Më 9 janar, kalendari Kishtar përkujtonShën Adrianin e Kanterburit, abat
I lindur në Afrikë, Adriani ishte abat i Neridës, kur Papa shenjt Vitalizi e thirri
të drejtonte selinë ipeshkvnore të Kanterburit. Por ai nuk pranoi e shprehu dëshirën
të zëvendësohej nga Teodori i Tarsit, që u bë më pas një nga kryeipeshkvijtë më të
mëdhenj të selisë primate të Anglisë. Papa e pranoi dëshirën e tij, por me kusht që
ta kishte si këshilltar e ndihmës. Teodori e emëroi abat të manastirit të lashtë të
Shën Pjetërit e Pal Apostuj, që më më pas do të merrte emrin e Shën Agostinit. Nën
udhëheqjen e Adrianit e ndikimin e Teodorit, manastiri u bë një nga qëndrat më të
rëndësishme të formimit për shumë ipeshkvij të ardhshëm dhe ushtroi ndikim të fuqishëm
mbi gjithë krishtërimin e kohës. Abati Adrian qe mësues për dyzet vjet me radhë. Dha
latinishten, greqishten, të drejtën romake, Shkrimin Shenjt e Etërit e Kishës. Studentët
mblidhehsin nga e gjithë Anglia e madje edhe nga Irlanda. E kjo, sepse një nga nxënësit,
Shën Aldelmi, më pas ipeshkvi i parë i Sherbornit, ishte i mendimit se mësimi që jepej
në manasirin e Kanterburit ishte i një cilësie shumë të lartë e ua kalonte të gjithë
shkollave të larta të Irlandës. Shën Adriani vdiq pranë Kanterburit më 9 janar,
në një vit të papërcaktuar, ndoshta në vitin 710 e u varros në manastir. Më 1091,
për shak të punimeve për meremetimin e manastrit , u desh të lëvizeshin disa nga varret.
U hap edhe varri i Shenjtit e trupi i tij u gjet krejt i patretur. Nga ai trup, që
kishte ndenjur për shekuj në varr, në vend të erës së kufomës, përhapej një aromë
e këndshme, që fliste vetë për shenjtëri. Populli nisi ta nderonte si shenjt, famë
që vijoi për shekuj me radhë, prandaj emri i tij u shkrua në Martiriologun Romak e
festa e Shën Adrianit u vendos në datën e vdekjes, më 9 janar.