2013-01-10 14:39:57

Shqipëri: ndihmë për personat me aftësi të kufizuara


Mbështetja e personave me aftësi të kufizuara ka qenë vazhdimisht në fokus të politikave të Qeverisë shqiptare, duke rritur numrin e përfituesve dhe masën e përfitimit. Nga 90 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarë të tyre, që mbështeteshin me pagesa në vitin 2005, në 2013 numri i tyre ka arritur në 147 mijë. Për mbështetjen e tyre është rritur dhe buxheti, i cili nga 6.1 miliardë lekë është bërë 13 miliard lekë.
Në vitin 2005 mbështeteshin me një pagesë prej 6 800 lekë në muaj 12 500 të verbër dhe kujdestarë, ndërsa sot numri i përfituesve ka shkuar mbi 16 000, dhe gjithashtu dhe masa e përfitimit është rritur në 10 900 lekë në muaj.
1400 persona para/tetraplegjik dhe kujdestarë të tyre në vitin 2005 janë mbështetur me një pagesë mujore prej 6 800 lekë në muaj, ndërsa në 2013 do të jenë mbi 12 mijë përfitues, që do të mbështeten me 9 500 lekë në muaj. Gjatë këtyre viteve personat para/tetraplegjikë janë mbështetur me pagesë të veçantë për paketën higjieno sanitare, e cila arrin në 16 000 lekë në muaj, nga 0 lekë që ishte në 2005. Gjithashtu, kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara tashmë përfitojnë edhe sigurime shoqërore.
Krahas këtyre arritjeve, qeveria shqiptare është e impenjuar të marrë masat e nevojshme që garantojnë integrimin e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri. Këto masa duhet të jenë dhe në zbatim të detyrimeve që lindin pas ratifikimit në 2012 të Konventës së OKB "Për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara", që siguron të drejta më të mëdha për këtë kategori dhe parashikon trajtimin e paaftësisë jo thjesht nga këndvështrimi mjekësor, por edhe social
Gjithashtu nisma e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të nxisë dhe institucionet e tjera publike qendrore dhe lokale, që gjatë 2013 të bëjnë më të afrueshme e të lehta ambientet e tyre të brendshme për personat me aftësi të kufizuara.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.