Në Shqipëria barazia Gjinore dhe lufta kundër dhunës në familje ka qënë dhe mbetet
në fokus të veprimtarisë së Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të
Barabarta të Vendit përgjatë vitit 2012. Prej vitit 2005 është hartuar dhe zbatuar
një legjislacion i plotë në fushën e barazisë gjinore dhe kundër dhunës në familje. Në
këtë fushë, impenjimi kryesor për këtë ministri do të mbetet përfundimi i procesit
të ngritjes dhe funksionimit të strukturave vendore përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit.
Në arritjet e vitit që lamë pas, vlen të përmendet se Mekanizmi Kombëtar i Referimit
të Rasteve të Dhunës në familje u ngrit dhe në 10 bashki të reja, duke arritur në
total në 24 bashki të vendit. Prej më shumë se një viti, në zbatim të legjislacionit,
është ngritur dhe funksionon Qendra Kombëtare për pritjen e viktimave të dhunës në
familje. Gjithashtu, gjatë 2012, për herë të parë u përfshi në Kodin Penal parashikimi
i dhunës në familje si një vepër penale. Në të njëjtën kohë, një tjetër arritje në
këtë fushë shënon dhe ratifikimi nga Parlamenti i Konventës së Këshillit të Europës
"Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje". Lidhur
me luftën kundër diskriminimit me bazë orientimin seksual dhe përkatësisë gjinore,
është hartuar një plan masash që do të realizohen deri më 2014. Në fushën e barazisë
gjinore dhe luftës kundër dhunës në familje, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale
dhe Shanseve të Barabarta, ka si objektiv të saj që gjatë 2013 të përfundojë hartimin
e Strategjisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale 2013-2020.Gjithashtu, kjo ministri
do të vazhdojë punën për ngritjen e institucioneve në nivel vendor dhe qendror të
parashikuara në Ligjin "Për mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve" dhe ligjin "Për Barazinë
Gjinore dhe Dhunën në Familje".