2013-01-14 15:13:04

Dëshmojeni me guxim dashurinë e Zotit në çdo ambient: kështu Papa, personelit të policisë pranë Vatikanit


Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë, drejtuesit dhe personelin e Inspektoratit të Sigurisë Publike pranë Vatikanit. Takimi i përvitshëm i dha rastin Papës për të falenderuar të gjithë policët e impenjuar në ruajtjen e rendit, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe përgjithësisht, në Romë e Itali, gjatë vizitave baritore të Atit të Shenjtë. Papa vuri theksin në stilin e impenjimit të tyre, në mënyrën si e konsiderojnë punën në Vatikan, në fenë që i shoqëron:
“Uroj nga zemra që puna juaj, jo rrallë, bërë me sakrifica e rreziqe, të frymëzohet gjithnjë nga një fe e shëndoshë kristiane, e cila është pa dyshim, thesari dhe vlera shpirtërore më e çmuar, që ju kanë besuar familjet e që duhet t’ua transmetoni fëmijëve”.
Papa përmendi Vitin e Fesë, që sapo ka filluar dhe e konsideroi si mundësi për t’u thelluar sërish në mesazhin e Ungjillit e për ta lejuar të brumosë më thellë ndërgjegjen dhe jetën e përditshme. E inkurajoi personelin e policisë ta dëshmojë “me guxim dashurinë e Zotit në çdo ambient”, duke filluar nga ai i punës. Pikërisht me punën e tyre, policët sigurojnë mbarëvajtjen e çdo veprimtarie, që zhvillohet në Sheshin e Shën Pjetrit e kudo ku shkon Papa, brenda Italisë. Benedikti XVI e vlerësoi lart dëshirën e policëve për paqe, për një jetë të plotë e të lumtur, e uroi:
“Prania juaj, të dashur miq, qoftë garanci, gjithnjë e vlefshme, për atë rend e për atë qetësi, që janë themelet e ndërtimit të një jete shoqërore paqësore e të drejtë, e që, përveçse i mësojmë nga mesazhi ungjillor, janë edhe shenja të qytetërimit të vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.