Për Shën Ingjinin dihet pak e me siguri vetëm se e drejtoi Kishën universale për katër
vjet nga viti 138 deri në vitin 142. Mendohet se ishte me origjinë nga Athina. Vdiq
gjatë persekutimit të Antonit Pio. Aty nga fundi i shekullit të 11-të, Shën Ireneu,
duke u kthyer nga një udhëtim në Romë, hartoi listën e 12 ipeshkvijve, që pasuan njëri-tjetrin
në Selinë romake, duke nisur nga Shën Pjetri deri në ditët e tij. Igjini ishte i nënti
në radhë, i vetmi që mbante këtë emër, pasardhës i Telesforit, që dha një dëshmi të
shkëlqyer, domethënë u martirizua nën perandorin Adrian. Libri i Papëve si dhe
Martiriologu Romak pohojnë se edhe vetë Igjini pësoi martirizimin më 11 janar të vitit
140 (?), gjatë persekutimit të Antonit Pio dhe u varros pranë trupit të të lumit Shën
Pjetër, në kodrën e Vatikanit. Megjithatë, mund të themi se nuk ka prova të sigurta
që Ingjini të ketë vdekur martir. Të tjera ishin meritat e Papës athiniot. Gjatë
papnisë së tij të shkurtër, u pakësuan sulmet e paganëve kundër racës së re të “njerëzve
pa atdhe”, siç quheshin të krishterët, ndërsa Kisha u kërcënua nga përhapja e sekteve
heretike, në vetë gjirin e saj. Kështu Igjinit iu desh t’i bënte ballë për katër vjet
me radhë, herezisë njostike të Valentinit e të Çedonit, sipas të cilëve, besimtarëve
të thjeshtë u mjaftonte feja, ndërsa shkenca, që mund të shpjegojë nivelin filozofik
të fesë, u përkiste dijetarëve. Igjini, që ishte vetë filozof, i shkishëroi heretikët.
Vërejmë se pikërisht atëherë kur Barka e Shën Pjetrit kërcënohej nga dallgët e
herezisë, me prirjen ta bënte Zbulesën hyjnore një filozofi të thjeshtë fetare, në
fronin e Princit të Apostujve u ul një filozof, që u përpoq me të gjitha forcat për
ruajtjen e tërësisë së mësimit të vërtetë ungjillor. Duke ndjekur shembullin e
Adrianit, që kishte krijuar një aparat efikas burokratik, i cili siguronte mbarështimin
e perandorisë së pakufishme romake, ndërhyri në strukturën hierarkike, duke themeluar
Urdhrat e vegjël, sepse krijonin mundësinë për t’i shërbyer më mirë Kishës e për t’i
përgatitur kandidatët për meshtari, duke i afruar pak nga pak tek Misteret e shenjta.
Nga koha e tij arrin deri tek ne edhe prania e nunëve në Sakramentin e Pagëzimit.