kuvendit Kishtar të ishin sa më të kuptueshme për masat e
popullit.
Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet porsi i pari
botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin
nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal për Shqipërinë veriore e të mesme. Në
këto akte gjejmë një material shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike
të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën
e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht
e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve. Teksti shqip i Kuvendit të Arbenit
është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es për historinë e shkrimit të shqipes, e po
kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.