2013-01-10 14:14:35

Më shumë besimtarë ndër shenjtërore, sesa ndër kisha. Me ne, teologu imzot Koda dhe studiuesi Janakone


Shenjtëroret plot, kishat bosh! Duket kjo panorama, që përshkruhet nga disa studiues të cilët nga njëra anë vënë në dukje dyndjen e vazhdueshme të njerëzve, që vizitojnë shenjtëroret, e nga ana tjetër, pakësimin e pjesëmarrjes së besimtarëve në jetën e famullisë. Fenomeni nuk i ka prekur ende dukshëm kishat në trojet shqiptare, që vijonë të ndiqen çdo ditë nga shumë besimtarë, ndërsa shenjtëroret vijojnë të mbushen plot në të gjitha stinët e vitit, me e pa raste festash. Kujtojmë shenjtëroren kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë, bri Rozafës, në Shkodër; Shenjtëroren e Shëna Ndout në Laç, Shenjtëroren e Zojës në Letnicë e atë të Shëna Ndout, në Gjakovë. Megjithatë, disa nga reflektimet e mëposhtme vlejnë edhe për viset shqiptare, në një epokë ndryshimesh të përditshme edhe në jetën fetare të të gjithë besimtarëve.
Reflekton për këtë fenomen, në mikrofonin tonë, teologu imzot Piero Koda, drejtor i Institutit Universitar Sofia di Lopiano:

Përgjigje: - Është fenomen, që duhet deshifruar me vëmendje. Përmban një mesazh të rëndësishëm, që duhet kuptuar mirë nga bashkësia e krishterë. Aspekti, pa dyshim pozitiv, është se shtegtimi drejt shenjtëroreve, drejt vendeve të lutjes e të heshtjes, tregon se shpirti njerëzor ka nevojë për fenë, se në të rizgjohet vazhdimisht etja për t’u takuar me Zotin. Shekullarizmi tejet i përhapur dhe prirja për masifikimin dhe uniformizimin, rizgjojnë nevojën e thellë për jetë shiprtërore. Njeriu, me një jetë tepër horizontale, nuk mund të mos ndjejë edhe nevojën e një jete tjetër, vertikale, që e shtyn t’i ngrejë sytë nga qielli e të kërkojë diçka më tepër, më njerëzore e, prej këndej, edhe më hyjnore. E kjo, sepse zemra e njeriut, siç thoshte Shën Agostini, është bërë për Zotin. Prandaj kërkon absolutisht takimin me Zotin, edhe atëherë kur duket se njeriu kërkon vetëm heshtjen, për të njohur më mirë vetveten. Edhe një kërkim i tillë, në fund të fundit, s’është tjetër, veçse etje për të gjetur Zotin.

Pyetje: - Secili, siç thatë edhe ju, është në kërkim të takimit me Hyjin e me Jezu rishtitn. E kjo është gjëja më e rëndësishme. Por ka edhe një përmasë tjetër për të krishterin. Është ajo e jetës shpirtërore në bashkësi. Sipas jush, duhet ruajtur kjo përmasë?

Përgjigje: - Natyrisht, sepse mungesa e saj e dëmton përvojën dhe origjinalitetin e krishterë, që është fakt komunitar. Jetohet vetmia, çasti i nevojshëm i lutjes, për t’u rikthyer, pastaj, tek jeta e përditshme e për të depërtuar në masën e shoqërisë, për ta mbruajtur me tharmin e Ungjillit. Prej këndej, nuk mund të mos pyesin sa arrijnë bashkësitë tona të krishtera t’i puqin këto dy horizonte: vertikalin, që çon në takimin me Zotin, i cili bëhet i pranishëm përmes Jezusit të gjallë në zemrën e bashkësisë së krishterë, e horizontalin, tharmjen e brumit me tharmin e Ungjillit. Vetëm përmes përputhjes së të dy horizonteve, bashkësitë famullitare e dioqezane mund të jenë ashtu, si duhet të jenë, deri në fund të fundit. Bashkësia, brenda së cilës Krishti është i pranishëm, siç e thekson edhe Koncili II i Vatikanit, bëhet e pranishme në mënyra të ndryshme, si kumtimi i Fjalës, Eukaristia, vetë bashkimi i vëllezërve e motrave të mbledhura në emër të Krishtit. Përmasë themelore, kjo. Është sfidë e madhe për bashkësinë të dijë ta rrezatojë praninë e Krishtit, ta mishërojë në gjirin e shoqërisë sonë, të ndërlikuar e të vështirë. Perspektivë e madhe kjo, që ka të bëjë me aktualizimin deri në fund të mësimit të madh të Koncilit II të Vatikanit.

