2013-01-13 10:20:21

Shenjtorët e javës 13 - 20 janar


E diel 13 janar Kisha kremton festen e Pagëzimit të Jezu Krishtit. Pagëzimi i Krishtit është dëftim i misionit të tij në botë. Ati Qiellor e shpall dashurinë e tij për Të. Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet.
Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar hyjnore. E prandaj Ungjilli i së diele na thotë: Mbretëria Qiellore është afër, kthehuni e besoni në Fjalën e Zotit. Kështu reflekton liturgjia e së dielës.
E gjithnjë me 13 janar kalendari përkujton edhe shën Hilarin, ipeshkëv i Puatjesë, i mbiquajtur “Athanasi i Perëndimit”, që në vitin 353 u bë mbrojtës i flakët i Koncilit të Nikesë që luftoi herezinë ariane.
Vepra e tij më madhe mbetet “De Trinitate” – “Mbi Trininë Shenjte”. Ja o Zot, po vij të bëj vullnetin tënd.
Të hënë më 14 janar, kalendari do të përkujtojë shën Feliçin e Nolës, ipeshkëv, martir e shën Malakinë, profet.
Varri i shën Feliçit nga Nola njihet nga tradita e krishterë si “Ara veritatis” – “Altari i së vërtetës” sepse edhe pas vdekjes bënte mrekulli duke nxjerrë në shesh të vërtetën dhe duke luftuar gënjeshtrat e shpifjet.
Të martën më 15 janar kalendari kishtar përkujton edhe shën Palin, oshënarin e parë, shën Gjonin Kalibit, murg e shën Maurin, abat, shën Sekondinës e shën Probos. Liturgjia e ditës na kujton se kemi një Meshtar të madh pranë Atit Qiellor: Krishtin.
Të mërkurën më 16 janari sipas kalendarit bie përkujtimi i shën Marçelit I, shën Ticianit, shën Tamarit dhe të Lumit Jozef A. Tovini. Liturgjia e ditës na tregon historinë e Xakeut, përmes së cilës Jezusi na mëson se çdo me hirin Hyjnor çdo mund të gjejë udhën e vërtetë të jetës, duke braktisur rrugën e gabuar për t’u kthyer në udhën e Zotit.
Të enjten më 17 janar, kalendari përkujton shën Andout, Abat e oshënar. Shën Antoni ishte pranë të gjithë njerëzve që atij i drejtoheshin, çdo personi i jepte këshilla për t’u përsosur shpirtërisht, e për të qenë përherë i bashkuar me Zotin.
Ai ngushëllonte të mjerët, shëronte të sëmurët, mësonte vëllezërit në fushën shpirtërore.
Të premten më 18 janar, kalendari Kishtar përkujton shën Priskës, themeluese e kishës romake me të njëjtin emër në Aventin të Romës.
Kjo ditë është edhe dita për thellimin e dialogut fetar hebraiko-kristian, ndërsa fillon Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të vijojë deri më 25 janarin e ardhshëm. Kisha na fton të gjithëve të lutemi e të punojmë për këtë qëllim.
Të shtunën me 19 janar, kalendari përkujton
shën Gjermanikun, martir i Filadelfies, Shën Gjonin ipeshkëv të Ravenës, Shenjtorët Mario, Marta, Audifaci e Abaku martirë.
Ungjilli na tregon se si Jezusi përshkoi të gjithë Galilenë për t’u mësuar njerëzve punët e Hyjit e për të dikuar mrekullitë e Zotit në secilin prej atyre që e dëgjonin.
Të dielën e ardhshme me 20 janar, Kisha do të kremtojë të dielën e Dytë gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 20 janar kalendari Kishtar përkujton edhe shën Fabianin, papë e martir e shën Sebastianin, martir.
Liturgjia e së dielës na flet për fillimin e shenjave të bëra nga Jezusi, duke u nisur nga dasma e Kanës së Galilesë me shenjën e parë, atë të shndërrimit të ujit në verë. Kjo shenjë e parë bërë nga Krishti, vera, shpreh dashurinë besnike të Hyjit për njeriun, ndërsa uji, tregon njerëzimin që kërkon shndërrimin e shpëtimin. Këtë të diele kremtohet Dita e lutjes për bashkimin e të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.