2013-01-09 12:17:15

Papa kopt Tawadros ndërmjet veprimtarisë baritore e perspektivave politike në Egjipt


Gjatë kremtimeve të Krishtlindjes, përmes homelive dhe fjalimeve publike, kreu i koptëve të krishterë të Egjiptit, Papa Tawadros spikati si personalitet i ri i krishterë, në kalimin e vështirë historik të Egjiptit drejt një epoke të re.
“Të lutemi për këtë komb të dashur. Ta duam tokën tonë, viset, që i lag Nili, e të jemi krenarë që i përkasim këtyre trojeve”. Me këto fjalë papa kopt Tawadros iu drejtua, të hënën e kaluar, egjiptianëve, gjatë Meshës së mesnatës, kremtuar në katedralen e Abasijisë. Ishte Krishtlindja e tij e parë kjo, që kremtonte Kairoja. E shumëkush në Egjipt pa, në figurën e tij, prijësin e ri të madh të bashkësisë së krishterë në vend, që i preku të gjithë me stilin e tij, shumë të ndryshëm nga ai i paraardhësit, Shenudës III.
Pavarësisht nga tensionet e javëve të kaluara, gjatë ritit të Solemnitetit papa i ri kopt u lut për presidentin egjiptian, Mohamed Morsi, nga i cili kishte marrë telefonikisht urimet më të mira për Krishtlindje. “T’i lutemi Zotit ta mbrojë, tha papa i ri egjiptian, e t’i japë urti për ta udhëhequr kombin”. Një ftesë edhe më të qartë bëri për pajtimin dhe bashkimin e vendit, përmes intervistave që dha në atmosferën e festës së madhe. I pyetur nga agjencia turke Anadolou, nuk ngurroi ta quante përçartje idenë e disa përfaqësuesve të diasporës kopte të cilët urojnë ngritjen e një shteti–enklav kopt, përballë rrezikut të qeverisë së vëllezërve myslimanë. Hamendje kjo, që nuk do ta pranonte asnjë i krishterë egjiptian sepse, shpjegon papa kopt, vendi është i bashkuar që nga koha e faraonit Menes.
Tawadros shkoi edhe më tej në një intervistë televizive, transmetuar natën e Krishtlindjes nga Al Jazeera English, kanali në gjuhën angleze i Network-ut më të madh të botës islamike. Duke iu përgjigjur drejtueses, Rawya Rageh, që e pyeti cili ishte mesazhi i tij drejtuar egjiptianëve, papa kopt u përgjigj se vendi ka nevojë për stabilitet, pas dy vjet revolucioni. Kemi nevojë për një fillim të ri, shtoi, prandaj është mirë t’i japim fund manifestimeve në shesh e të rifillojmë me të vërtetë e të gjithë së bashku, ndërtimin e një shoqërie të re egjiptiane.
Lidhur me ndeshjet për Kushtetutën shpjegoi, pastaj, se largimi i përfaqësuesve koptë nga Asambleja kushtetuese ishte pasojë e shqetësimit, që ngjallën disa nene. Kushtetuta, saktësoi, po i kundërvihej konceptit të barazisë ndërmjet të gjithë qytetarëve. Në këtë pikë, shtoi, duhet të presim si do të zbatohen praktikisht këto nene: do të verifikojmë në se do të përhapin frymën ekstremiste apo jo. E pastaj do të vendosim ç’qëndrim duhet mbajtur. Edhe nga ekranet e Al Jazeer-ës, së fundi, Tawadros nënvizoi se roli i Kishës ndryshon nga ai i politikës. Në dhjetëvjeçarët e fundit koptët kanë qenë gjithnjë të persektuar, kujtoi, por pas revolucionit të 25 janarit 2011, mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, si të gjithë egjiptianët e tjerë.
Më parë, kur kishte probleme të mprehta, mund të prostetonin vetëm në katedrale, tani mund të manifestojnë lirisht në Sheshin Tahrir ose jashtë televizionit të shtetit. Është një nga rezultatet pozitive, që u arrit nga revolucioni. Nga ana ime, shtoi, i nxit të gjithë ipeshkvijtë dhe meshtarët të shikojnë më shumë misionin e tyre shpirtëror në gjirin e Kishës, e pastaj t’u shërbejnë njerëzve në shoqëri përmes realiteteve si shkollat e spitalet. Sipas papës së ri kopt, në Kishë nuk ka vend për politikë. Me përjashtim të rastit kur mbrohet barazia e qytetarëve, sqaroi, duke uruar të mos konsiderohet ndërhyrje politike. “Unë nuk mendoj kështu”, theksoi në përfundim papa Tawadros.







All the contents on this site are copyrighted ©.