Ipeshkvi kosovar imzot Mark Sopi (1938-2006), lindi në fshatin Binçë, komunë
të Vitisë së Kosovës, më 26 shkurt 1938 në një familje të mirë, të madhe, fetare e
bujare, pasardhëse e “Martirëve të Karadakut (1848-18480), e cila Markun qysh nga
fëmijëria dhe rinia e pati edukuar e frymëzuar në dritën e fesë së krishterë. Pas
shkollimit fillestar në Viti, gjimnazin klasik e kreu në Pazin të Kroacisë, pastaj
studimet filozofike e teologjike në Zagreb dhe në Romë.
Shugurohet meshtar
më 29 qershor 1968 në Romë dhe Meshën e parë e kremtoi në vendlindje në Binçë. Don
Dedë Ramaj, famullitari i Stubllës e Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës kremtore
pat thënë:“Mos harro biri i kujt je, së pari i Zotit, pastaj i Kishës sonë martire,
pasardhës i tyre, pastaj i bashkësisë famullitare dhe i familjes… Ndero të parët
e ndero vetveten, sepse ke gjurma për të ndjekur nga lashtësia e historia…”.
Don
Mark Sopi për pesë vjet shërbeu si famullitar në Ferizaj dhe si sekretari i ipeshkvit
ndihmës të Shkup-Prizrenit imzot Nikë Prelës. Në vitin 1974 qe emëruar famullitar
i fshatit Zllakuqan afër Klinës.
Prej vitit 1974 deri në vitin 1991 në Zllakuqan
e në rrethinë bëri shërbime të shumëfishta, ndër të cilat duhet theksuar organizimin
e jetës baritore, ndërtimin e Kishave, kapelave, meremetimin e Kishës amë në Zllakuqan,
përgatitjen për themelimin e dy famullive kishtare të reje, të Klinës dhe të Budisalcit.
Ishte
pjesëmarrës e prijës shpirtëror edhe në pajtimet e gjaqeve gjatë viteve 1990, bamirës
dhe babë për të mjerë dhe të varfër, këshilltar për të pasigurt, ngushëllues për të
pikëlluar, udhëheqës për të pavendosur, me një fjalë vëlla, atë, gjithçka.
Përpos
këtyre punëve tejet të rëndësishme dhe mjaft të vështira, me plotë sfida dhe rreziqe,
ai kurrë nuk ishte ndarë nga shkrimi e leximi, si bashkëpunëtor i zellshëm i revistës
fetaro-kulturore “Drita”, pastaj në Durrës i revistës “Vegim Drite”. Botoi edhe këto
vëllime: Baca Kolë dhe famullitari (1995), Martirët e Karadakut (1996), Koncilët ekumenike
(2000), Shën Luçia (2001).
Imzot Mark Sopi fill pas rënies së diktaturës në
Shqipëri, së bashku me don Damjan Kurtin, shkoi në Durrës si misionar për ta ndihmuar
dhe shërbyer këtë Kishë e Popull martir, duke dëshmuar kështu dashurinë vëllazërore
e përkushtimin ndaj misionin të tij meshtarak.
Më 23 nëntor 1995 qe emëruar
ipeshkëv i Kosovës, shugurimin ipeshkvnor e merr nga Papa Gjon Pali II më 6 janar
1996 në Vatikan, së bashku me 13 të tjerë nga mbarë bota. Imzot Mark Sopi e mori udhëheqjen
e Kishës katolike në Kosovë me seli në Prizren më 18 shkurt 1996 dhe atë e udhëhoqi
deri në kalimin e tij në shtëpinë e Atit Qiellor më 11 janar 2006.
Duhet kujtuar
se imzot Mark Sopi e udhëhoqi Kishës katolike të Kosovës para luftës me guxim para
shumë rreziqeve, pasigurive, duke mbrojtur të gjithë nga rrebeshi i dhunës.
Para,
gjatë e pas luftës në Kosovë imzot Mark Sopi si bari i grigjës që iu kishte besuar,
jo vetëm i asaj katolike, por i të gjithëve, i atyre që s’kishin mbrojtje, përkrahje,
liri, dinjitet. Gjatë këtyre dhjetë viteve ishte kudo lypej dhe kërkohej, sidomos
në takime me vendorët dhe ndërkombëtaret, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar
dhe punuar për të mirën e përbashkët.
Të keqes i tha gjithnjë jo, të mirës
gjithnjë po. I qetë e i vendosur, i guximshëm në vendime e në qëndrime, me Imzot
Mark Sopin Kisha Katolike në Kosovë u bë gjithnjë më e njohur dhe e pranishme në hapësirat
kosovare, sidomos përmes Karitasit në ndihmë për ata njerëz që qenë goditur nga lufta,
duke ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të djegura, shkollave të rrënuara, spitaleve
të shkatërruara, rrugëve e sidomos në përtëritjen e zemrës së njeriut.
Po
kështu ishte gjithnjë në kërkim të mundësive të reja për përfshirjen e Kishës katolike
në çështjet shoqërore, kulturore, arsimore. Vdiq në punë, gjatë një takimi të rastit
rreth Katedrales të së Lumes Nenë Terezë në Prishtinë.
Nuk duhet harruar fjalën
që pat në Kongresin Amerikan më 18 maj 2005, ku me këmbëngulje e me argumente mbrojti
qëndrimet kosovare e kërkoi demokraci, liri, barazi e respektin e të drejtave njerëzore
për të gjithë qytetarët kosovarë.
Imzot Mark Sopi, gëzonte autoritet e përkrahje,
si në qarqe të larta shtetërore, po ashtu edhe ato kishtare. Ai punoi e shpenzoi
jetën për ti komunikuar mbarë botës, vlerat dhe vuajtjet e popullit të vet, duke ndihmuar
kështu për të mirën e dobinë e kishës e të popullit shqiptar.