2013-01-11 17:06:43

Ipeshkvijtë pro Tokës Shenjte: Evropa dhe Amerika të mos lejojnë Murin izraelit


Qeveritë e Evropës dhe të Amerikës të mos e lejojnë murin e ngritur nga Izraeli në Territoret palestineze. Kjo është kërkesa e ipeshkvijve të të dyja kontinenteve, që këto ditë, me cilësinë e anëtarëve të Koordinimit për Tokën Shenjte, vizituan shumë bashkësi katolike të Lindjes së Mesme, për t’u çuar të gjithë të krishterëve solidaritetin e përkrahjen e sivëllezërve të tyre në mbarë botën.
Barriera me çimento, e lartë sa një pallat pesëkatësh, që Izraeli vazhdon ta ndërtojë për t’i ndarë territoret e veta nga ato të palestinezëve, sipas ipeshkvijve, tregon etjen e tepruar për një siguri absurde. Në komunikatën e tyre, në përfundim të vizitës, ipeshkvijtë flasin për “padrejtësi” dhe premtojnë se do të bëjnë ç’është e mundur, që qeveritë e vendeve të tyre ta kundërshtojnë me të gjitha mjetet e format.
Ipeshkvijtë përmendin vizitën e tyre në Gazë, Betlehem, Beit Zhala, Madaba dhe Zarqa. Shkruajnë se panë shenja lufte e dhune nga Siria, dëgjuan dëshmitë e refugjatëve e të njerëzve, që i ndihmojnë, folën me viktima të trafikut të njerëzve dhe me të burgosur. “Feja jonë – nënvizojnë ipeshkvijtë – u pasurua nga forca e guximit të këtyre njerëzve e kjo na nxit të punojmë për arritjen e paqes”. Kisha investon në arsimimin e brezave të rinj të këtyre vendeve. “Askund nuk është më e qartë kjo se në Universitetin e Betlehemit – shkruhet në komunikatë – ku na bënë përshtypje historitë e studentëve, si edhe në Universitetin amerikan të Madabës në Jordani”.
Ipeshkvijtë evropianë dhe amerikanoveriorë u bëjnë thirrje besimtarëve të ndihmojnë konkretisht të krishterët e Tokës Shenjte, gjithnjë e më të paktë në numër, si edhe të impenjohen për t’i bindur qeveritë e vendeve të tyre të pranojnë shkaqet e kësaj situate e të punojnë për njohjen e dy shteteve sovrane, ku izraelitët e palestinezët të jetojnë në paqe.







All the contents on this site are copyrighted ©.