2013-01-10 15:54:56

Çelësi i fjalëve të Kishës: "Ne besojmë" e Papës Pali VI, pjesa e parë


Të dashur dëgjues, në emisionet e kaluara reflektuam për “Besojmën e krishterë”, duke e komentuar atë fjalë për fjalë. Duke shpallur Vitin e Fesë, në letrën “Porta Fidei”, Papa Benedikti XVI thekson: “Nuk mund të pranojmë që kripës t’i ikë shija e drita të mbahet fshehur. Edhe njeriu i sotëm mund ta ndjejë sërish nevojën për ta dëgjuar Jezusin, si samaritania e pusit… Duhet ta rigjejmë kënaqësinë e ushqimit me Fjalën e Zotit, transmetuar nga Kisha me besnikëri, si edhe me Bukën e jetës, ofruar për të mbështetur dishepujt e Tij. Mësimi i Jezusit jehon akoma në ditët tona, me të njëjtën forcë: 'Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim, që qëndron për jetën e amshueshme'” (Gjn 6,27).
Vetë Benedikti XVI kujton më pas, se nuk është hera e parë që Kisha kremton një Vit Feje. Në vitin 1967, edhe Papa Pali VI e pati shpallur për të kujtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Më 30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, nga sheshi i Shën Pjetrit, Pali VI shqiptoi një “Besojmë”, që ka mbetur në histori si teksti, i cili u kalon brezave të ardhshëm gjithë trashëgiminë e fesë së krishterë, për ta dëshmuar në çdo kohë e në çdo vend. Këtë “Besojmë” po fillojmë ta themi sot, të ndarë në pjesë, që do t’i transmetojmë edhe në emisionet e ardhshme të rubrikës “Çelësi i fjalëve të Kishës”. Është “Besojma e krishterë” e shpjeguar nga Papa Pali VI. Por ja pjesa e parë:
“NE BESOJMË në një Zot të vetëm, Atin, Birin e Shpirtin Shenjt, krijuesin e të gjitha sendeve të dukshme, siç është bota jonë ku rrjedh kjo jetë kalimtare, edhe të sendeve të padukshme, siç janë shpirtrat e kulluar, që quhen ndryshe engjëj, e në Krijuesin e frymës shpirtërore e të pavdekshme në çdo njeri.
NE BESOJMË se ky Zot i vetëm është absolutisht një në thelbin e Tij pafundësisht të shenjtë, ashtu si në të gjithë përsosurinë e Vet, në gjithpushtetin, në shkencën e Tij të pafund, në provaninë e Tij, në vullnetin dhe në dashurinë e Tij. Hyji është ‘Ai që është’, siç ia zbuloi vetë Moisiut (shih Ex. 3,14); e Ai është Dashuri, siç na mëson shën Gjoni Apostull (shih 1 Io. 4,8): kështuqë, këta dy emra, Qënie e Dashuri, shprehin pa dyshim të njëjtin Realitet hyjnor të Atij, që deshi të njihej prej nesh, e që “duke banuar në dritën e paafrueshme” (shih 1 Tim 6,16) është në Vetvete përmbi çdo emër, përmbi të gjitha sendet e përmbi çdo inteligjencë të krijuar. Vetëm Zoti mund të na japë njohuritë e drejta e të plota për Vetveten, duke u zbuluar si Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë, në jetën e amshuar të të cilit, ne jemi thirrur të marrim pjesë për hir të Tij, këtu poshtë, në errësirën e fesë dhe, përtej vdekjes, në dritën e pambaruar, në jetën e amshuar. Lidhjet e ndërsjellta, që përmbahen përjetësisht në tri Vetjet, secila prej të cilave është e vetmja dhe e njëjta Qënie hyjnore, janë jeta e lumnueshme e brendshme e Zotit tri herë të shenjtë, pafundësisht përtej gjithçkaje mund të konceptojmë, sipas masës sonë njerëzore (shih Dz.-Sch. 804). Ndërkaq, falenderojmë Mirësinë hyjnore për faktin se shumë besimtarë mund të dëshmojnë së bashku me ne, para njerëzve, Unitetin(Njëninë) e Zotit, pavarësisht se nuk e njohin misterin e Trinisë Shenjte.
Ne pra, besojmë në Atin, që lind në amshim Birin; në Birin, Fjala e Zotit, që lindet në amshim; në Shpirtin Shenjt, Vetje jo e krijuar, që rrjedh prej Atit e prej Birit si Dashuri e tyre e amshuar. Në këtë mënyrë, në tri Vetjet hyjnore, “coaternae sibi et coaequales” (Dz.-Sch. 75), gjenden me begati e kalojnë, në shkëlqimin më të lartë e në lavdinë e vetë Qënies jo të krijuar, jeta dhe lumnia e Zotit përsosurisht një i vetëm; e gjithnjë “duhet të nderohet Njënia në Trini e Trinia në Njëni” (Dz.-Sch. 75)".








All the contents on this site are copyrighted ©.