Për të na folur për ndjenjat fetare, shenjtëroret dhe kishat, edhe në planin e komunikimit e të mjeteve të komunikimit, ftuam në mikrofonin tonë studiuesin e historisë së krishterimit e të komunikimit fetar, Mario Arturo Ianakone:

Përgjigje: - Sigurisht ka shenjtërore, që janë gjithnjë plot, e ky nuk është fenomen i sotëm, por i kahmotshëm. Statistikat na kujtojnë se fenomeni nuk është ndalur kurrë, ka qenë gjithnjë i pranishëm në shekuj, edhe në shekullin e kaluar. Shenjtërorja ka një karakteristikë të veçantë: në të gjen themeloren, gjen heshtjen, lutjen, lidhjen personale me Hyjin. Madje në shenjtërore deri komunikimi është më i thjeshtë, duke nisur nga komunikimi ndërmjet meshtarit e besimtarit. Ndërsa në kishat qytetare, që ndiqen zakonisht, nganjëherë ky komunikim bëhet më i vështirë. Mungon qartësia, thjeshtësia. Sfida është të krijohet edhe në kisha ajo atmosferë, që krijohet në shenjtërore, të ndjehet përmasa vertikale, çiltërsia e komunikimit, që vërehet në shenjtërore.

Pyetje: - Sipas jush, a mund të bëhen pengesë edhe oraret e kishave të ndryshme? Disa nga kishat, sidomos ato të qendrës, i gjen shpesh të mbyllura në disa orare. Ndoshta shenjtëroret krijojnë mundësi më të mëdha në këtë drejtim...

Përgjigje: - Absolutisht po. Kjo natyrisht lidhet edhe me mungesën e meshtarëve në këtë çast e në disa zona e, prej këndej, edhe gjatë pasdites ka kisha me dyer të mbyllura, ose kisha që hapin në orën 18.30 a në 19.00. Ndërsa shenjtëroret janë plot gjithë ditën, sepse gjithë ditën me dyer të hapura dy kapakësh.

Pyetje: - Ç’mendoni për fenomenin: shenjtëroret plot e kishat bosh? Është edhe fenomen mediatik...

Përgjigje: - Duhet ta dallojmë komunikimin e Kishës nga komunikimi për Kishën. Në komunikimin për Kishën, shpesh herë spektakularizohet fenomeni i shenjtëroreve ku ka dukje, sidomos dukje të Zojës, edhe atëherë kur këto dukje janë pothuajse të panjohura.

Pyetje: - Të krijohet përshtypja se nganjëherë flitet për Kishën si institucion, e jo si popull i Zotit, ndërsa për shenjtëroren, si për një ishull të lum përshpirtërie? Kalon ky mesazh edhe përmes mjeteve të komunikimit?
Përgjigje: - Po, është e vërtetë. Ky mesazh kalon dhe është i gabuar, sepse në të vërtetë Kisha është populli, janë laikët, është kishëza e lagjes, e fshatit; nuk është vetëm shenjtërorja e madhe, nuk është vetëm vendi, ku pushteti hyjnor dëftohet përmes mrekullive ose në ndonjë mënyrë tjetër. Pastaj kalon Kisha e shkandujve, sepse kjo u pëlqen ca mediave, ca komunikatorëve, ndërsa Kisha e përditshme, Kisha e një meshtari të vetëm, ose e një grupi, që bën vepra bamirësie, rrezikon të zhduket, ose të duket vetëm kur flitet për ndonjë ngjarje tejet të rëndësishme. Unë e di se ka shumë vepra të mira ungjillëzimi në këtë çast, që kalojnë edhe përmes internetit e përmes një sërë konferencash e revistash. Më duket se diçka po lëviz.







All the contents on this site are copyrighted ©.