2013-01-10 11:21:45

Kardinali Sandri në Egjipt: të krishterët kalojnë kohë të vështira; reformat të respektojnë lirinë fetare.


“Është urgjente që zonat lindore ta ndjejnë se Kisha shqetësohet shumë për to”: këtë pohoi kardinali Leonardo Sandri, këto ditë për vizitë në Egjipt. Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kryesoi sot paradite në Kairo, Meshën për dyqindvjetorin e lindjes të së Lumes Maria Troiani, themeluese e Motrave Françeskane Misionare të Zemrës së Papërlyer të Marisë, të cilat në kryeqytetin egjiptian drejtojnë një mori veprash edukative e asistenciale. Mbrëmë kardinali Sandri u takua me Patrikun kopto-ortodoks Tawadros, i cili shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme. Për pritjen e ngrohtë, që e po gjen kudo shkon, ta dëgjojmë vetë kardinalin Sandri, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Një pritje jashtëzakonisht e përzemërt, e ngrohtë, nga ana e sivëllezërve katolikë, ipeshkvijve, meshtarëve e rregulltarëve. Kremtova dy përvjetore: 100- vjetorin e themelimit të Kongregatës së Motrave Egjiptiane të Zemrës së Krishtit, e tani, edhe 200 vjetorin e lindjes së themelueses së Motrave Françeskane Misionare të Zemrës së Papërlyer të Marisë, që janë prej kohe këtu, në Egjipt e kryejnë një mori veprimatarish. Prej këndej, mund të them se është një vizitë, që shquhet nga mikpritja më e ngrohtë kishtare, pritje e përzemërt nga ana e sivëllezërve tanë, që jetojnë këtu mes shumë vështirësive. Shumë i përzemërt edhe takimi me Patrikun kopto- ortodoks Tawadros, që pranoi të më priste e unë, plot gëzim e shpresë, shkova ta vizitoj e edhe ta uroj për misionin e tij e për gjithçka mund të bëjë për sivëllezërit tanë katolikë. Po e kujtoj përsëri se pata një pritje vërtet vëllazërore nga ana e Kishës Katolike, që ndjen një dashuri të thellë për Atin e Shenjtë. Të gjithë i mirëpritën fjalët e Papës, drejtuar këto ditë Trupit Diplomatik, duke e ndjerë fuqimisht vëmendjen, që u kushtojnë bashkësitë e krishtera të perëndimit.

Pyetje: - Si është gjendja e bashkësive të krishtera në Egjipt, në këtë çast tejet të veçantë?

Përgjigje: - Në këtë çast ato vuajnë shumë: nganjëherë dëgjojnë zëra kërcënuese për vetë ekzistencën, zëra të izoluara, që flasin për zhdukjen e tyre nga Egjipti; sidoqoftë, në këto çaste e vijojnë veprimtarinë e tyre. Për shembull, Motrat Françeskane Misionare të Zemrës së Papërlyer të Marisë kanë shkolla shumë të rëndësishme, këtu, në Kairo, ku edhe myslimanët i dërgojnë bijat e tyre, me shumë besim në shkollimin që marrin e edhe me shumë frymë miqësore. Kështu, nga njëra anë, jemi para një situate të trishtuar, për shkak të zërave të izoluara, që ngrihen kundër të krishterëve, ndërsa në jetën e përditshme, posaçërisht rregulltaret, por edhe vëllezërit françeskanë, meshtarët, trajtohen vërtet vëllazërisht nga ana e popullit, sepse njerëzit i shikojnë me sytë e tyre të mirat, që bëjnë, si në fushën e arsimit, ashtu edhe në atë të shëndetësisë e të zhvillimit të gjithanshëm të egjiptianëve.

Pyetje: - Disa të krishterë kanë frikë nga përfshirja e parimeve të Sharisë në Kushtetutë…

Përgjigje: - Natyrisht. E prandaj Papa ka thënë: urojmë që, në këtë periudhë reformash kushtetuese në Egjipt, të gjithë të luten e të jenë shpirtërisht pranë tyre, që Zoti t’u prijë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut; në radhë të parë, të lirisë fetare, si dhe të drejtave të tjera, që i shërbejnë dinjitetit të njeriut: të drejtës për shkollim, për të jetuar, për shtëpi, për ushqim, për punë. E theksoj këtë të fundit, sepse këtu ka shumë të papunë. Shpresojmë se në këto reforma kushtetuese do të përfshihen të gjitha parimet, që të kujtojnë jo vetëm ‘pranverën arabe”, por edhe, e sidomos, ‘pranverën njerëzore’, pranverën e njeriut me dinjitet të plotë.

Pyetje: - Ju u takuat edhe me Patrikun kopto-ortodoks Tawadros. Ç’mund të na thoni për marrëdhëniet ekumenike…

Përgjigje: - Janë marrëdhënie shumë të përzemërta. Ai më foli për ekumenizëm teologjik, e ky ekumenizëm, më tha, nuk është i lehtë, por duhet kujtuar se kemi edhe një ekumenizëm tjetër, atë të dashurisë, në të cilin ne duhet të vijojmë e të ecim së bashku, me gjithë impenjimin dhe besimin e mundshëm. Ka shumë shenja shprese nga ana e Patrikut të ri kopto-ortodoks.

Pyetje: - Clat janë shpresat kryesore të Kishës në Egjipt?

Përgjigje: - Që të vijojë veprimtaritë e saj, siç ka bërë deri tani, përmes urdhërave mashkullore e femërore, përmes laikëve, përmes edukimit, kushtuar këtij populli. Që Egjipti të rifitojë vërtet rolin e vet në Lindjen e Mesme e në botë; atë rol madhështie njerëzore, historike, kulturore e civile, që e karakterizoi në të kaluarën e vet, e shpresojmë se do ta shikojmë edhe në të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.