Ipeshkvijtë e Abrucit dhe të Molises për vizitë tek Papa. Imzot Bregantini: mbështetje,
jo kundërvënie, për të kapërcyer krizën.
Vijon vizita “ad Limina apostolorum” e ipeshkvijve italianë në Vatikan. Pas prelatëve
të dioqezës së Romës, sot paradite Benedikti XVI nisi takimet me anëtarët e Konferencës
Ipeshkvnore të Abrucit e të Molises. Ndërmjet tyre ishte edhe imzot Xhankarlo Maria
Bregantini, që i paraqiti Papës dritë-hijet e rajonit, ky kryen misionin. Ta dëgjojmë,
në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Dritat e një populli të butë,
të mirë, të kujdesshëm, me tradita të lashta, me kisha shumë të bukura, që vijon ta
dëgjojë me vëmendje të madhe zërin e Kishës e të mbetet thellësisht i ndershëm. Por,
nga ana tjetër, nuk mungojnë edhe hijet: posaçërisht në sektorin agroindustrial. Stallat
mbahen të hapura me shumë vështirësi. Të rinjtë shkojnë të kërkojnë punë gjetiu, sepse
këtu nuk ka punë. Detyrohen, artëhere, të nisen në Gjermani e deri në Australi. Rifillon
emigrimi i viteve ’50-’60. E kjo vë shumë pikëpyetje mbi ardhmërinë e zonës. Kuptohet
se ndryshimin e vlerave materiale, e pason edhe ndryshimi i vlerave morale, gjë që
vërehet posaçërisht në gjirin e familjes, dikur shumë e shëndoshë, sot përballë tundimeve
të rënda. Përvojë tjetër është ajo e sociopolitikës, që akoma nuk është në gjendje
t’i rrahë flatrat drejt lartësive, sepse ka ende shumë interesa për të mbrojtur, e
shumë, tepër shumë, kundërvënie.
Pyetje: - Reflektimet tuaja në
prag të zgjedhjeve si rajonale, ashtu edhe politike… Përgjigje: - Natyrisht
ne nuk mund të japim udhëzime me karakter politik. Nuk është detyra jonë: të krishterët
kanë të drejtë të zgjedhin lirisht, si laikë të pagëzuar. Ja pse ne nuk kemi treguar
me gisht asnjë forcë politike, por kemi këshilluar përdorimin e një metode, sipas
mendimit të Tonilio-s, të ‘një shtëpie sociale’- sepse kështu e përfytyruam, e kështu
e quan edhe ai, me kate e nivele të ndryshme. Propozuam prandaj, të vihet në plan
të parë, si e dhënë themelore, përshpirtëria, që motivon; në plan të dytë, etika,
që kontrollon; në plan të tretë, kultura, që planifikon; në të katërtin, politika,
që realizon; e, në të pestin, vetëm në të pestin, ekonomia që ndërton. Me këtë paraqitje,
që e gjejmë në ‘Caritas in Veritatem’ e në Doktrinën shoqërore të Kishës, ne japim
edhe këshilla, që projektet e posaçme, ose më mirë të themi, programet e partive,
të enden me dritë, me pozitivitet, me guxim, me qëllime të larta. Janë këshilla, që
lidhen më shumë me metodën e edhe me përmbajtjen. Pastaj u takon partive të veçanta
aftësia për të bërë programe të hollësishme. Gjëja, që na intereson më shumë, është
metoda, jo kundërvënia, as përjashtimi; mbështetja e aftësia, përballë problemeve
të një territori kaq të vogël, për të mos u lodhur, e as për të mos u copëtuar, por
për të bashkëvepruar.