2013-01-09 14:58:16

Revoltë në kampin e Zaatarit në Jordani. Imzot Laham: të krishterë e myslimanë, një zemër për refugjatët sirianë


Dëbora, era e shiu i akullt, që këto ditë kanë marrë në shënjestër Jordaninë, kanë shkatërruar pothuaj krejtësisht kampin e Zaatarit, ku jetojnë në një gjendje gjithnjë e më të patolerueshme, 50 mijë refugjatë sirianë. Sipas lajmeve nga Karitasi i Jordanisë, janë prishur së paku 500 tenda e shumë prej refugjatëve kanë marrë rrugën e kthimit për në Siri. Dje pasdite, një grup i dëshpëruar sulmoi edhe personelin e OKB-së, që administron kampin. Karitasi kërkon prej kohësh mbylljen e kampit të Zaatarit dhe hapjen e një kampi tjetër në zonës e Zarqasë, por ky operacion shtyhet gjithnjë në një ‘hidh e prit’ përgjegjësish ndërmjet qeverisë jordaneze dhe zyrtarëve të OKB-së. Deri tani, në Jordani janë strehuar 280 mijë sirianë.
Ndërkaq, në Lindjen e Mesme, vazhdon shtegtimi vjetor i ipeshkvijve evropianë dhe amerikanoveriorë, të cilët u çojnë solidaritetin e Kishave të tyre të krishterëve të Tokës Shenjte. Grupi po qëndron pikërisht në Jordani, ku ndihma për refugjatët sirianë impenjon edhe rreth 200 mijë të krishterët e vendit, gjysma e të cilëve, katolikë. Kisha Katolike vlerësohet nga të gjithë pikërisht për punën e saj në ndihmë të shoqërisë. Të dëgjojmë ipeshkvin e Amanit, imzot Marun Elias Laham:
Kisha respektohet shumë dhe ka mjaft ndikim në fushat e ndihmës shoqërore, të formimit njerëzor e profesional. Dihet se shkollat tona famullitare ekzistonin me vite para shkollave publike në Jordani. Edhe përsa u përket refugjatëve kemi përvojë të madhe. Merremi me refugjatët e Palestinës, që janë këtu prej 60 vjetësh. Pastaj, në vitet ’70, erdhën refugjatët libanezë e që prej 12 vjetësh mbërrijnë refugjatë irakianë. Tani, kemi edhe sirianët. Jordania nuk mund t’i mbyllë kufijtë, sepse këta janë vëllezërit tanë arabë, që e kemi për detyrë t’i presim. Po bëjmë ç’është e mundur, por duhet kujtuar se Jordania është vend i varfër, nuk ka struktura për mikpritjen e refugjatëve e, jemi i katërti vend i botës për mungesën e ujit të pijshëm.
Ky nuk është problem i vogël, pasi refugjatët përdorin ujin, që do të duhej të shkonte në shtëpitë e jordanezëve, apo jo?
Po, por kur e do tjetrin, duhet t’i ndash gjërat me të. E kjo nuk është vetëm vlerë e krishterë, por vlerë arabe. Bujaria, hapja e portës për tjetrin e ndarja e bukës me të janë vlera arabe e ne jemi krenarë për to. Ndajmë me vëllezërit myslimanë edhe interesat kryesore, si paqja dhe siguria e Jordanisë. Kur shohim ç’po ndodh në Siri e në Irak, i lutemi Zotit të gjithpushtetshëm të na japë qetësi e siguri.







All the contents on this site are copyrighted ©.